Propozimi për të kaluar Apelin Tatimor nga Drejtoria e Tatimeve në varësi të Ministrisë së Financave ka shkaktuar debate në Komisionin e Ekonomisë. Kundërshtime nuk ka patur vetëm opozita, por edhe ish-kreu socialist i Financave, Shkëlqim Cani. Pas debateve, ministri Arben Ahmetaj premtoi ndryshime në nenin 6 të këtij ligji. Ministria e Financave kërkon që Apeli Administrativ Tatimor të kalojë nga Drejtoria e Tatimeve në varësi të kësaj ministrie. Diskutimi i nenit 6 të ligjit për procedurat tatimore, që parashikon ndryshimin e varësisë së kësaj strukture ka shkaktuar debate në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave. Veç opozitës kundërshtime ka shprehur edhe ish-ministri socialist i Financave, Shkëlqim Cani. Cani: “Janë probleme shumë teknike që do ta bëjnë një bord ad-hoc me 9 vetë është një problem më vete. Kur do ta studiojnë dosjen, çfarë do të bëjnë për dosjen? Kjo është çështja e parë që kuptohet të gjithë e dimë që është ky problem”. Ndërkohë ish-ministri demokrat i Financave, Ridvan Bode, tha se kalimi i kësaj strukture nën varësi të Ministrisë së Financave vë në pikëpyetje pavarësinë. Bode: “Është gjykata organ i pavarur, ne duam që administrata brenda përbrenda vendimin përfundimtar ta japë në përputhje me ligjin dhe të pavarur nga presioni i një drejtori apo inspektori”. Përballë kundërshtive, kreu i Financave, Arben Ahmetaj pranoi shqetësimet dhe premtoi ndryshime në nenin 6 të këtij ligji. Ahmetaj: “Unë po sjell në seancën e dytë, me lejen tuaj, një reflektim të shqetësimit në këtë nen”. Deputeti i Partisë Demokratike dhe ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, kërkoi që të shihej nëse ky organ është në përputhje me legjislacionin. Ahmetaj replikoi duke pohuar se “në këndvështrimin tim është hallkë ligjore”. Shkëlqim Cani, ish-ministri i Financave nga viti 2013 deri në shkurt 2016, që më pas u zëvendësua nga Ahmetaj, tha se ky është një problem i madh. “Çështjet në apel janë shumë teknike dhe kalimi nga apeluesit tek bordi është shumë problem, mendoni për çështjet si puna e Bankersit”. Sipas Canit, bordi nuk do të ketë njohuritë e duhura për të marrë vendime mbi çështje teknike. Rezerva për krijimin e bordit kanë pasur dhe deputetët e tjerë. Bode sugjeroi që të merret e njëjta njësi e apelimit dhe të kalohet në varësinë e Ministrisë së Financave. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, ka kërkuar të dijë se si do të krijohet ky bord. Ahmetaj tha se deri më sot është emëruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, bordi do të krijohet me VKM. Ai nuk i dha përgjigje pyetjes së kryetarit se kush do t’i propozojë anëtarët e bordit. Më herët në Komision u diskutua dhe në lidhje me nenin 1, që rregullon lejen që do të marrë nga Bashkia për shfrytëzimin e ambientit publik, pasi Bashkia nuk ka kuadër ligjor për të rregulluar një gjë të tillë. Deputetët e PD-së kanë theksuar se nuk ka arsye që ky nen të futet në Kodin e Procedurave Tatimore, pasi ambulanti nuk është target i fiskales. Deputeti Florion Mima tha se ka tri grupe ambulantësh, ata që shesin në tregje, ata që shesin qosheve dhe fshatarët që shesin në rrugët nacionale. Ai pyeti se cilët grupe synon të rregullojë ky nen. Ahmetaj sqaroi se synimi i ligjit është të rregullojë grupin e parë, që tregton në tregje të organizuara. Deputetët e miratuan këtë nen, me të drejtën për t’u riformuluar, me synim përcaktimin e saktë të kategorisë që do të rregullohej. Ndryshimi sipas Ministrisë së Financave vjen pasi janë inspektorët e emëruar nga vetë Drejtoria e Tatimeve që duhet të shqyrtojnë vendimet e marra nga e njëjta administratë. Rreth 12 mijë biznese në vit ankimojnë gjobat e tatimorëve, ndërkohë që vetëm 4% e tyre merreshin parasysh.