Siguria do të jetë një ndër prioritetet kryesore të organizatorëve të Lojërave Olimpike Rio 2016, duke parë dhe zhvillimet e fundit në botë dhe rrezikun nga atentatet terroriste. Ditët e fundit, forcat ushtarake braziliane, por dhe ato xheniere kanë zhvilluar stërvitje për çaktivizimin e bombave, por njëkohësisht dhe për përballimin e situatave kritike, duke bërë madje pjesë të trajnimit të tyre dhe stafet e hoteleve të ndryshme në Rio de Janeiro, që po stërviten për të pikasur, por dhe parandaluar persona të dyshimtë.
Sipas kapitenit të Forcave të Armatosura braziliane, Henrique Pinto Homem është e rëndësishme që të rritet vigjilenca individuale te njerëzit, në mënyrë që dhe persona të thjeshtë të jenë në gjendje të identifikojnë njerëz të dyshimtë, të cilët mund të përbëjnë një rrezik për sigurinë e qytetarëve. Sipas tij përfshirja dhe e stafeve të hoteleve të qytetit në këtë stërvitje do të jetë diçka pozitive, pasi për të parandaluar aktet terroriste nevojitet mbështetja e të gjithëve në mënyrë që dhe forcat e rendit ta kenë më të lehtë parandalimin e akteve të tilla.