Nga Elira Kadriu/ citizens.al
Ndërhyrjet restauruese në disa prej godinave të ish-burgut famëkeq të Spaçit kanë ndezur debat në rrjetet sociale dhe më gjerë, duke ngritur pyetje thelbësore mbi ruajtjen e kujtesës dhe autenticitetit të vendit simbol të vuajtjes gjatë diktaturës së Enver Hoxhës.
Restaurimi, i cili nga autoritetet konsiderohet i pjesshëm, po bëhet për të ndihmuar në realizimin e një filmi kushtuar së shkuarës së ish-kampit. Kjo ka ngjallur edhe më tepër reagime.
Shqetësimi u nda fillimisht nga arkitekti Arnen Sula, i cili botoi në rrjetet sociale fotografitë ku binte në sy një fasadë e suvatuar në të bardhë e godinës që dikur shërbente për pritjen e vizitorëve. Ai i konsideroi ndërhyrjet “të pakontrolluara” dhe që “zhdukin memorien historike”.
“Spaçi nuk është skenë filmi për të sajuar imazhe estetike, ai është vend dëshmie, vend dhimbjeje dhe vend kujtese, është i të gjithëve,” theksoi Sula, autor i ekspozitës “E kaluara, e tashme” (2024) me 49 portretet e ish-të burgosurve politikë.
Pas tij, reagimet ishin të forta me në thelb shqetësimin se godina, dikur e degraduar, po merrte një pamje të transformuar. Sipas kritikëve kjo rrezikon të deformojë kuptimin e saj historik.
Filmi të cilit i vijnë në ndihmë punimet, është i regjisorit Namik Ajazi dhe shkrimtarit Visar Zhiti – të dy ish-të përndjekur dhe të dënuar politikë gjatë diktaturës. Ajazi në Qafë Bari, Zhiti në Spaç.

Ajazi tha për Citizens.al se nuk është e vërtetë se ndërhyrjet po “manipulojnë historinë, përkundrazi”. Sipas regjisorit, ndërhyrjet po realizohen me supervizim teknik të Institutit të Monumenteve të Kulturës (IMK), si dhe me pjesëmarrjen e skenografëve, arkitektëve dhe ekspertëve të huaj.
“Po luhet me faktin se ‘A u bë llaçi i bardhë, apo u bë i zi’,” theksoi Ajazi i revoltuar teksa ndau fotografi të mëvonshme të së njëjtës godinë. Sipas tij pas përfundimit të suvatimit dhe lyerjes është vijuar me “vjetërzimin e suvasë” pasi projekti i tij filmik synon të nxjerrë sa më mirë kontekstin historik.
Spaçi u hap në vitin 1968 si kamp i punës së detyruar për mbi 1 mijë të burgosur të cilët u angazhuan në minierën e bakrit dhe piritit. Në fillim të viteve 90-të kampi iu kalua plotësisht minierës dhe më pas u braktis dhe vandalizua. Kërkesat për ta kthyer në muze vijuan ndër vite.
Zona, e përbërë nga rreth 7 godina, mori statusin e “Monumentit të Kulturës, Kategoria II” vetëm në vitin 2007. Në vitin 2010 dhe – më vonë – në vitin 2023 u paraqitën projekte konkrete. Projekti i fundit duket të ketë marrë mbështetje për t’u konkretizuar, pas vendimit të qeverisë për t’ia besuar menaxhimin Organizatës “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (CHwB Albania).
Ajazi tregoi për Citizens.al se pas vendimit të vitit 2023, grupi i tij i punës zhvilloi një takim me Kryeministrin Rama, të cilit i kërkoi ndihmë për të materializuar idenë e filmit.
“I thamë kryeministrit, ju bëni muzeun, një projekt madhor i cili kërkon kohë, ne bëjmë filmin,” tha Ajazi duke nënvizuar se qëllimi i tij është i njëjtë, ruajtja e trashëgimisë historike të ish-burgut të Spaçit.
Sipas regjisorit ndërhyrjet që po bëhen aktualisht janë të pjesshme dhe të orientuara drejt rikrijimit të realitetit të asaj periudhe, e cila do ta ndihmojë ekipin e tij gjatë xhirimeve. Ai këmbënguli se nuk ka aspak rrezik për të dëmtuar sitin.
Më poshtë pamje të gjendjes së mëparshme të godinës në ish-burgun e Spaçit:
Çfarë parashikon projekti?
