Riberi: Po më sulmojnë më shumë se kurrë

Frank Riberi nuk tërhiqet dhe u shpall luftë rivalëve, të cilët duan ta frenojnë me çdo mënyrë. Gjatë një interviste që dha për “Sport Bild”, numri shtatë i Bajernit komentoi për herë të parë reagimin e ashpër që ka pasur ndaj disa kundërshtarëve. “Jam i vetëdijshëm se duhet që të bëj kujdes. Gjithsesi dua të shpjegoj se nuk jam një lojtar që nuk i pëlqen sjellja korrekte. Mbase disa herë mund të humb arsyen dhe të reagoj keq, por këtë e bëj vetëm përballë atyre rivalëve që e ndiej se duan që të më dëmtojnë. Nuk kam asgjë kundër rrëshqitjeve ekstreme apo përplasjeve trup më trup, të jemi të qartë në këtë pikë.
Unë humb arsyen kur shikoj se rivalët duan që të më godasin në kockë për të më dëmtuar. Këtë nuk e pranoj”, shpjegoi Riberi. 33-vjeçari në vitet e fundit ka vuajtur shumë prej dëmtimeve që në të shumtën e rasteve kanë qenë pasojë e ndërhyrjeve josportive.
“E di fare mirë se me kalimin e viteve kam rritur tejmase nivelin e lojës dhe për rivalët jam thjesht një lojtar që duhet frenuar. Në çdo ndeshje kam 2-3 lojtarë përreth sa herë prek topin. Në këtë sezon shikoj se po sulmohen më shumë se kurrë më parë. Nuk do t’ia falja kurrë vetes nëse do të dëmtohesha gjatë për shkak të një faulli josportiv”, rrëfeu frikën e vet më të madhe 33-vjeçari.
Në një segment tjetër të intervistës, Frank Riberi preku argumentin e ndryshimit të brezave. “Lojtarë si Duglas Kosta dhe Kingslej Koman janë fondamentalë për klubin. Ata janë e ardhmja e skuadrës, pasi unë dhe Roben nuk jemi më në gjendje që t’i luajmë të gjitha ndeshjet”, pohoi Riberi.
I pyetur për Griezmanin, i cili prej shumë tifozëve të Francës është pasuesi i Riberisë në kombëtare, “Mbreti” i Bajernit bëri një prej atyre “ndërhyrjeve të ndaluara” duke e shigjetuar hapur sulmuesin e Atletikos: “Ende nuk është një ‘top player’ pasi nuk ka vazhdimësi. Pa dyshim ai po luan mirë tek Atletiko, por të luash për Bajernin është tjetër gjë”.

Exit mobile version