Rama përgatit largimin e Metës e LSI nga qeverisja

Rama ka një strategji të qartë për të likuiduar LSI-në. Ditët e fundit po intensifikohen gjithnjë dhe më shumë lëvizjet e njëanshme politike të Ramës, por edhe të Metës nga ana tjetër. Ministrat duket sikur nuk janë në të njëjtën qeveri. Duket sikur kemi të bëjmë me dy qeveri. Tre ditë më parë, ministri i Drejtësisë kërkoi ndërhyrjen e ushtrisë në luftën ndaj trafikut të drogës. Reagimi që ka ardhur nga PS ka qenë injorues. Kodheli i kujtoi Manjanit që të bëjë punën e tij, sepse ushtria është çështje serioze. Deklarata u pasua edhe nga një reagim tjetër i Tahirit, i cili po ashtu refuzoi që të pranonte si shqetësim çështjen e trafikut të drogës, madje ai shkoi edhe më tej, duke propozuar një paketë që premton lehtësira për trafikantët e drogës.
Mes PS dhe LSI ka qëndrime të ndryshme për një numër projektligjesh që do të mbërrijnë në Parlament gjatë ditëve të ardhshme. Një prej tyre është edhe ligji i plehrave. Meta ka bërë një hap përpara dje, duke deklaruar se ligji do të duhet të ndryshojë. Një gjë e tillë nuk ka sjellë reagim nga Rama, por ky i fundit ka deklaruar se kërkon që të votohet sërish i njëjti ligj kur Presidenti i ktheu në Parlament për rishqyrtim projektligjin.
Ilir Meta la të kuptohet se është tërhequr nga ligji i mbetjeve pas kthimit të ligjit në Kuvend nga Presidenti i Republikës. “Nuk kemi pse të miratojmë ligje konfliktuale dhe që ka dyshim në publik për to”, tha Meta, duke shtuar se “zgjidhja është konsultimi me direktivat e BE-së”.

Një pjesë nga fjala e tij

Meta: “Debati për ligjin për mbetjet është i kuptueshëm, pasi ka një rritje të interesit qytetar për mbrojtjen e mjedisit, në një vend si Shqipëria që kërkon të zhvillojë turizmin. Kemi insistuar për dialog me shoqatat e specializuara për 2 dekada në këtë drejtim. Nuk jam ekspert i mjedisit, por e kemi pranuar se duhen të marrim direktivat e BE. Nuk ka asnjë arsye përse të mos shterrojmë, të mos pranojmë një eksperiencë të thelluar të BE në këtë drejtim. Konfliktet për një çështje sensitive me një dyshim të përhershëm nuk janë pozitive.
S’jam naiv të besoj se për gjithçka do të kemi konsensusin, por besoj se çështja e mjedisit u takon të gjithëve. Ndaj nuk humbasim gjë nëse dialogojmë, marrim eksperienca. Qeveria nuk punon në kushte perfekte apo laboratorike, ka presione nga më të ndryshmet, interesa… Kemi dhe një klimë politike jo shumë konstruktive dhe të shëndetshme”, është shprehur Meta.
Rama ka njoftuar në darkë një tjetër lëvizje të tij që mënjanon tërësisht ministrat e LSI. Takimi i fundjavës që deri pak muaj më parë bëhej mes ministrave të PS dhe LSI tani do të shpërngulet në Gjirokastër ku do të jenë vetëm ministrat e PS.
Rama ndodhet në Gjirokastër, ku dje zhvilloi një takim me fermerët. Ndërkohë që për të dielën është planifikuar mbledhje qeverie vetëm me ministrat e PS, në një prej hoteleve të njohur të qytetit të gurtë. Nuk dihet arsyeja e mbledhjes së kabinetit qeveritar në qytetin e gurtë, ndërkohë që të njëjtat burime sqarojnë se Rama do të jetë në Gjirokastër deri ditën e hënë apo të martë. Ndërkohë, burime nga PS saktësojnë se në takim do të marrin pjesë edhe drejtues të PS-së nga i gjithë vendi, duke qenë kështu një nga takimet ku do të koordinohet për hapat që do të hidhen për zgjedhjet dhe situatën politike në vend.
Rama gjithnjë dhe më shumë po projekton një qeveri pa LSI-në. Trafikimi i votave në Parlament, joshja e partisë së çamëve nga Rama janë disa nga hapat që pritet të konkretizohen politikisht gjatë ditëve të ardhshme për një largim të LSI nga koalicioni qeverisës.

Enton DACI

Exit mobile version