Maria Repnikova, Kecheng Fang
Media kineze është në një mjedis tepër armiqësor për gazetarët. Raportet e kohëve të fundit dokumentojnë mënyrën se si shteti kinez është duke shtrydhur ngadalë reporterët e huaj, si po ndalon gazetat dhe televizionet liberale të Hong Kongut nga kontinenti i Kinës dhe si është duke i shndërruar gazetarët kinezë në shërbëtorë të partisë politike.
Kjo është padyshim një pamje e zymtë, megjithatë nuk merr në konsideratë dinamizmin e medias kineze. Pavarësisht kufizimeve politike, një valë e re sipërmarrjeje mediatike është duke lulëzuar, mbijetuar dhe transformuar në Kinë. Këto iniciativa sipërmarrëse variojnë nga agjencitë e lajmeve deri tek produktet mediatike. Disa sanksionohen dhe krijohen nga shteti, të tjera krijohen nga grupe profesionistësh mediatikë, por ka edhe iniciativa individuale nëpër rrjetet sociale.
Duket se nuk ka shumë vend për rinovim kur bëhet fjalë me median në pronësi të shtetit, megjithatë, përpjekjet e fundit të partisë dhe shtetit kinez për të tërhequr një grup më të rinj ndjekësish, duke afruar dhe financuar autlete të reja dixhitale të lajmeve në të gjithë vendin kanë demonstruar kohët e fundit një nivel të ri sipërmarrjeje. Modeli i këtij transformimi është “Pengpai” me qendër në Shangai, një fjalë që do të thotë “shtysë” dhe në anglisht njihet me emrin “The Paper” (gazeta).
Bëhet fjalë për një platformë të re moderne lajmesh online, e cila është financuar në vitin 2014 “Shanghai United Media Group” në pronësi të shtetit me një financim fillestar prej 40-60 milionë dollarësh. Drejtuesi ekzekutiv dhe themeluesi, Qiu Bing, ka punuar në gazeta të tjera të publikuara nga “Shanghai United Media Group” që prej vitit 1990 dhe më parë ka qenë kryeredaktor i gazetës “Orient Morning Post”. Nuk është ende e qartë se sa financim merr “The Paper” nga qeveria (disa njerëz thonë se bëhet fjalë për 80 për qind të financimit total), por buxheti është mjaftueshëm i madh sa për të mbajtur një staf prej 300 punonjësish dhe për të prodhuar një cilësi mediatike që tërheq mbi 20 milionë shikime në ditë. Shumica e lexuesve janë të rinj, të shkolluar, kritikë të sistemit tradicional dhe gazeta në pronësi të shtetit si “Xinhua” apo “Global Times”.
Mediat në pronësi të shtetit në Kinë operojnë tri nivele të ndryshme: qendrore, provinciale dhe brenda qytetit. “Pengpai” operon në nivel provincial dhe përfiton financime nga komiteti i partisë së Shangait dhe pushteti lokal. Për sa i përket modelit financiar, “Pengpai” nuk ndryshon nga gazeta “Xinhua”. Ajo që i dallon të dyja është që e para operon vetëm në versionin online dhe pavarësisht se i përngjan më shumë mediave komerciale për nga përmbajtja dhe forma, është përsëri në pronësi të shtetit.
Kjo i jep “Pengpai”-t një avantazh konkurrues kundrejt mediave tradicionale të partisë për shkak se tërheq lexues nga mediat private, si edhe avantazh mbi mediat komerciale dhe platformave të tjera online për shkak se është e vetmja platformë mediatike online, të cilës i është dhënë licenca për të kryer raportim të pavarur.
Edhe pse “Pengpai” bën disa raportime propagandistike, kryesisht është e përqendruar në gazetarinë investigative në themel, gjë që gjatë viteve të fundit e ka kthyer atë në një burim të besueshëm, sipas dijetarëve kinezë, zyrtarëve dhe profesionistëve të intervistuar gjatë verës së këtij viti në Pekin, Shangai dhe Nanjing. Në mars të vitit 2016, për shembull, “Pengpai” publikoi një histori ekskluzive mbi skandalin kombëtar të vaksinave që ekspozonte dështimin ligjor që i jepte mundësi disa mjekëve dhe trafikantëve që të shpërndanin në mënyrë të jashtëligjshme vaksina të patestuara me vlerë mbi 88 milionë dollarë. (Fatkeqësisht, nuk ka asnjë burim të besueshëm për të mësuar se sa fëmijë janë dëmtuar nga vaksinat për shkak se shifrat janë gjithmonë një çështje delikate në Kinë).
Raportimi investigativ i “Pengpai”-t ka tërhequr vëmendje mbarëkombëtare dhe ka shkaktuar pakënaqësi dhe mosbesim popullor kundër sistemit shëndetësor. Më pas, Kryeministri Li Keqiang urdhëroi ministritë qendrore dhe agjencitë që të hetonin skandalin, por departamenti qendror i propagandës lëshoi një urdhër për të bllokuar ribotimin e artikullit të “Pengpai”-t nga mediat e tjera. Kjo nuk ishte as hera e parë dhe e as e fundit që raportimet e “Pengpai”-t censurohen. Një tjetër investigim gazetaresk për dëmet ambientale që shkaktonte penda, u fshi menjëherë pas publikimit të tij. Megjithatë, këto janë shembuj se si edhe mediat në pronësi të shtetit kanë nisur të praktikojnë gazetarinë investigative dhe të nxjerrin në pah skandalet shtetërore.
