Fondi Monetar Ndërkombëtar, në “Pasqyrën Ekonomike Globale” të tetorit ka publikuar parashikimin zyrtar për ecurinë ekonomike të Shqipërisë, që për vitin 2020 pritet të bjerë me -7.5%, nga 5% në raportin e prillit.
Ky vlerësim ishte publikuar më herët edhe nga misioni i FMN-së në Shqipëri në një vizitë virtuale gjatë periudhës 17-28 shtator 2020, për të zhvilluar diskutimet e Monitorimit të parë Pas Programit (MPP).
Tendenca për Shqipërinë është e ndryshme nga ajo globale, ku rënia, ndonëse e thellë, është më pak e fortë sesa ishte parashikuar në qershor, për shkak se rënia në shumë vende në tremujorin e dytë nuk rezultoi aq e ashpër sa pritej.
Sipas raportit të fundit të FMN-së, tkurrjen më të fortë në rajon pritet ta ketë Mali i Zi me -12%, e ndjekur nga Kroacia, me -9% dhe më pas renditet Shqipëria në të njëjtat nivele me Kosovën (-7.5% secila). Të tre shtetet bregdetare (Kroacia, Mali i Zi, Shqipëria) kanë një varësi të lartë nga turizmi, që ka qenë ndër sektorët më të goditur nga pandemia. Krizën pritet ta ndiejë më pak Serbia, që parashikohet të ketë një rënie prej -2.5%. Maqedonia do të tkurret me -5.4%, kurse Bosnja me -6.5%.
FMN pret që ekonomia shqiptare të rritet me 6.1% në vitin 2021, që është rishikuar në ulje në krahasim me raportin e prillit prej 8%. Në 2022, ekonomia do të zgjerohet me 3.4%. Gjithsesi, për vitin 2021, Shqipëria pritet që të ketë rritjen më të lartë në rajon, së bashku me Kosovën.
Inflacioni në vend pritet të jetë i ndrydhur, në 1.4% në vitin 2020, për tu rritur lehtë në 1.7% në vitin 2021 dhe vetëm në 2022 do të shkojë në objektivin e shënjestruar të Bankës së Shqipërisë prej 3%.
Deficiti i llogarisë korente (flukset e hyrjeve dhe daljes së valutës) pritet të përkeqësohet ndjeshëm në -11.7% të Prodhimit të brendshëm Bruto (PBB) nga -7.6% në 2019-n, për të rënë në vitet në vijim.
Një ngjitje e gjatë dhe e vështirë, po rënia është më pak e ashpër sesa pritej
FMN parashikon për ekonominë globale një recesion disi më pak të ashpër edhe pse ende të thellë në vitin 2020, krahasuar me parashikimin e qershorit. Rishikimi ka ardhur nga rezultatet e PBB-së në tremujorin e dytë në ekonomitë e mëdha të përparuara, të cilat nuk ishin aq negative sa pritej në fillim; Kthimi i Kinës në rritje, i cili ishte më i fortë se sa pritej; dhe shenjat e një rikuperimi më të shpejtë në tremujorin e tretë.
Rezultatet do të ishin shumë më të dobëta po të mos ishin përgjigjet e konsiderueshme, të shpejta dhe të paprecedenta fiskale, monetare dhe rregullatore që ruajtën të ardhurat e disponueshme për familjet, mbështetën flukset e parave për firmat dhe suporti që u dha për kreditë. Kolektivisht këto veprime kanë parandaluar deri më tani një përsëritje të katastrofës financiare të 2008-09, thotë FMN.
Rritja globale është parashikuar në −4.4 për qind në vitin 2020, një tkurrje më pak e ashpër sesa parashikohej në Pasqyrën Ekonomike Globale të Qershorit.
Rishikimi pasqyron rezultatet më të mira se të parashikuara të PBB-së në tremujorin e dytë, kryesisht në ekonomitë e përparuara, ku aktiviteti filloi të përmirësohej më shpejt sesa pritej pasi bllokimet filluan të lehtësohen në maj dhe qershor, si dhe treguesit e një rikuperimi më të fortë në tremujorin e tretë.
Rritja globale parashikohet në 5.2 përqind në 2021, pak më e ulët se në Azhurnimin e Qershorit 2020, duke reflektuar rënien më të moderuar të parashikuar për vitin 2020 dhe në përputhje me pritjet e distancës së vazhdueshme shoqërore. Pas tkurrjes në 2020 dhe rimëkëmbjes në 2021, niveli i PBB-së globale në 2021 pritet të jetë një nivel modest 0.6 për qind mbi atë të vitit 2019.