Rama vazhdon presionet ndaj grave naftëtare: “Mbyllni grevën dhe pastaj ulemi e qajmë…”  

Teksa naftëtaret e Ballshit janë në ditën e 14-të të grevës së urisë, Edi Rama vijon që të përsërisë thirrjen e tij, se me to nuk do të komunikojë derisa të lënë ambientet e grevës.

Rama shkruan se, qeveria e tij është duke punuar për të gjetur investitorë që të mund të vënë në punë Rafinerinë, por greva e naftëtarëve duhet të marrë fund, para se ai të ulet dhe të negociojë me to.

“Ne po punojmë për të gjetur investitorë seriozë që të rindezin rafinerinë edhe pse greva juaj nuk ndihmon as për këtë! Ndërsa për ndihmën e mundshme shtetërore ndërkohë, meqë ju s’pranoni as të dilni në asistencë, ka vetëm një rrugë: Mbyllni grevën dhe ulemi qajmë hallin!”, shkruan Rama.

Gjendja e naftëtareve të Ballshit sa vjen dhe përkeqësohet, për shkak se tashmë kanë 14 ditë të izoluara. Disa prej tyre janë dërguar në spital, për të marrë ndihmë mjekësore dhe janë kthyer sërish në grevë, nga ku shprehen se nuk do të dalin deri në plotësimin e kushteve të tyre.

Gjatë ditës së sotme me grevën e tyre janë solidarizuar dhe naftëtarët e Kuçovës, ndërsa prej ditësh nuk takojnë asnjë prej familjarëve të tyre.

Naftëtaret shprehen se nuk mund të shkojnë në shtëpitë, e tyre, pasi nuk mund ti dalin përpara fëmijëve, të cilët nuk kanë mundësi ekonomike që ti çojnë në shkolla apo universitete. Kërkesat e tyre janë dy dhe të qarta, marrja e të gjitha pagave të prapambetura si dhe rifillimi i punës në rafineri.

Artikulli paraprakBylykbashi: Kurrë qeveri me Edi Ramën! Kompromis me PS vetëm për zgjedhje të lira dhe të ndershme
Artikulli tjetër118 familje në Mirditë në banesat e dëmtuara nga tërmeti, kreu i PD denoncon skandalin: Kush e ka përfituar bonusin e qerasë?!