Rama ka sulmuar sërish Presidentin amerikan Trump. Kësaj radhe i ka rënë nga Franca. “Shpresojmë që rezultati i zgjidhjeve në Francë të mos sjellë ndonjë çudi tjetër”, u shpreh Rama duke nënkuptuar sërish fitoren e Trump në SHBA, të cilën Rama ende nuk e pranon. Kjo është një deklaratë për të kuptuar se qëndrimi i Ramës nuk ka ndryshuar aspak nga koha kur e quante Trump si turp të civilizimit edhe pse tani ai është Presidenti i Shteteve të Bashkuara. Kjo nuk është hera e parë që Rama sulmon Presidentin amerikan, Donald Trump. I ftuar në prill 2016 në SHBA, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama foli shumë ashpër në adresë të kandidatit republikan për president të SHBA-ve, Donald Trump. Sipas kreut të qeverisë shqiptare, zgjedhja e Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë do të ishte kërcënim për botën. “Larg qoftë! Besoj se do të dëmtonte shumë SHBA-në dhe do të dëmtonte shumë botën demokratike, pasi ai, në fund të ditës do të duhet të bënte disa prej gjërave që po thotë se do të bëjë dhe pa dyshim, kjo do të ishte shumë e dëmshme. Gjithashtu, shpresoj që ndërkohë ai të jetë në gjendje të mësojë më shumë mbi botën, të mësojë më shumë mbi myslimanët, të mësojë më shumë se si ka shumë njerëz, që pavarësisht besimit apo etnisë së tyre, jetojnë me krenari me vlerat që Amerika përfaqëson dhe i mbrojnë këto vlera, edhe përmes sakrifikimit të fëmijëve të tyre, në luftërat që bëjnë përkrah Amerikës”. “Besoj e dini se etiketa diplomatike, zakonisht do të thotë se udhëheqësit e huaj nuk komentojnë mbi zgjedhjet në vendet e tjera”, iu përgjigj atëherë gazetari.