Raporti i BB: Reforma e Ramës në energji goditi të varfërit

Banka Botërore në një raport të saj thekson se reforma e Ramës në energji goditi familjet e varfra. Në raportin përmbyllës për zbatimin e reformës, Banka thotë se heqja e fashës së mbrojtur 300 kilovat orë në muaj, rriti faturën e energjisë për të gjitha familjet.
“Arkëtimet më të larta të energjisë mund të kenë patur efekte negative tek familjet më të varfra për shkak se një pjesë e madhe e tyre kishin detyrime të papaguara si dhe pesha e buxhetit që këto familje paguajnë për energjinë është më e madhe se familjet e tjera, respektivisht 7 për qind,” thuhet në raportin e Bankës Botërore. Sipas raportit familjet e varfra u dëmtuan edhe nga heqja e fashës së mbrojtur të konsumit dhe unifikimi i çmimit të energjisë. “Për një pjesë të familjeve efektet negative u zbutën përmes transfertave sociale, ndërkohë që autoritetet janë duke kryer një analizë për të parë rrugët se si mund të asistojnë familjet e varfra që nuk kanë përfituar nga këto transferta,” thotë Banka Botërore. Në raportin përmbyllës Banka pranon se efektet negative që reforma pati tek të varfit vazhdojnë, teksa arkëtimet më të larta dhe rritja e çmimit i detyrojnë familjet e varfra të paguajnë më shumë.

Pesha në buxhet
Familjet shqiptare shpenzojnë mesatarisht 5 për qind të buxhetit për faturat e energjisë elektrike. Por kjo peshë nuk është e njëjtë tek të gjitha familjet. Për familjet e varfra energjia merr 7 për qind të buxhetit, duke e bërë atë një zë të konsiderueshëm të shpenzimeve. Ndaj reforma e energjisë i ka prekur më rëndë familjet më të varfra, të cilat edhe Banka e pranon se nuk u mbrojtën plotësisht nga qeveria. Në vitin 2015 qeveria burgosi mijëra qytetarë për borxhet e faturave të energjisë, ndërkohë që pati dhe raste kur qytetarë humbën jetën për shkak të represionit shtetëror.

Exit mobile version