Rekord gjobash pas ndryshimit të Kodit Rrugor – 28 milionë euro në një vit, por aksidentet vijojnë njëlloj

Ashpërsimi i ndëshkimeve për shoferët po shërben për të mbushur arkën e shtetit. Gjatë vitit të kaluar gjobat u katërfishuan, por numri i aksidenteve u rrit me 20% duke vënë në  pikëpyetje efektshmërinë e kësaj politike. Disa punonjës të policisë rrugore thanë për “INA Media” në mënyrë konfidenciale se eprorët i kanë urdhëruar verbalisht për vendosjen e një minimumi prej 30 gjobash në ditë, në të kundërt u tërheqin vërejtje.

Emirjon Senja

I njohur ndryshe si “makina e kuqe te Transballkanikja”, radari automatik i vendosur në hyrjen e Vlorës është kthyer në makthin e shoferëve.

Një punonjës policie, i cili ka shërbyer disa herë pranë këtij radari, tha për “INA Media” se gjatë verës mund të vendosin deri në disa qindra gjoba vetëm gjatë një turni.

Në ditët me fluks të verës mund të vendosim mes 300 deri 400 gjoba në turn”, – rrëfen ai, duke kërkuar që t’i ruhet anonimati.

Pas daljes nga autostrada, ku shpejtësia e lejuar është 100-120 km/orë, menjëherë në këtë segment ka kufizim shpejtësie deri në 60 km/orë, duke u kthyer në një grackë për drejtuesit e automjeteve.  Si pasojë, vizitorët e shumtë të Vlorës gjobiten automatikisht për çdo km të kaluar mbi shënimin e tabelës.

I konsideruar bilanc lufte, në 5 vitet e fundit kanë humbur jetën rreth 1000 persona nga aksidentet rrugore dhe mbi 1200 të tjerë kanë mbetur të lënduar rëndë. Në vitin 2021 u ndërhy në Kodin Rrugor, duke rritur ndjeshëm nivelin e gjobave. Kjo ndërhyrje u servir si një mekanizëm për të disiplinuar drejtuesit e automjeteve, duke sjellë reduktim të numrit të aksidenteve rrugore, si rrjedhojë edhe më pak viktima në rrugë.  Institucionet premtuan se kjo masë do të shoqërohej edhe me përmirësim të infrastrukturës rrugore.

Dëshmitë e siguruara në mënyrë konfidenciale vënë në pikëpyetje efektshmërinë e kësaj politike dhe sugjerojnë se gjobat po përdoren si instrument për të mbushur arkën e shtetit, pa krijuar një kulturë sigurie në rrugët e vendit, që është edhe qëllimi parësor.

Punonjës të policisë rrugore thanë për “INA Media” se ka një urdhër verbal, që i detyron ata të vendosin një numër të caktuar gjobash.

Gjatë bisedave informale me efektivë të ndryshëm të Policisë Rrugore, në konfidencialitet, ata flasin për një numër “jo më të ulët se 30 gjoba që duhen vendosur në turn”.

Kodi Rrugor, i miratuar që në vitin 1998, është ndryshuar 13 herë deri më tani. Në vitin 2023 u fut për herë të parë masa e këshillimit, pa gjobë, por me pasqyrim në sistem, me qëllim edukimin e drejtuesve të automjeteve.

Të dhënat zyrtare dëshmojnë se ndërsa gjobat e Rrugores janë katërfishuar, këshillimi është harruar, ndërsa aksidentet kanë shënuar një rritje me 20%.

Sipas INSTAT-it (T2 2024), Shqipëria numëron rreth 914 mijë mjete të llojeve të ndryshme që qarkullojnë në rrugët e vendit. Nga këto, më shumë se 738 mijë janë autovetura, pjesa më e madhe e të cilave lëvizin në rrugët e Tiranës, duke u dyfishuar krahasuar me 10 vite më parë.

