Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos ka deklaruar se Shqipëria është gati për të hapur negociatat për anëtarësim në BE dhe se ‘Open Balkan’ është një nismë që s’ka lidhje me BE.
“Në ne PE kemi qenë të qartë, kur kemi thënë se Shqipëria është gati për negociatat. Edhe KE ka konstatuar se Shqipëria është gati për tryezën e parë të negociatave. Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për konferencën e parë”, tha Santos.
Raportusja për Shqipërinë në BE vlerësoi situatën politike në vend pas zgjedhjeve duke t hënë se “jemi të lumtur të shohim qe pas zgjedhjeve të shohim dialog demokratik mes palëve në Parlament”.
Gjithashtu znj. Santos tha se kishte marrë konfirmim nga mazhoranca qeverisëse për të tërhequr nisëm ligjore të ashtuquajtur “anti-shpifje”.
Ndërsa për zgjatjen e procesit të vetingut, tha se “është e rëndësishme që procesi i vetingut të përfundojë me të njëjtat rregulla”.
“Unë besoj se opozita dhe maxhoranca do të kenë angazhim në interes të Shqipërisë dhe interesi i Shqipërisë është që të zgjatet afati i vetingut. Besoj se do të kenë një marrëveshje në momentin e duhur”, tha znj. Santos.
E pyetur nga Euronews për nismën ‘Open Balkan’, raportuesja për Shqipërinë në PE ishte e prerë në përgjigjen e saj.
“Open Balkan është nisme që nuk ka lidhje me BE. Jam e fokusuar në çështjen e integrimit ne BE për Shqipërinë, ashtu siç besoj se duhet të jemi të gjithë dhe në asgjë tjetër”, përfundoi znj. Santos. /euronews/