Si një eksperiment i financuar nga shteti për të fituar zemrat dhe mendjet e lexuesve online, “Pengpai” tani po ecën mbi një fije tepër të hollë: nga një anë duhet të vetëcensurohet për shkak se ndodhet në pronësi të shtetit, por nga ana tjetër duhet t’i përgjigjet edhe forcave të tregut dhe të prodhojë raportime konkurruese që duhet të jenë kritike dhe profesionale, duke qenë se partia kërkon ta përhapë influencën e saj. Ky akt balancimi nuk është një fenomen i hasur vetëm nga “Pengpai”. Të gjitha mediat kineze të njohura për raportim kritik, përfshirë edhe ato më të komercializuara si “Caixin” dhe “Southern Weekly”, kanë qenë subjekt të improvizimit krijues brenda një zone gri të raportimit të lejueshëm, një fenomen i karakterizuar nga vetëcensurimi për hir të ruajtjes së mundësisë për t’i shtyrë kufijtë politikë në periudhën afatgjatë.
Vetëcensurimi nuk është diçka e re sepse në Kinë nuk ka asnjë media tërësisht të pavarur. Edhe “Caixin” është pjesërisht në pronësi të shtetit, pavarësisht se është mjaft e komercializuar. (Shteti ka të paktën 51 për qind të aksioneve në të gjitha mediat kineze.) Edhe pse është e lehtë ta etiketosh “Pengpai”-n si një mjet për të promovuar bindje politike, raportimi i tij mund të themi që është gjysmë politik, pra nuk armiqësohet me regjimin, por zgjeron aktivisht kufijtë e diskursit politik duke ofruar këndvështrime alternative, duke vënë përgjegjësinë tek zyrtarët dhe kompanitë përkatëse dhe duke kanalizuar shqetësimet shoqërore.
Në fakt, edhe vetë partia e inkurajon “Pengpai”-n që të adaptohet me lexueshmërinë gjithnjë e më shumë të sofistikuar, duke qenë se partia kërkon të ruajë me çdo kusht influencën në opinionin publik. Regjimi ka nisur të mirëpresë raportimet investigative për aq kohë sa mund të sigurohet që politikat qendrore, së bashku me lidershipin dhe sistemin, të paraqiten nën një dritë neutrale, në mos pozitive. “Pengpai” eviton edhe publikimin e historive negative për partinë e Shangait dhe zyrtarëve shtetërorë, por e investon kohën në zbulimin e aferave korruptive që ndodhin në qytete dhe provinca të tjera.
Edhe pse është e pamundur të vlerësosh me saktësi nëse përmbajtja e “Pengpai”-t kalon nëpër ndonjë provë aprovimi paraprak nga zyrtarët, një nga studimet e mëparshme mbi censurën sugjeron se mbikëqyrja që i bëhet “Pengpai”-t nuk ndryshon shumë nga ajo e mediave të tjera të komercializuara. Kjo ndodh për shkak se mbikëqyrja shpesh përfshin direktiva që i japin të gjitha mediave. Këto direktiva që specifikojnë se cilat tema nuk mund të mbulohen, nuk janë gjithmonë në sintoni me eventet aktuale, duke i dhënë gazetarëve pak hapësirë në dispozicion për të marrë përsipër raportime që e shtyjnë disi kufirin brenda të lejueshmes.
Në thelb, motivimi i shtetit dhe partisë për të financuar këto media është parë si një mjet i ri për të udhëhequr opinionin publik online. Edhe pse “Pengpai” punon në Shangai, mund të përhapet edhe në rajone dhe qytete të tjera dhe në fakt është duke u studiuar dhe adaptuar nga disa qytete të tjera. Raportimi i “Pengpai”-t ndihmon edhe fushatën antikorrupsion të Presidentit Xi Jinping. Autleti i ka dhënë një pjesë të hapësirës mbulimit të lajmeve për zyrtarët e lartë që janë duke u hetuar nga partia.
Thënë kjo, një numër gazetarësh dhe redaktorësh të “Pengpai”-t, përshirë edhe CEO-n, Qiu Bing, kohët e fundit kanë dhënë dorëheqjen për të hapur platformën e tyre mediatike – një kompani online videosh e quajtur “Pear video”. Edhe pse arsyet e largimit janë të paqarta, Qiu dhe kolegët e tij i mohuan thashethemet se ishin larguar për shkak të presionit politik. Në fakt, ish-ekipi i “Pengpai”-t shprehu ambicien e tij për të zotëruar aksione në kompaninë e tyre të re, e cila financohet nga “China Media Capital”, një firmë me kapital publik. Platforma e re pritet ta nisë aktivitetin gjatë vjeshtës dhe do të përfshijë gazetari investigative për çështje të ndryshme, që nga degradimi mjedisor deri tek dënimi kapital dhe korrupsioni.