Kemi të bëjmë me një situatë ku ndëshkimi për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor del nga qëllimi kryesor i tij”, – këmbëngulin ekspertët.

28 milionë euro gjoba në një vit

Për periudhën 2020-2023, ndëshkimet për drejtuesit e automjeteve janë katërfishuar. Sipas të dhënave të siguruara nga “INA Media” përmes një kërkese për informacion në Policinë e Shtetit, këto gjoba janë vendosur vetëm nga Policia Rrugore për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me qëllim sensibilizimin për të reduktuar numrin e aksidenteve. Megjithatë, po sipas të dhënave zyrtare, numri i aksidenteve gjatë të njëjtës periudhë rezulton i njëjtë, madje është rritur gjatë vitit 2023.

Me rritje rezulton të jetë edhe numri i atyre që humbën jetën dhe i të dëmtuarve rëndë në aksidentet përgjatë të njëjtës periudhë.

Figura 1
Vlera e gjobave të vendosura për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor në periudhën 2020-2023. Burimi: Policia e Shtetit

Më konkretisht, sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Shtetit rezulton se vetëm efektivët e Policisë Rrugore vendosën 674 732 581 lekë (6.7 milionë euro) gjoba në vitin 2020 ndaj shoferëve që kryen shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Në vitin 2023, sipas të dhënave zyrtare, kjo shifër ka arritur në 2 687 208 554 lekë (~28 milionë euro), një rritje katër herë më shumë se në vitin 2020 (shih më lartë).

Numri më i madh i shkeljeve lidhet me parkimin e gabuar, ndërkohë që sasinë më të madhe të parave në arkën e shtetit e kanë gjeneruar gjobat për shkelje që kanë të bëjnë me shpejtësinë tej normave të lejuara, që konsiderohen më të rrezikshme.

Policia e Shtetit tha për “INA Media” se gjatë vitit të shkuar janë vendosur rreth 265 000 masa administrative për parkim/ndalim në vende të palejuara, ndërsa shpejtësia tej normave të lejuara ka numëruar më shumë se 219 000 gjoba me më shumë se 700 milionë lekë të ardhura në arkën e shtetit.

Ndërkohë, futja e radarëve automatikë ka rritur ndjeshëm numrin e gjobave për tejkalim të shpejtësisë së lejuar, duke rritur sasinë e gjobave në vlerë me më shumë se 6 herë krahasuar me vitin 2020.

Hyrja e Vlorës, për shkak të numrit të lartë të vizitorëve gjatë stinës së verës, është një ndër pikat e rëndësishme që monitorohet me radar dhe ka edhe numrin më të lartë të ndëshkimeve.

Zona të tjera të njohura për numrin e lartë të gjobave përmes radarit automatik është segmenti nga Liqeni i Thatë deri te rrethrrotullimi në dalje të Tiranës, në drejtim të Elbasanit; akset Durrës-Kavajë; Elbasan-Peqin apo “Uji i Ftohtë” Tepelenë – Gjirokastër.

Po ashtu, edhe segmenti rrethrrotullimi i Ardenicës-Fier në aksin Lushnje-Fier është një tjetër zonë që njihet për numrin e lartë të gjobave për shkelje të kapura nga radari automatik, krahas akseve të tjera si Elbasan-Librazhd, në dalje të Elbasanit apo ai Kakavijë-Gjirokastër, pranë fshatit Goranxi etj.

Shtimi i gjobave nuk ul numrin e aksidenteve 

Ashpërsimi i ndëshkimeve të parashikuara në Kodin Rrugor, duke sjellë katërfishim të vlerave të gjobave, nuk ka ndikuar në përmirësimin e sjelljes së drejtuesve të automjeteve në rrugë.

Ekspertët e sigurisë rrugore i shohin me dyshim ndërhyrjet në Kodin Rrugor, duke sugjeruar se raportimi i një numri të lartë të automjeteve bëhet për të fshehur dështimin në lidhje me uljen e numrit të aksidenteve.

