Raporti/ Rama “tërhiqe mos e këput” me mandatin e Xhaçkës, zbulohet manovra e radhës!

Mos vallë Edi Rama ka ndërruar mendje për mandatin e Olta Xhaçkës? Ndonëse pak javë më parë u duk sikur PS vendosi të dorëzohet dhe t’i japë fund lojës, duket se kemi një tjetër manovër.

Dje Kuvendi ka zbardhur raportet e mazhorancës dhe të opozitës në Këshillin e Legjislacionit mbi mandatin e deputetes socialiste. Ajo që vihet re, është se PS duket se po bën sërish të njëjtën gjë.

Herën e parë, u la në dorë të deputetëve nëse do dërgohej apo jo në Kushtetuese çështja e mandatit të Xhaçkës. Duket se edhe këtë herë do të ndodhë e njëjta gjë. Në raportin e hartuar nga socialistët, specifikohet se rasti duhet të shkojë në seancë plenare dhe më pas është votimi ai që vendos.

Neni 132 i Kushtetutës shprehimisht thotë: “Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim”. Për sa më sipër dhe në respektim të nenit 132 të Kushtetutës, anëtarët e shumicës në Këshillin Legjislacionit, çmojnë t’i rekomandojnë Kryetares së Kuvendit që të vërë në dispozicion dhe t’i bëjë me dije seancës plenare të Kuvendit vendimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese nr.55, datë 10.07.2024. Është seanca plenare si organi vendimmarrës i Kuvendit, që duhet të vendosë dërgimin e çështjes së papajtueshmërisë së mandatit të deputetes Olta Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese, referuar nenit 70, pika 4 të Kushtetutës dhe urdhërimeve të Gjykatës Kushtetuese në dispozitivin dhe arsyetimin e vendimit të saj nr.55, datë 10.07.2024. Për këtë arsye, në seancën më të afërt plenare të Kuvendit, kjo çështje duhet të përfshihet në rendin e ditës për votim si projektvendim “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të 1/10 së deputetëve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka“, thekson dokumenti i PS.

Pra në asnjë moment nuk specifikohet se ata do ta dërgojnë në Kushtetuese, por kërkojnë të hidhet në votim. Edhe herën e fundit, ndodhi e njëjta gjë. Projektvendimi ishte i së njëjtës formë dhe kolegët e mbrojtën Oltën. Sot në mbledhje grupi u diskutua për këtë gjë dhe sërish Niko Peleshi kur u pyet nga gazetarët nuk ishte i qartë. Me pak fjalë, të enjten nuk është çudi që të kemi një tjetër votim kundër Kushtetueses.

Ndërkohë në raportin e hartuar nga PD, gjithçka është e qartë: “1. Kryetarja e Kuvendit duhet të përfshijë në seancën më të parë plenare për vendimmarrje nga Kuvendi projektvendimin “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhaçka”.

2. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin se duhet të vendosë dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, pa vonesa, për t’i hapur rrugë ushtrimit nga Gjykata të kompetencave të saj kushtetuese.

3. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë se në këtë rast kanë detyrimin për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjin, që detyrojnë vetëm votimin “PRO” projektvendimit “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhaçka”, për shkak se deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duhet të ekzekutojnë një detyrim konkret të lindur prej një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

4. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin për konstatimet dhe rekomandimet e dhëna në këtë opinion këshillimor nga anëtarët e Këshillit për Legjislacionin”.

Por ky raport me gjasë do të rrëzohet dhe do votohet drafti i socialistëve. Mbetet të shohim se si do të procedohet të enjten, por PS po jep sinjale se nuk pyet më për ligje e gjykata. /Pamfleti

Dokumenta bashkëngjitur

Exit mobile version