Balili kalon tonelatat e drogës drejt Greqisë nga pikat kufitare

Klement Balili kalon tonelata me drogë nga pikat kufitare pa asnjë problem për policinë shqiptare. Madiat greke shkruanin dje se ngarkesa prej 1 ton drogë e kapur në afërsi të Athinës është trafikuar nga Klement Balili. Një nga gazetat më të mëdha në Greqi, “Ethnos”, shkruan se, “pas dërgimit në Greqi të ngarkesës prej 1 ton kanabis, është një rrjet ndërkombëtar i trafikut të drogës, i lidhur me 44-vjeçarin shqiptar, Klement Balili, që njihet edhe si “Eskobari” i Ballkanit”. Madje edhe titulli në versionin online të gazetës “Ethnos”, është: “Eskobari shqiptar me një ton kanabis”.
Droga u zbulua të enjten në një magazinë në zonën Afidnes, rreth 30 km nga qendra e Athinës. Më tej, gazeta vë në dukje se autoritetet greke kanë lëshuar një urdhër ndërkombëtar arresti ndaj Klement Balilit, si drejtues dhe financues i një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës. “Megjithëse autoritetet shqiptare kanë filluar procedurat përkatëse, 44-vjeçari nuk është arrestuar ende”, thekson gazeta greke “Ethnos”.
Klement Balili u shpall në kërkim për llogari të drejtësisë greke, në maj të këtij viti, kur u kapën rreth 700 kilogram kanabis. Menjëherë u pagëzua si Eskobari i Ballkanit, për shkak të sasive të mëdha të kanabisit dhe drogave të tjera që trafikonte nga Shqipëria, prej vitesh. Pjesëtarët e tjerë të organizatës që trafikonte drogë u arrestuan, ndërsa Balili jo.
Në Shqipëri, ai mbante postin e drejtorit të Drejtorisë së Transporteve për Sarandën dhe mediat greke paralajmëruan mbrojtjen që do t’i jepej për shkak të lidhjeve të forta politike. Dhe ashtu ndodhi. Klement Balili nuk u arrestua menjëherë nga policia shqiptare, përkundrazi ai dha edhe një intervistë në maj të këtij viti, pas kapjes së 700 kilogramëve kanabis në Greqi. Duke përfituar nga koha që i dha drejtësia shqiptare, Balili u zhduk për pak kohë, ndërsa më pas u shfaq sërish në Sarandë në shtëpinë e tij.

I shpallur në kërkim drejton trafikun nga shtëpia e tij

Balili vazhdon të ushtrojë aktivitetin e tij kriminal në bashkëpunim me drejtuesit e policisë. Ai është parë në ambiente publike në Sarandë dhe në banesën e tij organizon trafikun e drogës me lejen e zyrtarëve të lartë. Para disa ditësh në media u publikua edhe një foto ku, “Eskobari i Ballkanit” shfaqej në strofkullën e tij me nipërit e tij, një prej të cilëve mbahej si peng për të siguruar transportin e drogës. Ish-kryeministri Berisha, bashkë me fotografinë, publikoi edhe mesazhin e një qytetari, i cili e informonte se si Balili vazhdonte trafikun e drogës drejt vendeve perëndimore nga shtëpia e tij në Sarandë, ndonëse është i shpallur në kërkim ndërkombëtar. “Denis Balili zakonisht rri peng tek blerësit e drogës deri në momentin kur transporti ka përfunduar”, shkruante qytetari nga Saranda. Pas publikimit të fotos dhe lajmit për vijimin e trafikut të drogës nga Klement Balili nuk pati asnjë reagim nga policia dhe as nga Ministria e Brendshme, ndërkohë Balili vazhdon i qetë trafikun e drogës.
Në media janë publikuar vazhdimisht foto të tij gjatë verës. Fillimisht u publikua një foto, ku dukej Balili në skafin e tij luksoz në detin Jon, ndërsa pak ditë më vonë, ai u fotografua në një dasëm në qytetin e Sarandës në resortin e tij “Santa Quaranta” në shoqërinë e kreut të PS për Tepelenën.
“Eskobari” i Ballkanit shëtit i lirë në Sarandë ditë dhe natë, i pashqetësuar nga askush. Policia shqiptare ka detyrimin ta arrestojë Klement Balilin, pasi është në kërkim ndërkombëtar, por nuk e bën një gjë të tillë, pasi ai i ndan fitimet kolosale të trafikut të drogës me zyrtarët e lartë të qeverisë. Balili që prej muajit maj të këtij viti është shpallur në kërkim pas një hetimi nga DEA amerikane, policia greke e disa polici të vendeve evropiane, si kreu i një organizate kriminale ndërkombëtare që trafikonte sasi të mëdha të hashashit dhe kokainës në Evropën Qendrore dhe Evropën Perëndimore.
Ai ishte emëruar drejtor i Transportit Rrugor Sarandë për dy vjet e gjysëm, deri kur në fillim të muajit maj të këtij viti u kap në Greqi ngarkesa e tij prej 700 kg kanabis dhe u shpall në kërkim ndërkombëtar për trafik droge. Duke pasur këtë funksion të lartë shtetëror, Balili e kishte më të lehtë për të zhvilluar trafikun e drogës drejt vendeve perëndimore, pa patur asnjë problem nga policia shqiptare.
Gjatë hetimeve të kryera nga DEA u zbulua se, rrjeti i trafikut të drejtuar nga Balili shtrihej në Greqi, Belgjikë, Bullgari, Spanjë, Holandë, Britani, Austri dhe Norvegji. Droga dërgohej me skafe nga Shqipëria drejt Greqisë dhe më pas prej andej shpërndahej në Europë me kamionë.

Pasuri përrallore nga trafiku i drogës

Klement Balili ka në zotërim një pasuri përrallore nga përfitimet e trafikut të drogës. Ai është edhe pronar i kompleksit turistik “Santa Quaranta”. Ky kompleks është ndër më luksozët dhe më modernët në bregdetin e Sarandës dhe më gjerë. Kompleksi turistik është inauguruar në fillim të këtij viti. Balili, ndërkohë është edhe pronar i hotel “Olivias” në bregdetin e Butrintit, një ndër hotelet më të njohura të zonës.
Po ashtu është pronar i hotel “Butrinti” në Sarandë.
Së bashku me vëllezërit e tij, Klement Balili është pronar i shoqërisë së sigurisë private “Balili shpk”, e cila operon në Qarkun e Vlorës. Dy vite më parë, opozita e akuzoi Klement Balilin si një person të përfshirë në trafikun e drogës. Në 2006, Klement Balili u arrestua nga Policia e Shtetit në kuadër të një aksioni antidrogë që u finalizua me prangosjen e disa personave mes të cilëve edhe zyrtarë shtetërorë, por Rama e emëroi drejtor të Transportit në Sarandë.

R.POLISI

Exit mobile version