Rama-Manastirliu rikthejnë tenderat “sekretë” në Shëndetësi: “Niku i Ndranghetës” 2.5 milionë euro pa garë

Nuk ndalen tenderat për Nikun e Ndragheta-s në sektorin e shëndetësisë. Ministrja Ogerta Manastirliu I ka dhënë edhe 2. 5 milionë euro kompanisë së Besnik Halilit vetëm me një tender dhe për më tepër me një prokurim të fshehtë dhe pa garë. Shuma e majme për Nikun e Ndragheta-s i është dhënë për funizimin me oksigjen të QSUT. 

Nga SYRI TV

Kompania GTS e Besnik Halilit, ose siç njihet ndryshe ‘Niku i përgjimeve të Ndrangheta-s”, ka fituar një tender sekret me vlerë 2.5 milionë euro për furnizim me oksigjen të Qendrës Spitalore Universitare Tiranë, pak ditë pas Edi Rama vendosi t’i përqëndrojë të gjithë prokurimet publike në duart e Ogerta Manastirliut.

Në 13 tetor 2021, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin që autorizonte ministren e Shëndetësisë për të kryer tenderat e strukturave spitalore.

Vetëm një javë më pas, në 20 Tetor, QSUT vendosë të hapë tenderin me vlerë 270 milionë lekë të reja pa TVSH ose rreth 2.5 milionë euro, për blerje oksigjeni mjekësor.

Për shpalljen e këtij tenderi nuk gjendet asnjë gjurmë publike, as në Buletin e Prokurimeve Publike dhe as në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik.

Ekzistenca e kësaj procedure multi-milionëshe zbulohet vetëm pasi në Regjistrin e Realizimeve të Prokurimeve, publikohet rezultati i tenderit sekret. Ai është fituar nga kompania “Gazra Teknike Shqiptare”-GTS, e cila është nën administrimin e Besnik Halilit.

Mungesa e transparencës është vetëm njëra anët e errët e tenderit 2.5 milionë euro.

Ajo që duket më e rëndë është fakti se QSUT ka zhvilluar një tender të ngjashëm në shkurt të këtij viti, me fondin gjigand rreth 10 milion euro. Edhe në atë rast, fituesi ishte “GTS” e Besnik Halilit, pas një procedure të dyshimtë të zhvilluar nga autoritetet shëndetësore.

Në atë tender, QSUT vendosi në dispozicion fondin jashtëzakonisht të madh, duke parashikuar që sasia e oksigjenit të blerë të përballonte rritjen e pacientëve të prekur nga Covid-19. Por, është shumë i dyshimtë fakti që sasia e parashikuar për të paktën 12 muaj përfundoi brenda 7 muajve, ndërkohë që për shumë muaj, kryesisht gjatë verës, numri i personave që kishin nevojë për oksigjen të intibuar ishte minimal.

Megjithatë, fakti konkret është që GTS e Nik Halilit, vetëm për vitin 2021, ka fituar mbi 12 milionë euro vetëm për furnizimin me oksigjen të Qendrës Spitalore Universitare Tiranë, nëpërmjet procedurave tenderuese pa garë reale.

Emri i administratorit të shoqërisë “GTS”, Besnik Halili, gjendet në fashikujt e përgjimeve të Anti-mafias italiane, të publikuara në fillim të këtij viti.

Antonio Gallo, i njohur edhe si “Princi i Ndrangheta-s”, e konsideronte Besnik Halilin si një njeri me njohje të rëndësishme në qeverinë shqiptare dhe që mund të ndihmonte grupin mafioz për të shtrirë tentakulat e saj në lejet e ndërtimit për kullat e larta në Tiranë.

Besnik Halili e ka mohuar se ka diskutuar me Gallon për leje ndërtimi.

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit ka nisur një hetim pas përgjimeve të Anti-mafias së Katanzaros, megjithëse ende nuk ka arritur në ndonjë rezultat konkret.

Exit mobile version