Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, z. Tedi Blushi, i pyetur nga gazetarët se kur Presidenti Meta do të emërojë gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese dhe qëndrimet e bëra publike deri më tani për këtë proces, bën me dije se:
Funksionimi normal dhe pa asnjë ndërprerje i Gjykatës Kushtetuese është një nga çështjet dhe aspektet më të rëndësishme të respektimit të shtetit të së drejtës dhe të drejtave e lirive themelore të njeriut në një shoqëri demokratike.
Fatkeqësisht vendi ynë prej gati dy vitesh po përballet me një situatë paradoksale ku Gjykata Kushtetuese është krejtësisht jashtë funksionit dhe kjo ka sjellë shumë probleme.
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta në qëndrimet e tij ka qenë shumë i qartë dhe transparent kur ka bërë publike fakte të pakundërshtueshme që provojnë se cilat ishin qëllimet, kujt i interesonte, si dhe kush e bllokoi procesin e ngritjes së kësaj Gjykate për dy vite radhazi (2017-2018).
Fatmirësisht falë dhe përpjekjes së vazhduar të Presidentit të Republikës, tashmë jemi në fazën finale ku Kuvendi dhe Presidenti do të emërojnë në ditët në vijim edhe 3 (tre) anëtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkohë që anëtari i parë i saj, i kësaj Gjykate, është emëruar nga Presidenti që në datën 15 tetor dhe aktualisht është në detyrë.
Nuk ekziston asnjë individ apo institucion sipas Kushtetutës e ligjit, që t’i imponojë Presidentit të Republikës të shkelë Kushtetutën, që në këtë rast është shumë e qartë.
Në nenin 179 pika 2 dhe 12, Kushtetuta përcakton se:
“2. Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.”
“12…. Me krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Presidenti emëron gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, sipas nenit 136 të Kushtetutës. Presidenti plotëson vakancën e parë në Gjykatën Kushtetuese sipas paragrafit 2, të këtij neni, dhe nenit 125 të Kushtetutës.”.
Presidenti i Republikës është në pritje që Kuvendi në datë 11 nëntor 2019 të votojë në seancë zgjedhjen e anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese dhe menjëherë sipas radhës që dikton Kushtetuta dhe ligji do të dekretojë emërimin e anëtarit tjetër të Gjykatës Kushtetuese, që do të plotësojë vendin vakant të ish-gjyqtares, znj. Altina Xhoxhaj.
Presidenti i Republikës në veprimtarinë tij ka treguar se ka qenë garant i Kushtetutës dhe do të vazhdojë të ushtrojë këtë rol edhe përgjatë procesit të ringritjes së Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që i gjithë procesi i ripërtëritjes së saj të mos dëmtohet nga askush dhe që kjo Gjykatë të jetë sa më shpejt funksionale, e aftë për të marrë vendime në mënyrë që t’i japë zgjidhje një sërë çështjeve që shqetësojnë të gjithë jetën shoqërore në vend.
Cilido që ushqen iluzione se duke provokuar dhe duke bllokuar me tej ngritjen e Gjykatës Kushtetuese do arrijë përfitime afatshkurtra politike, do të zhgënjehet shumë rëndë.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është shumë e qartë për këtë çështje dhe Presidenti po kaq i qartë dhe i vendosur në respektimin e saj.