Përmbytjet janë kthyer sërish në Tiranë. Kanë mjaftuar vetëm disa minuta shi i rrëmbyeshëm për t’i bërë të pakalueshme një pjesë të mirë aksesh në kryeqytet. Videot e mëposhtme janë bërë në vende të ndryshme dhe tregojnë për situatën që është e ngjashme në një pjesë të mirë të Tiranës. Duket se qytetarët e kryeqytetit edhe pse i paguajnë taksat vijojnë të vuajnë sa herë që bie shi. Ndërkohë që kryebashkiaku prezanton projekte e jep tendera e koncensione, qytetarët duhet të përballen me të njëjtat probleme dhe të urojnë që shiu i ardhshëm të jetë më miqësor.
Anëtarët e Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës vizituan dje disa lagje të përmbytura të kryeqytetit dhe u takuan me banorët. Lagje të tëra kanë qenë në gjendje të vështirë si në zonën e shkollës “26 Nëntori” në Don Bosko, tek zona e Gardës, etj. Këshilltarët e PD apeluan për t’i ardhur në ndihmë banorëve, pasi banesa dhe biznese janë përmbytur për të disatën herë këtë vit, ndërkohë masat e Bashkisë së Tiranës kanë qenë inekzistente për të parandaluar përmbytjen. Reila Bozdo i bëri thirrje kryetarit të Bashkisë që të marrë masa, që kjo situatë të mos përsëritet dhe t’u vijë në ndihmë banorëve.
“Kjo është dita e dytë që banorët këtu janë në këtë situatë që ju e shihni vetë. Kemi dy ditë në kontakt me banorët dhe këto dy ditë janë përmbytur shtëpi dhe biznese. Pranë tyre ka pasur disa forca të zjarrfikëses që kanë vendosur disa barriera, por nuk është marrë asnjë masë që përmbytja të mos ndodhë përsëri. Sipas banorëve, kjo është hera e katërt që përmbyten brenda këtij dimri. Banorët përmbyten në mënyrë të vazhdueshme dhe Bashkia nuk kujdeset as për të evidentuar dëmet dhe as për t’i dëmshpërblyer. I bëjmë thirrje kryetarit të Bashkisë Erion Veliajt që të lërë angazhimin e tij me asamblenë e partisë dhe të merret me qytetarët dhe qytetin, sepse gjendja është katastrofike”, tha Bozdo.
Këshilltari Mateo Spaho u shpreh se, kjo situatë mund të ishte shmangur nëse Bashkia e Tiranës do të punonte vërtet me sistemin e kanalizimeve dhe jo me inaugurime të panevojshme.
“Kjo nuk është zonë e vetme në Tiranë e përmbytur, por është edhe zona e Don Boskos, tek zona e Gardës, por edhe zona të tjera që sa herë bie shi ato përmbyten. Kryetari i Bashkisë të mos bëjë inaugurime të kota, bojatisje të tepërta, por i ka mundësitë që të merret me punë konkrete me ujësjellës dhe kanalizimet e Tiranës. Sot në Tiranë ka edhe lagje ku kanë ikur dritat. Ne e vlerësojmë emergjencën civile, por këtu duhej bërë një punë paralajmëruese. Duhen hapur kanalizimet dhe vetëm nga fakti që ne erdhëm këtu po duken punonjësit e Bashkisë. Punohet që të dukemi bukur për spektaklin e radhës”, tha Spaho.