Nga Erl KODRA
“Mëngjesin e sotëm, u kam dërguar letër shpjeguese të gjithë kryeministrave të botës, me anë të së cilës u kam shpjeguar natyrën e dialogut Kosovë-Serbi.
Dialogu Kosovë-Serbi është dialog mes dy shteteve sovrane dhe për subjekt nuk e ka statusin final të Kosovës, por normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, me njohje reciproke.
Me anë të këtij sqarimi dhe qëndrimi, synojmë t’i japim fund propagandës serbe se statusi dhe territori i Kosovës është ende në tavolinë.
Kosova e ka përmbyllur shtetësinë e saj më 17 shkurt 2008.
RH”
Ndërsa dëgjoja Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj të tregonte jetën e tij para gazetarve Berat Buzhala dhe Leonard Kerkuqi, një ndenjë e çuditshme, si valë malli e kaploi krejt qenien time. Pauzat e vogla, qetësia dhe buzëqeshja e lehtë, rrudhat në ballin e lartë të këtij burri të rrallë, më ngjanë sikur flasin. Lëbyrja e syve nga perdja e lotëve që i përbi thellë, dridhja e lehtë e cepit të buzës, ndërsa tregon qetësisht se si e ka rrokë kraheqafë Luan Haradinajn e vrarë në kufirin mes dy Shqipërive…
Unë ndala. Vrik u çova në kambë e ndeza një duhan të kuq. Zemra ime e dobët nuk mund të përballonte një qetësi të tillë olimpike. Sepse unë nuk jam një hero, por një vdekatar i zakonshëm, krejt i dobët para një madhështie si kjo.
Ma vonë rrotullon kryet dhe tregon me gjeste kur takohet me Presidentin Rugova në zyrën e Tij, ndërsa sheh se Rugova i Madh ishte ba sa një grusht, ndërsa Ramush Haradinaj do të nisej për Hagë.
– Nuk po na lanë ta rahatojmë Kosovën – ngjashëm diçka të tillë i thotë Rugova at’botë.
– Ani President – thotë Ramushi, – kurrgja nuk kanë me mujtë me na ba. Te tana kanë me u ba mirë.
I rritun në Rrafshin e Dukagjinit, aty ku Oda e Burrave ka qenë Universiteti i Retorikës, Ramush Haradinaj shpalosë te tana cilësitë e rralla të pleqënisë. Kush e di se për çfarë e kam fjalën, e kupton se në Odë të Burrave nuk hynte kushdo, e nëse hyje, vetëm me urtësi mund t’i afroheshe paltronit në Ballë t’Oxhakut. Kjo traditë e lashtë me rrënjë në antikitet, formën më të lartë dhe plot sharm e ka marrë pikërisht në Rrafshin e Dukagjinit.
Me sa duket, nëse kaloje nëpër Odën e Burrave të derës së Haradinajve, me siguri që do të baheshe i tillë; ose Dëshmor i Atdheut, ose luftëtarë i madh dhe burrë shtetas.
Ramush Haradinaj u ba të dyja.