“Penalitetet për shoferët u shtuan, por po shohim që aksidentet nuk po ulen, madje gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti janë rritur me 20%. Çdo vit ikin mijëra shqiptarë, por në listë futen makina që nuk qarkullojnë asnjëherë dhe kjo bëhet për të justifikuar numrin e aksidenteve që po rritet”, – thotë eksperti i sigurisë rrugore, Artur Sulçe.

Eksperti Sulçe tha për “INA Media” se është në dijeni të faktit se policët e Rrugores marrin urdhra për të vendosur gjoba.

“Penalitetet po i shtojmë, por edhe kjo ka një limit sepse nuk mund të shtosh gjobat sipas dëshirës. Efektivët e Policisë Rrugore e kanë të caktuar numrin e gjobave se sa duhet të vendosin çdo ditë”, – shprehet ai, duke shtuar se ka një qasje të Policisë Rrugore për të vendosur sa më tepër gjoba në shërbim të mbushjes së arkës së shtetit me të ardhura nga penalitetet ndaj përdoruesve të rrugës.

Panorama e paraqitur nga Sulçe pranohet edhe nga vetë efektivët e Policisë Rrugore.

“Mosarritja e normës prej 30 gjobash në turn përkthehet në kritika nga eprorët. Por nëse e plotëson apo tejkalon këtë normë nuk ka asnjë bonus”,- rrëfejnë efektivët e policisë.

Inxhinieri Artur Sulçe e lidh këtë “normë” të vendosur nga eprorët edhe me faktin se kur bëhet fjalë për aksidente të rënda, policët gjobisin të dy shoferët e përfshirë, pa pritur ekspertizën dhe shqyrtimin e çështjes për të nxjerrë fajtorin.

Inxhinier Artur Sulçe

Kjo bëhet për t’iu ardhur në ndihmë kompanive të sigurimeve, por edhe për të rritur numrin e gjobave ndaj shoferëve, pa pritur njëherë që të dalë fajtori”, – shprehet ai.

Sipas të dhënave të siguruara nga “INA Media” përmes një kërkese për informacion në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, aksidentet janë rritur me 10% në vitin 2023 krahasuar me vitin 2022, ndërkohë që numri i jetëve të humbura në këto aksidente është mesatarisht 190-200 në vit gjatë katër viteve të fundit, pa ndonjë trend të dukshëm në rënie.

Numri i aksidenteve rrugore gjatë periudhës 2020-2023. Burimi: Policia e Shtetit.

Referuar të dhënave zyrtare, në vitin 2019 pati 227 të vdekur nga aksidentet rrugore, një vit më pas, për shkak edhe të pandemisë, ku u aplikuan bllokime të lëvizjes për ditë të tëra, numri i personave që humbën jetën në aksidente zbriti në181, ndërkohë që një vit më pas u shënuan 197 viktima. Viti 2022 shënoi 164 viktima, kurse 2023-shi pati një bilanc më të rëndë me 192 viktima.

Numri i viktimave nga aksidentet rrugore gjatë periudhës 2019-2023. Burimi: Policia e Shtetit

Gjatë pesë viteve të fundit, në Shqipëri janë shënuar rreth 1000 viktima dhe mbi 1200 të dëmtuar rëndë për shkak të aksidenteve rrugore, ndërkohë që INSTAT pasqyron një rritje të numrit të aksidenteve dhe të të dëmtuarve gjatë gjysmës së parë të këtij viti.

Numri i personave të dëmtuar rëndë në aksidente rrugore gjatë periudhës 2019-2023. Burimi: Policia e Shtetit

Kodi Rrugor – shtrëngime, por edhe lehtësime për shoferët e këqij

Ndryshimet në Kodin Rrugor gjatë viteve të fundit kanë parashikuar shoqërimin e gjobave edhe me heqje të pikëve në patentë për shoferët që kryejnë shkelje të rënda, siç janë përdorimi i mjetit nën efektin e alkoolit, tejkalimi i shpejtësisë, përdorimi i celularit apo mosvendosja e rripit të sigurimit gjatë drejtimit të mjetit, si formë shtrëngimi ndaj shoferëve problematikë.

