Rama përçan koalicionin qeverisës, LSI reagon

Pas përplasjes me LSI-në dhe daljen në skenë të partisë së Ben Blushit, Kryeministri Edi Rama ka hapur një “front lufte” edhe me PDIU-në. Pas presioneve të Athinës, por edhe “oreksit” të Shpëtim Idrizit për sa më shumë poste, Kryeministri Rama nuk po ndihet komod me kreun e çamëve dhe në këtë mënyrë ka vënë në lëvizje skemën për përçarjen e çamëve, ashtu siç tentoi edhe me LSI-në me rastin e ish-ministrit Edmond Haxhinasto.
Një ndër arsyet e shkarkimit të këtij të fundit, ishte edhe afrimi i ngushtë që Haxhinasto bëri me Kryeministrin Edi Rama. Një bashkëpunim ky që Ilir Meta nuk ia fali, duke e larguar nga posti ministror me argumentin banal se do t’i përkushtohej partisë.
E ndërsa kjo skemë që Ramës i eci deri diku me LSI-në, por kërkon ta realizojë edhe në krahun e PDIU-së.
Shpëtim Idrizi gjatë ditëve të fundit ka përdorur një gjuhë me doza të rënda kritikash ndaj Ramës, teksa e ka akuzuar se qeveria nuk ka bërë sa duhet për çështjen çame, por edhe se marrëveshja qeverisëse nuk është zbatuar.
Në këtë mënyrë, Edi Rama ka vendosur të fusë përplasjet brenda radhëve të PDIU-së duke nisur një bashkëpunim të ngushtë me deputetin çam Aqif Rakipi. Të gjitha emërimet që bëhen në administratë nga radhët e PDIU-së marrin më përpara “bekimin” e Rakipit, duke lënë kështu jashtë vendimmarrjes Shpëtim Idrizin.
Ndërkohë që Rama në mënyrë jozyrtare do ta vërë Rakipin edhe si koordinator të mazhorancës për zgjedhjet në Qarkun e Elbasanit. Duke ndjerë rrezikun nga këto lëvizje të Edi Ramës, Idrizi nga ana tjetër ka hedhur akuza te rrethe të ngushta se kryesocialisti po kërkon t’i marrë partinë.
Nga diversioni i Ramës, tashmë edhe brenda radhëve të PDIU-së ka një përplasje, ku nga njëra anë deputetët Aqif Rakipi dhe Tahir Muhedini janë më pranë PS-së, ndërsa tre të tjerët, Shpëtim Idrizi, Mesila Doda dhe Omer Mamo po mendojnë të bëjnë një shkëputje nga koalicioni i majtë nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.
Por Kryeministri nuk ka vetëm problemin e PDIU-së, por edhe të LSI-së. Ilir Meta e ka shantazhuar prej disa ditësh Edi Ramën, duke dhënë ultimatumin se mandatin tjetër i takon atij posti i Kryeministrit. Ilir Meta ka kërkuar një ridimensionim të marrëveshjes politike me Partinë Socialiste duke lënë të kuptohet se do të kërkojë postin e Kryeministrit ose do të preferojë të jetë kryetar i opozitës.
Në intervistën e tij të fundit në media, Meta theksoi se ka objektiv të jetë më shumë se kaq sa është në zgjedhjet e ardhshme, nëse do të qëndrojë në këtë koalicion, ose do të preferonte më mirë të ishte kryetar i opozitës më të madhe në vend.
Deklarata e tij është kaluar në heshtje nga Edi Rama që tha dje se po pret Ilir Metën për të firmosur marrëveshjen e re të koalicionit, gjithmonë nëse ky i fundit nuk “rimartohet” me LSI-në.
Të gjitha këto probleme e bëjnë të pasigurtë marrëveshjen e re të koalicionit pas pranverës së vitit të ardhshëm dhe e lë të hapur vazhdimin e qeverisjes së deritanishme me konflikte, dyshime dhe frymë të fortë mosbesimi mes palëve.

Exit mobile version