Rikthimi i ekspertëve të OPDAT në SPAK dhe të FBI-së në BKH konsiderohet si një interes kombëtar nga administrata e presidentit Trump. – Këtë e tregon komenti i një zyrtari të Ambasadës amerikane në Tiranë pasi u pyet nga Top Channel se me çfarë lidhet rikthimi i këtyre ekspertëve javën e shkuar.
“Në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv të Presidentit Trump të datës 20 janar për Rivlerësimin dhe Riorganizimin e Ndihmës së Jashtme të Shteteve të Bashkuara, Sekretari Rubio nisi një rishikim të të gjithë ndihmës së huaj të SHBA për t’u siguruar që programet të jenë efikase dhe në përputhje me politikën e jashtme të SHBA nën agjendën ‘Amerika e Para’. Disa programe që konsiderohen thelbësore për interesat kombëtare të SHBA kanë rifilluar, ndërkohë që rishikimi i ndihmës së huaj është ende duke u zhvilluar.” – thuhet saktësisht në përgjigjen e Ambasadës.
Kjo përgjigje vjen vetëm pak kohë pas një interviste në EuroNews Albania, ku drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, u shpreh qartë dhe prerë se SHBA-të jo vetëm nuk janë larguar nga Shqipëria, por ata e mbështesin fortë Reformën në Drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit.
“Tani dua të them diçka me përgjegjësi të plotë, unë nuk jam zëdhënës i qeverisë Amerikane, nuk jam zëdhënës i presidentit Donald Trump, nuk jam zëdhënës i sekretarit Rubio, por këtë ua them me përgjegjësi maksimale. Citoj, “gabojnë rëndë ata që ngatërrojnë heshtjen e përkohshme për shkak të procedurave të tranzicionit në të gjithë botën, me qëndrimet tona. Qëndrimet tona në mbështetje të të Reformës në Drejtësi, luftës kundër korrupsionit, janë angazhime parimore të cilat nuk ndryshojnë.” – u shpreh Basha në intervistën e datës 7 mars në EuroNews Albania.
Ky reagim i sotëm i Ambasadës Amerikane për Top Channel duket si një konfirmim i përpiktë i asaj që ka thënë Lulzim Basha në atë intervistë.