Të gjitha këto ndërhyrje kanë si qëllim ndërgjegjësimin e drejtuesve të automjeteve me qëllim uljen e numrit të aksidenteve.

Kreu i Policisë Rrugore të Tiranës, Besmir Qibini, tha për “INA Media” se më shumë se gjobat, aplikimi i heqjes së pikëve nga patenta ka ndikuar pozitivisht në drejtim të përmirësimit të sjelljes së shoferëve.

Me kalimin e kohës ata ndiejnë koston e këtij penaliteti, i cili është më afatgjatë sesa një ndëshkim në vlerë monetare”.

Kodi Rrugor aktualisht parashikon që penaliteti të përgjysmohet nëse paguhet brenda 15 ditëve nga dita e marrjes së tij.

Në kohën e diskutimit të ndryshimeve në Kodin Rrugor, një pjesë e mirë e ekspertëve reaguan kundër këtij lehtësimi për shoferët shkelës, pasi, sipas tyre, kjo do të minimizonte ndikimin e efektit të gjobës te drejtuesit e automjeteve.

Shifrat e aksidenteve rrugore, viktimave dhe të dëmtuarve në periudhën 2019-2023. Burimi: Policia e Shtetit

Sistemi bonus-malus i sigurimeve nuk shpërblen shoferët e rregullt

Më 19 shtator 2024, përmes vendimit nr.156 të Bordit, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare miratoi rregulloren për “Përcaktimin e faktorëve të rriskut që përfshihen në përllogaritjen e premtimeve për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”.

Në një reagim për “INA Media”, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tha se rregullorja e re është hartuar me qëllim tarifimin në bazë të rriskut që mbart çdo i siguruar, me fokus mbrojtjen e konsumatorit.

Me hyrjen në fuqi, parashikuar më 1 janar 2025, rregullorja pritet të sjellë një ndryshim pozitiv në tregun e sigurimeve, duke ofruar një sistem tarifimi më të drejtë dhe të bazuar në rrezik. Për përdoruesit e mjeteve motorike, kjo rregullore pritet të inkurajojë sjellje më të përgjegjshme dhe të kontribuojë në përmirësimin e sigurisë rrugore në Shqipëri”, – shpjegon AMF.

Rregullorja fokusohet kryesisht te kriteret për përcaktimin e primit për sigurimin e detyrueshëm të automjeteve, duke marrë si faktorë rrisku qarkun ku është regjistruar automjeti; moshën e drejtuesit të automjetit dhe kohën kur ka marrë lejen e drejtimit dhe, mbi të gjitha, historikun e sjelljes së shoferit në rrugë.

Koeficientët e rriskut për shoferët sipas numrit të aksidenteve në rregulloren e re të AMF-së. Burimi: AMF

Referuar kësaj rregulloreje, çdo shofer që bën të paktën një aksident në vit do të duhet të paguajë policën e sigurimit 25 për qind më shumë gjatë vitit të ardhshëm. Ndërkohë, çdo shofer që ka regjistruar dy ose më shumë dëme gjatë tre viteve të fundit do të duhet të paguajë një policë sigurimi 50 për qind më të shtrenjtë sesa primi fillestar.

Koeficientët e rriskut sipas fuqisë motorike të makinës për primet e TPL të parashikuara në rregulloren e re të AMF-së. Burimi: AMF

Kostoja rritet edhe më tepër nëse kemi të bëjmë me shoferë të rinj ose me automjete më të vjetra se 11 vite, që po ashtu kanë koeficientë më të lartë rrisku.

