Remitancat shënojnë rënie

Remitancat në Kosovë, sipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, për gjashtë muajt e parë të këtij viti, kanë shënuar rënie krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Vlera e parave të dërguara nga qytetarët e Kosovës, të cilët jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës, sipas këtyre të dhënave ishte 329.6 milionë euro, që paraqet një rënie vjetore prej 2.7 për qind. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, remitancat ishin 338.9 milionë euro. Rënien e nivelit të remitancave, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu e quan shqetësuese, për faktin siç thotë ai, “këto para janë një burim i rëndësishëm i financimit të konsumit në Kosovë”. “Është një indikator që neve si Odë Ekonomike na ka shqetësuar, na ka shqetësuar nga vet fakti se ka qenë njëra ndër shtyllat kryesore që Kosova të arrijë një stabilitet social dhe një qëndrueshmëri. Kjo rënie e remitancave fillimisht ka të bëjë me faktin se ne si shtet nuk kemi treguar gatishmëri që t’i motivojmë edhe diasporën për të ndihmuar më tepër. E dyta është si pasojë e krizës financiare dhe globale ekonomike, e cila ka koston e vet”, thekson Gërxhaliu. Në Ministrinë e Diasporës, rënien vjetore prej 2.7 për qind të remitancave nuk e konsiderojnë të lartë, megjithatë ata besojnë që janë disa faktorë që kanë ndikuar në këtë rënie. Këshilltari i lartë politik në Ministrinë e Diasporës, Kushtrim Sheremeti, thotë se rënia e remitancave mund të ndërlidhet edhe me gjendjen jo të qendrueshme, të cilën e ka kaluar Kosova gjatë periudhës së fundit. “Po besoj që janë disa faktorë, një prej tyre është edhe situata politike, e cila ka mbretëruar në vendin tonë gjatë këtij viti. Mos të harrojmë që gjendja politike që është në atdhe ndikon shumë më shumë në disponimin e bashkatdhetarëve tanë sesa tek ne që jetojmë në Kosovë. Megjithatë, krahasuar me problemet që kemi pasur, shuma e mjeteve të dërguara është e kënaqshme dhe kjo si rezultat i punës që po bëhet për diasporën”, thekson Sheremeti. Në analizat ku përfshihen edhe trendet e remitancave që bën Banka Qendrore e Kosovës, ishte thënë se në një periudhë afatmesme apo afatgjatë, mund të pritet që dërgesat e emigrantëve edhe mund të fillojnë të bien gradualisht për shkak të krijimit të gjeneratave të reja në diasporë dhe dobësimit të lidhjes ndërmjet diasporës dhe Kosovës. Që diaspora të jetë më prezente në Kosovë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë se këta qytetarë të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të botës duhet të motivohen. “Që të rritet interesi i diasporës për të mbështetur Kosovën në forma të ndryshme duhet më tepër transparencë, duhet më tepër dialog dhe duhet më tepër konkretizim i ofertës dhe i mundësive që duhet t’i ofrohemi përballë diasporës”, thotë Gërxhaliu. Ministria e Diasporës, ndërkohë, sipas këshilltarit të lartë politik të Ministrisë së Diasporës, Kushtrim Sheremeti, është duke përgatitur programe të veçanta për kanalizimin e remitancave në zhvillim ekonomik, kryesisht programe këto të cilat do të koncentrohen në bujqësi dhe teknologji informative.

Exit mobile version