Maradona: Mafia kontrollon futbollin

Nëse në futboll duhet të gjesh personat e duhur për të thënë të vërtetat e këtij sporti, Diego Armando Maradona kryeson listën. I pakompromentueshëm dhe i drejtpërdrejtë si gjithnjë. Ikona e këtij sporti akuzon ashpër se mafia po kontrollon gjithçka. Duke përdorur menaxherët, sipas tij, po vendosen trajnerë të paaftë në klube të mëdha dhe kështu është e pamundur që sporti të evoluojë. Ai kritikon ashpër Platininë, ndërkohë që nuk mendon se, Serxhio Ramos dhe Pike janë mbrojtës të nivelit të lartë, por thjesht me fat që luajnë në ekipe të tilla…
-Me çfarë po merret aktualisht Maradona?
Po kaloj një periudhë të mrekullueshme, jam i lumtur. Po qëndroj me njerëzit që dua, fëmijët e mi dhe nipin Benxhamin. Jam duke përjetuar një moment paqeje dhe po miqësohem shumë me Franciskiton, Papa ynë. Sa i përket futbollit, kam folur me Infantinon (presidenti i FIFA-s) dhe i kërkova që të lobojë që ky sport t’u kthehet futbollistëve dhe jo drejtuesve.
Cila do të ishte gjëja e parë që do bënit, nëse do ishit president i FIFA-s?
Nuk mund të jetë drejtues një person që s’i ka rënë asnjëherë topit me këmbë dhe të vendosë fatet tona, të njerëzve që kanë luajtur futboll që fëmijë dhe që u kemi dhuruar emocione të tjerëve. Boban, Trezege, Hugo Sançez, Ruxheri… kam folur me të gjithë dhe jemi gati për të luftuar për futbollin. Infantino thotë që do të bashkëpunojë…
-Ka qenë Platini një zhgënjim për ju?
Po, nuk i ka sjellë asgjë futbollit. E humbëm respektin për të. Nuk na prezantoi dot asnjëherë dhe, mbi të gjitha, s’na dedikoi as një minutë.
-E keni lënë pas dore karrierën tuaj si trajner? Klubi i fundit që drejtuat ishte Al Uasl në vitin 2012…
Jo, aspak. Kam shumë motivim. Por, në futboll ka një mafie shumë të madhe. Nuk duket, por ekziston gjatë gjithë kohës. Bota e trajnerëve është e dominuar nga menaxherët dhe promovohen njerëz të paaftë. Ka shumë menaxherë që, nëse nuk i paguan, atëherë nuk merr dot drejtimin e asnjë ekipi. Kështu ndodh. Duhet të themi të vërtetën. Unë nuk i pranoj dot kurrë këto kushte.
-Florentino vendosi që t’ia besojë pankinën Zinedin Zidanit. Shpresoni që një prej klubeve ku keni luajtur gjatë karrierës t’iu japë një mundësi të ngjashme?
Mbase unë nuk jam gati për Barcelonën ose për një klub të madh, por mund të kem mundësinë që të luftoj me ekipe të tjera. Në kohët e sotme, me sa duket, nuk është e nevojshme të kesh qenë futbollist i mirë për të qenë trajner i suksesshëm. Unë lumturohem kur shikoj Zidanin që të fitojë, pasi nëse ai do dështonte, drejtuesit do thoshin: “Ka qenë lojtar i mirë, por nuk mund të bëhet dot trajner”. Johan Krujf u dha mesazhin e duhur të gjithëve. Pasi shkëlqeu në fushë, fitoi gjithçka si trajner.
Duke qenë se po flasim për trajnerët, besoni se Diego Simeone meriton të fitojë një Champions?
Po bën një punë të madhe dhe e respektoj shumë si person. Me Riverin, ai provoi të jetë nga kampion, në vendin e fundit. Nga triumfi në dështim brenda pak muajsh. Ndërsa, tani qëndron në nivel të lartë me Atletikon, duke sfiduar klube si Reali dhe Barcelona. Dy finalet e Ligës së Kampioneve i humbi, sepse nuk hoqi dorë nga filozofia e tij. Besoi te vetja dhe ndonjëherë jo gjithçka nuk preket.
Si e shikoni rivalitetin Mesi-Ronaldo në ditët e sotme?
Unë i shikoj të gjithë kampionatet. Vërtet. I ndjek kampionatet kryesore. Leo dhe Kristiano janë superiorë ndaj të gjithëve. Kristiano më kënaq kur e shikoj, pasi lufton në maksimumin. Ndërsa për Leon e kam thënë shumë herë dhe më bezdis fakti që duhet ta përsëris: ai nuk ka nevojë për të ngritur Kupën e Botës që të konsiderohet fenomen.
A është Nejmar në të njëjtin nivel me ta?
Mendoj se, Leo dhe Kris janë të paarritshëm për momentin. Por, pa dy nuk ka tre. Nejmarin e shikoj dhe argëtohem. Më pëlqen, pasi është një futbollist që driblon, dhuron spektakël dhe, mbi të gjitha, nuk ankohet, pavarësisht se mund të marrë 200 shkelma gjatë një ndeshje.

Exit mobile version