Ku qëndron pabarazia?

Logjika e sistemit bonos-malus është që të shpërblejë shoferët e rregullt dhe të ndëshkojë shoferët e parregullt, me qëllim bindjen e tyre përmes presionit financiar, duke i bërë rrugët më të sigurta. Ndërkohë, në rregulloren e AMF-së kemi të bëjmë kryesisht vetëm me ndëshkimin dhe jo me shpërblimin, pasi çdokush që nuk ka shkaktuar asnjë aksident shpërblehet me një ulje të çmimit fillestar të policës së sigurimit nga 2 deri në 5 për qind, ndërkohë që një shofer i keq paguan 25 deri në 50% më shumë.

Koeficientët e rriskut sipas moshës së shoferit në rregulloren e re të AMF-së për primet e TPL. Burimi: AMF

Nëse një policë sigurimi për një autoveturë sot kushton mesatarisht 17 000 lekë, një shofer që ka shkaktuar një aksident do ta paguajë minimumi 21 250 lekë, ndërkohë që ai që ka shkaktuar dy aksidente ose më shumë do ta paguajë 25 500 lekë.

Çfarë ndodh me shoferët e mirë?

Ndryshe nga shoferët e këqij që ndëshkohen rëndë, shoferët e mirë nuk shpërblehen në të njëjtën masë.

Koeficientët e rriskut sipas kohës së marrjes së patentës në rregulloren e re të AMF-së për primet e TPL. Burimi: AMF

Sipas rregullores së Agjencisë së Mbikëqyrjes Financiare, nëse çmimi mesatar i një police sigurimi për autoveturat është 17 000 lekë, një shofer që nuk ka shkaktuar asnjë aksident gjatë vitit nuk do të mund ta blejë më pak se 13 940 lekë edhe sikur t’i plotësojë të gjitha kushtet e rriskut të ulët.

Sipas koeficientëve të mësipërm, çmimi i një police sigurimi mund të rritet deri në 125 për qind, por ulet jo më shumë se 18 për qind kur kemi të bëjmë me një drejtues dhe një automjet që përbëjnë rrezik të ulët në qarkullim.

“INA Media” kërkoi një koment mbi rregulloren në fjalë nga disa kompani sigurimesh, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk pati asnjë reagim.

Pavarësisht se AMF thotë se do të aplikohet sistemi bonus-malus, në mënyrën se si janë caktuar faktorët e rriskut si edhe koeficientët për secilën kategori, duket se aplikohet vetëm gjysma e këtij sistemi: vetëm malus. Pra, ndëshkimi përmes çmimeve më të larta të policave të sigurimit të detyrueshëm të automjetit për shoferët e këqij, ndërkohë që stimulohen pak ose aspak shoferët e mirë.

Fadil Likaj, ekspert i sigurisë rrugore

Për Fadil Likaj, ekspert i sigurisë rrugore, zgjidhja nuk është e vështirë. Ai sugjeron se gjobat nuk mund të jenë i vetmi mekanizëm për të ulur numrin e aksidenteve, por duhet përmirësuar infrastruktura rrugore dhe menaxhimi i trafikut.

Pa përmirësime në infrastrukturë dhe pa monitorim efektiv të sjelljes së drejtuesve, vetëm shtimi i gjobave mund të mos ketë ndikimin e dëshiruar. Vendet që kanë sukses në këtë drejtim aplikojnë një kombinim të qasjeve: ashpërsimin e gjobave-përmirësimin e infrastrukturës-edukimin dhe monitorimin rigoroz të sjelljes së shoferëve”, – shprehet Likaj për “INA Media”.

Ashpërsimi i gjobave mund të kontribuojë në uljen e numrit të aksidenteve dhe në përmirësimin e sigurisë rrugore, por vetëm kur bëhet pjesë e një strategjie të integruar me masat e tjera parandaluese dhe edukative”, – përfundon ai.

Exit mobile version