Projekti i (IKTKT-së) me vlerë rreth 100 mijë euro, parashikon meremetime në të paktën 8 hapësira: vendroja, komanda, dhoma e takimeve, infermieria, kuzhina/mensa, fjetorja, vendi i apelit dhe tualetet.
Në relacionin teknik grupi i projektit, drejtuar nga arkitektët Genci Tufi e Klejdia Kore dhe inxhinieri Sokol Ismaili, e konsideron ndërhyrjen e nevojshme për ta bërë zonën “të vizitueshme dhe të sigurt për vizitorët”.
Ndërhyrjet cilësohen të pjesshme dhe përshkruhen kryesisht si plotësime muresh, riparime shkallësh, vendosje parmakësh, dyersh dhe dritaresh.
Paralelisht është planifikuar ngritja e një kulle vrojtimi, vendosja e një porte hekuri në hyrje dhe rrethimi me tela me gjemba i disa hapësirave, si për shembull oborri i brendshëm, apo vendi ku bëhej apeli.
Ndërhyrja më kryesore konsiderohet rindërtimi i tualeteve dhe krijimi sipër tyre i vendit të ajrosjes së të burgosurve zonë kjo e rrënuar për shkak të vandalizimit dhe degradimit ndër vite.
Ndërtesës “Nr.3” njohur si “Komanda” parashikohet t’i plotësohen muret me tulla, t’i riparohen dhe plotësohen parmakët dhe t’i suvatohet ballkoni i katit të dytë.
Ndërtesës “Nr.3A” njohur si vendroja parashikohet t’i rregullohet skarpata e sipërme dhe e poshtme, t’i vendosen parmakë, t’i rregullohen shkallët dhe muret.
Ndërtesës “Nr.3A” njohur si “Dhoma e takimeve” parashikohet t’i plotësohen muret me tulla, t’i vendosen dritaret dhe dera e drurit, të suvatohet dhe lyhet me bojë hidromat.
Ndërtesave Nr.4 dhe Nr.5 njohur si “Infermieria, Kuzhina dhe Mensa” parashikohet t’u meremetohen muret, parmakët, t’u vendoset një derë dhe një dritare druri si dhe t’u rregullohen shkallët.
Ndërtesës Nr.6 njohur si “Fjetorja” parashikohet t’i vendoset parmak shkallëve të katit të parë dhe ballkonit të katit të dytë.
Kritika dhe shqetësime për punimet
Arkitektë dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë shprehur publikisht qëndrimin kundër mënyrës se si po veprohet në Spaç.
Kreshnik Merxhani, arkitekt, tha për Citizens se ndërhyrjet janë të papranueshme për një monument kulture.
“Aty ke një strukturë ekzistuese dhe ty të lejohet vetëm ta konservosh. Nuk ke të drejtë ta suvatosh, arnat lëri siç janë,” tha Merxhani duke theksuar se vetëm ekspertët mund t’i argumentojnë dhe mbrojnë ndërhyrjet e tilla.
Organizata të shoqërisë civile, përfshirë Bashkinë e Mirditës, fondacionin “Kujto.al”, “Qëndresën Qytetare”, shoqatën e të Përndjekurve Politikë Shkodër dhe figura të njohura publike si publicisti Fatos Lubonja (njëherësh ish-i përndjekur), kanë nënshkruar një letër të hapur drejtuar Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Institutit të Trashëgimisë Kulturore.
Në letër kërkohet ndalimi i menjëhershëm i punimeve, derisa të zhvillohet një verifikim transparent dhe profesional.
“Ndërtimi i mureve të reja dhe mbulimi i fasadave me suva moderne dëmton seriozisht integritetin historik dhe përvojën e kujtesës,” thuhet në letër, duke paralajmëruar rrezikun që Spaçi të shndërrohet në një “skenografi artificiale”.
Migen Qiraxhi, përfaqësues i një prej organizatave nënshkruese dhe autor i ekspozitës “Anatomia e Burgut të Spaçit”, tha për Citizens.al se “kjo duket si ndërhyrje make-up-i”.
“Ai është vend vuajtjeje dhe nuk ka kuptim të bëhen ndërhyrje estetike, ku duket se lumturisht mund të jetoje. Duhet kthyer në nivelin që ka qenë, jo t’i ndërtohet realitet i ri.”
Tabela e Institutit të Monumenteve, jashtë objektit shënon se punimet do të zgjasin 8 javë dhe financohen nga Instituti. Nuk është e qartë nëse këto punime janë konform “Planit të Menaxhimit të ish-burgut të Spaçit” të miratuar me propozim nga CHwB Albania në gusht 2024.