Messi drejt rinovimit, ikën Neymar?

Lionel Messi dhe Barcelona kanë bërë një hap të madh drejt rinovimit të kontratës që skadon në qershorin e vitit 2018. Gjatë ditëve të fundit, presidenti Josep Maria Bartomeu dhe i ati e agjenti i lojtarit, Jorge Messi janë takuar për të diskutuar disa detaje të rëndësishme të marrëveshjes së re që pritet të firmoset pas disa javësh. Sipas të përditshmes “Marca”, palët janë afruar shumë në qëndrime pas ngërçit të muajve të fundit, duke lënë të kuptohet se rinovimi nuk është një çështje që vihet në diskutim dhe gjithçka është futur në rrugën e duhur.
Gjithsesi, nuk mund të flitet për një marrëveshje, po bazat për bashkëpunimin janë hedhur dhe Jorge Messi është gati të ulet sërish në tryezë me drejtuesit e klubit për të diskutuar edhe detajet e fundit. Takimi mes palëve u zhvillua pak ditë më parë, por bisedimet do të vazhdojnë në distancë pasi i ati i sulmuesit është kthyer në Argjentinë ku jeton me familjen e tij. Është pikërisht rinovimi i Messit që do të zgjidhë shumë nyje në kampin katalanas, pasi një gjë e tillë mund ta shtyjë Neymar të vendosë largimin përfundimtar.
Braziliani kërkon një rol lideri, por me numrin 10 në skuadër kjo gjë është e pamundur, prandaj ish-talenti i Santosit po vlerëson me seriozitet një ofertë të ardhur javët e fundit nga Paris Saint Germain. Klubi francez është gati të paguajë klauzolën prej 200 milionë eurosh për brazilianin dhe në këtë rast Barcelona do të pranonte sa hap e mbyll sytë për të mbushur gropat financiare të krijuara në vitet e fundit për shkak të disa blerjeve të dështuara, por edhe për shkak të pagave stratosferike që përfitojnë lojtarët e skuadrës katalanase.

Exit mobile version