Nga Trëndelina Gashi
Kush thotë se legjendat tona të lashta janë marrë nga popuj të tjerë, gënjen. Sidomos kur bëhet fjalë për legjendën e kështjellës së Rozafës, nënës së re që u flijua me murësim për ta mbajtur të fortë kështjellën, e njëherësh kërkoi të ishte pranë birit të saj të njomë për ta ushqyer.
Me një vështrim pak më kritik në legjendë gjen elemente që e bëjnë të pakëndshëm karakterin e personazheve. Janë dy vëllezër ndër tre që nuk mbajnë fjalën e dhënë (pra dy të tretat janë besëprerë e nuk mbështetesh dot në ta); janë dy vëllezërit më të mëdhenj që ia punojnë më të voglit (përvoja jetësore dhe mosha më e madhe nuk i ka bërë më njerëzorë e të dhembshur për më të riun dhe më të pavërvojin); janë dy kunata që nuk shfaqin asnjë dhembshuri gruaje dhe nëne për nënën më të re dhe që ka fëmijën më të vogël, ende në gji (me vetëdije lejojnë që kunata më e vogël të shkojë drejt vdekjes); që të mbahet themeli nevojitet flijimi i gruas-nënë, jo i bashkëshortit-burrë të saj (pra gruaja duhet të bëjë sakrificën më të madhe). Pra një legjendë e trishtueshme. Por ndoshta këto trishtime i japin më shumë madhështi: ngrehina në çdo rast ngrihet e fortë kur ka sakrifica dhe gjithmonë nga ajo pjesë njerëzish që ka ideal, jo poshtërsi. Me mëkatarët qartësisht nuk mund të krijosh asgjë.
Por pse themi kjo legjendë është veçse shqiptare. Me një vështrim të kohës së sotme sheh që legjenda vazhdon dhe po prodhohen Rozafat moderne. Cilat janë ato? Janë bashkëshortet e pushtetarëve apo politikanëve të vendosur nën hetim nga SPAK, ose më shqip bashkëshortet e “hallexhinjve”. Janë këto gra të cilat kanë mbetur të përballen me hallin që kanë burrat e tyre në SPAK, pra në njëfarë kuptimi po “flijohen” për hallet e korrupsionit dhe abuzimit për të cilat po hetohen bashkëshortët.
Pamë njërin “vëlla” politik, Ahmetajn, që ditën e lëshimit të urdhrit të ndalimit nga SPAK la vendin ku kishte qeverisur si zv.kryeministër (pa përmendur postet e tjera) dhe u arratis si një hallexhi nga Greqia, duke lënë (ish)bashkëshorten e tij që si Rozafa të përballej me veprimet e mëpasme hetimore.
Pamë një tjetër “vëlla” politik, Metën, që ka sunduar në këtë vend nga ‘90-ta në të gjitha postet e mundshme politike, që si hallexhiu më i madh të shante e ndante bashkëshorten e tij, njëherësh “motër” politike, përpara se t’i ngushtohej laku i SPAK-ut.
Pamë edhe “vëllain” më të fundit politik, Veliajn, që së bashku me vëllain e vet biologjik, në ditën e kontrollit të banesave e zyrave përkatëse, u gjendën si hallexhinj në shtetet e BE-së, duke lënë të përballet e vetme me oficerët hetimorë znj. Xoxa-Veliaj, nënën e re të një fëmije pakvjeçar.
Vëllezër politikë arrogantë dhe “sypatrembur” në karrigen e pushtetit e me paratë e buxhetit, por që në hallin që i ka zënë me SPAK lënë të përballen Rozafat e tyre.
Dhe ju bashkëshorte-Rozafa të këtyre vëllezërve politikë. Mos u flijoni për korrupsionin e burrave tuaj hallexhinj. Në këtë rast modeli juaj duhet të jetë një tjetër grua. Silluni si Allison Guerrerio, ish e dashura e oficerit të korruptuar të FBI-së, Charles McGonigal. Kështu lehtësoni mëkatin e të jetuarit me para korrupsioni dhe i shërbeni vendit. Është më dinjitoze të flijoni jetën me para korrupsioni dhe të mos shndërroheni në Rozafa që minoni kalatë e korrupsionit.