Përveç këtyre iniciativave shtetërore dhe private, në Kinë ekziston edhe një fenomen i ri i “mediave individuale”. Njëlloj si të famshmit e YouTube në Perëndim, personalitetet në Kinë përdorin platformat e rrjeteve sociale si Miaopai dhe WeChat për të publikuar raportimet e tyre. Edhe pse shumica e përmbajtjes ka të bëjë me argëtimin, shpesh kalojnë edhe pjesë politike që në kushte të tjera nuk do të mund të raportoheshin në mediat tradicionale. Për shembull, zërat feministë shumë rrallë përfaqësohen dhe dëgjohen në gazetat kryesore. “The Papi Show”, krijuar nga Papi Jiang nisi si një filmim i improvizuar me telefon. Filmimet e saj shumë shpejt u përhapën në mënyrë të jashtëzakonshme dhe sot kanë mbi 44 milionë ndjekës.
Edhe pse në këto filmime nuk flitet drejtpërdrejt për politikën, ajo prek çështje që lidhen me themelet morale të Partisë Komuniste kineze duke diskutuar normat gjinore të imponuara dhe kufizimet sociale në Kinën bashkëkohore. Për shembull, ajo flet me tallje për seksizmin dhe diskriminimin gjinor duke theksuar kontradikta të forta. “Nëse një grua do të vishet bukur, njerëzit thonë kë po përpiqet të joshë me pamje. Por nëse nuk i pëlqen të vishet thonë: si ka mundësi që nuk kujdeset fare për veten? Çfarë femre është?”.
Ka edhe shumë media individuale që merren vetëm me përkthimin aktiv të mediave perëndimore nga anglishtja në gjuhën kineze, ku përshihen emisione debatesh, debate presidenciale, raportimet e korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë e shumë media të huaja. Nëpërmjet këtij aktiviteti, ata përpiqen ta ballafaqojnë publikun e ri kinez me kulturën demokratike politike.
Disa gazetarë e përdorin “median individuale” për të ofruar një formë kritike dhe opinioni, i cili është i ndaluar në mediat tradicionale. Ata përdorin shpesh platformën WEChat për të shkruar histori të shkurtra për një rreth të ngushtë miqsh, madje disa prej tyre gjejnë mënyra për të shprehur opinione tepër kritike dhe të ndaluara. Për shembull, blogeri Wang Wusi ka arritur deri tani të hapë një duzinë profilesh në WeChat – njëri pas tjetrit – për të shmangur censurën e komenteve kritike, edhe pse secili nga profilet e tij ka arritur të mbijetojë vetëm për pak ditë ose javë përpara e të mbyllet nga qeveria.
Në një artikull të publikuar në WeChat përpara paradës ushtarake të vitit 2015 në Pekin, Wang argumentoi se: “Festimet e detyruara mbarëkombëtare janë sëmundje. Nëse nuk gëzojnë të drejtën për të injoruar paradën, atëherë ata ushtarë nuk mund të na mbrojnë”. Ai kritikon ashpër edhe blogerët nacionalistë dhe komentatorët pro qeverisë.
Ndryshe nga sa ndodh në Perëndim, ata që merren me mediat individuale fitojnë para përmes donacioneve të vogla për artikuj dhe video, mundësuar nga platforma WeChat. Kjo sjell edhe më shumë reklamim dhe investim për mikrobloget e tyre. Papi Jiang për shembull, arriti të nxjerrë në ankand një nga reklamat e saj të para për 3,3 milionë dollarë. Ky mund të jetë një rast ekstrem, por shumë kanale të tjera mediatike individuale në WeChat arrijnë të gjenerojnë të ardhura prej 15 mijë dollarësh për një reklamë.
Edhe pse kufizimi politik nuk është asnjëherë i mirëpritur, nuk është as absolut, si në rastin e Kinës. Kjo sferë “gjysmëpolitike” është duke u kthyer në një forcë ndryshimi social konstruktiv, edhe pse gradual. Kjo lejon angazhimin e publikut me çështje të rëndësishme sociale si përgjegjësia e zyrtarëve, barazia gjinore dhe mirëqenia sociale, ndër të tjera. Në të njëjtën kohë arrin të ekspozojë edhe një kornizë alternative të kuptimit të politikës që formojnë edhe pritshmëritë sociale nga qeverisja e mirë, duke e shtyrë kështu shtetin të përgjigjet dhe të adaptohet sipas kërkesave të kohës.
Edhe pse hapësira politike vazhdon të tkurret, influenca e transformimit krijues të profesionistëve të mediave kineze dhe përdoruesit individualë të rrjeteve sociale nuk duhen injoruar. Ata po përpiqen të zgjerojnë nocionin politik dhe po kërkojnë hapësira të reja inovacioni. Zona e errët e sipërmarrjes mediatike sinjalizon një kapacitet të madh të shoqërisë kineze për të rishpikur veten, si edhe të shtetit kinez për të transformuar vizionin që ka për influencën mbi opinionin publik: bindje përmes kredibilitetit, jo forcës.
Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI