Vendi në duart e maskave, 3 grabitje brenda një dite

Vendi ndodhet në duart e maskave, ndërsa jeta e qytetarëve është e pasigurtë. Vetëm në 24 orët e fundit janë kryer tre grabitje nga maskat nën kërcënimin e armëve. Ditën e djeshme kanë rënë pre e grabitjeve dy pika karburanti, një në Tiranë dhe një në Krujë, ndërsa mesnatën e të dielës maskat grabitën 100 milionë lekë dhe 70 mijë paund në një banesë në Korçë.
Dy persona të maskuar dhe armatosur kanë grabitur mëngjesin e djeshëm kasafortën e një pike karburanti në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur pranë Qafë Kasharit, rreth orës 03:12. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës bënë të ditur se autorët kanë arritur të vjedhin 10 milionë lekë të vjetra. Personat e maskuar kanë terrorizuar rojen e karburantit duke i vendosur pistoletën në kokë për ta detyruar që të dorëzojë të gjitha paratë tek ata. Duke përdorur mjete të forta kanë arritur të marrin kasafortën e kësaj pike karburanti, ku në bazë të dëshmive në brendësi të saj ka patur xhiron e dy ditëve. Pas grabitjes autorët janë larguar me automjet në drejtim të Durrësit.
Policia bëri të ditur se ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, por nuk ka mundur të zbulojë autorët. Policia tha se ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e grabitësve.
Ndërkohë, rasti i dytë i grabitjes ka ndodhur në Krujë, po në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ku tre persona të maskuar dhe armatosur kanë arritur të grabisin në një pikë karburanti. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:00, në rrugën nacionale Krujë-Krastë. Burimet e policisë bënë të ditur se, tre persona të armatosur dhe me maska kanë sulmuar një karburant në rrugën kombëtare Krujë-Krastë, ku kanë marrë shumën e xhiros ditore.
Të njëjtat burime thanë se, tre personat e armatosur kanë qenë duke udhëtuar me një makinë tip “Audi A 3” dhe kanë kanosur punonjësin e karburantit duke i marrë shumën prej 100 mijë lekësh. Pas kësaj, punëtori ka bërë denoncimin në polici dhe kjo e fundit ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet. Policia bëri të ditur nëpërmjet një njoftimi për shtyp, se autorët janë larguar me një mjet tip “Audi A 3”, ngjyrë gri e errët, me targa AA 771 JG. Burimet thanë se është duke u punuar për identifikimin dhe kapjen e grabitësve. Grabitja në karburante është krimi më i shpeshtë i kohëve të fundit.

rabiten 100 milionë lekë e 70 mijë paund në Korçë

Në Korçë në shtëpinë e një biznesmeni janë grabitur 100 milionë lekë dhe 70 mijë paund. Ngjarja ndodhi mëngjesin e të dielës, rreth orës 03:00 në fshatin Lumalas. Burime zyrtare nga policia bënë të ditur se, 3 persona të armatosur dhe me maska kanë grabitur banesën e biznesmenit Ibrahim Shahollari, 60 vjeç. Të njëjtat burime theksuan se autorët kanë hyrë nga dritarja e dhomës së gjumit për në banesë dhe pasi kanë ushtruar dhunë ndaj biznesmenit dhe bashkëshortes së tij kanë marrë dy kasafortat ku ndodheshin paratë dhe janë larguar qetësisht në drejtim të paditur për policinë.
Shahollari ka treguar në polici se i kanë marrë dy kasaforta, në të cilat ndodheshin 100 milionë lekë dhe 70 mijë paund. Shahollari është i njohur në zonë si grumbullues dhe tregtar me shumicë i patates. Sipas deklarimeve të 60-vjeçarit në polici, grabitësit kanë përvetësuar 100 milionë lekë të vjetra, të cilat ai i kishte fituar nga tregtia dhe rreth 70 mijë paund, të cilat ishin kursimet e fëmijëve të tij, të cilët punojnë në Angli.
Ndërkaq, policia nuk ka asnjë të dhënë në lidhje me autorët e kësaj supergrabitjeje të ndodhur nën kërcënimin e armëve. Autorët kishin hyrë në dhomën e gjumit dhe e kishin kërcënuar me armë biznesmenin, që t’u tregonte vendet e kasafortave që më pas i kanë marrë me vete. Policia ende nuk ka mundur të identifikojë autorët e kësaj grabitjeje, ndërsa biznesmeni shprehet se ndodhet ende i shokuar nga terrori i maskave.

R.POLISI

Exit mobile version