Revolucion te Inter

Pas një tjetër sezoni të çuar dëm, zikaltrit do të bëjnë për të disatën herë revolucion në ekip. Auzilio po fillon të planifikojë që tani se cilët do të jenë objektivat për merkaton e verës, edhe pse i duhet të presë, pasi, pa u caktuar akoma trajneri i ri, nuk mund të bëjë asnjë blerje. Lojtarët që pritet të shiten janë katër: Jovetiç duket se ka bindur Sevijën që ta shfrytëzojë kushtin e blerjes prej 13.5 milionë eurosh. Nga ana tjetër, Andrea Ranokia po mahnit me paraqitjet e tij në Angli dhe që tani po kërkohet nga shumë ekipe angleze. Dy largimet e tjera pritet të jenë Brozoviç dhe Banega, të cilët kanë zhgënjyer këtë sezon.
Inter do të tentojë goditjen e madhe në merkaton e verës. Bëhet fjalë për mesfushorin e Romës, Radja Nainggolan, i cili duket jashtë planeve të drejtorit sportiv Monchi. Në Milano janë të bindur të investojnë te mesfushori 29-vjeçar dhe paratë nuk mungojnë në arkën e klubit që gjatë merkatos së verës do të bëjë një revolucion në skuadër, me apo pa trajnerin Pioli në stol. Lajmin e bën të ditur “Corriere dello Sport” që thekson se belgu konsiderohet njeriu i duhur për t’i lënë në dorë çelësat e mesfushës edhe pse do të jetë shumë e vështirë që të shkëputet nga Roma nëse pronarët kinezë nuk prezantohen me një ofertë joshëse në Trigoria. Në këtë mënyrë, drejtori sportiv Ausilio e ka hequr këmbën nga gazi në lidhje me disa pista të tjera pasi e ka përqendruar pjesën më të madhe të arsenalit pikërisht në bisedimet për afrimin e Nainggolan.
Aktualisht, mesfushori është në pritje për të mësuar projektin e Romës së re po gjasat janë të pakta që ai të vazhdojë të ndjekë rrugën aktuale. Një tjetër pistë për të ardhmen e tij është edhe Manchester United. Jose Mourinho po e ndjek prej kohësh dhe portugezi beson se bashkë me Pogba ata mund të bëhen dy nga mesfushorët më të mirë të botës për të kompletuar kështu repartin më delikat të skuadrës së tij. “Djajtë e Kuq” po studiojnë terrenin dhe nuk kanë hyrë ende në lojë, prandaj Interi po ecën me hapa gjigantë për të djegur konkurrencën e anglezëve, interesimi i të cilëve mund ta rrisë ndjeshëm vlerën e kartonit të lojtarit.
Zikaltërit po planifikojnë transferimin e tri emrave të rëndësishëm për të përforcuar skuadrën në sezonin e ardhshëm. Radja Nainggolan, Arda Turan dhe Fabinho, këta janë futbollistët që janë vendosur në qendër të vëmendjes, me të cilët kanë nisur dhe kontaktet e para. Pavarësisht se presidenca zikaltër ende nuk ka vendosur se sa do të jetë vlera e buxhetit që do të vihet në dispozicion për merkaton, nisur nga objektivat pritet të jetë e madhe. Mesfushori i Romës Nainggolan është një nga dëshirat. Për belgun pritet një garë e ashpër pasi në ndjekje të tij janë edhe disa skuadra nga Premier League.
Alternativë tjetër për repartin e mesfushës është edhe Fabinho i Monacos. Ende nuk ka asgjë konkrete mes palëve, pasi janë ende në fazën e bisedimeve, por nëse arrihet marrëveshja për të dy këta futbollistë, atëherë Interi do të largojë nga radhët e skuadrës treshen, Kondogbia, Banega dhe Brozoviç. Arda Turan nuk po arrin dot të përshtatet me futbollin e Barcelonës, ndoshta për turkun ky është sezoni i tij i fundit me fanellën blaugrana. Vlera e kartonit të tij është 20 milionë euro, shifër e vogël kjo duke patur parasysh aftësitë që ka futbollisti. Transferimi i Turan në Milano duket një nga më të realizueshmit. Emrat nuk mungojnë, bashkë me ta edhe financat për t’i transferuar. Interi i së ardhmes është duke marrë formë.

Exit mobile version