Rama, tjetër kullë mbi Presidencën

Epidemia e kullave në Tiranë kërcënon edhe sigurinë kombëtare. Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar ndërtimin e një kulle 9-katëshe ngjitur me Presidencën dhe objekte të tjera të rëndësisë së veçantë. Top Channel publikon projektin e arkitektit Stefano Boeri, i cili mban datën nëntor 2017. Sipas tij, ngjitur me godinën e Presidencës ku ndodhet parkingu privat do të ndërtohet një pallat 9-katësh, duke shfrytëzuar një sipërfaqe prone 1788 metër katrorë. Kompania ndërtuese është Invest Society shpk.
Por ky projekt ka shqetësuar Gardën e Republikës, për shkak se sipas saj cënon sigurinë kombëtare. Godina e Presidencës është vendi ku zhvillon mbledhjet Këshilli i Sigurisë Kombëtare, dhe kjo ka alarmuar Gardën, e cila në një përgjigje që i kthen Presidencës deklaron: Nga ana e Akademisë së Arteve, Klinikës qeveritare dhe ish-klinikës qeveritare për shkak të sigurisë së objektit të Presidencës duhet të krijohet një distancë sigurie të lirë me largësi nga muri rrethues prej 50 metër.
Por perimetri i sigurisë nuk është mbajtur parasysh. Sipas projektit të miratuar në Këshillin Kombëtar të Territorit me firmën e kryeministrit Edi Rama, ngjitur me Presidencën do të ngrihet një kullë 9-katëshe. Kjo nuk është hera e parë kur ngjitur me Presidencën tentohet të ndërtohet kullë. Edhe në vitin 1999, pikërisht në të njëjtin vend Bashkia e Tiranës ka dhënë leje ndërtimi për një pallat dhjetë katësh. Por leja u anulua me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit, për të njëjtën arsye, atë të cënimit të sigurisë kombëtare. Këtë herë, siguria kombëtare duket se ka rënë dhe Presidenca e Republikës do të bëhet me kullë.

Exit mobile version