Javier Solana
Siç e kanë vënë re shumë analistë, Pax Americana e dekadave të fundit është në grahmat e fundit. Pas 150 ditëve të para të Presidencës “Amerika e Para” të Donald Trump – ose, më saktë, “Amerika Vetëm” – duket se roli tradicional stabilizues i Amerikës nuk mund të shihet më si i mirëqenë. Teksa parësia e SHBA në arenën ndërkombëtare – dhe, pra, statusi i Amerikës si “kombi i domosdoshëm” i botës – tkurret, shtetet e tjera dhe aktorët jo shtetërorë po fitojnë rëndësi. Çfarë do të thotë kjo për të ashtuquajturin rend liberal ndërkombëtar?
Multipolariteti nuk është e thënë të bjerë ndesh me një sistem gjithëpërfshirës dhe reciprokisht të dobishëm global. Fuqitë në rritje si Kina janë të afta që të veprojnë si palë të përgjegjshme. Dhe Bashkimi Evropian, i cili duket se po rifiton vetëbesimin, ende mund të llogaritet për të luajtur një rol konstruktiv.
Në teorinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, “internacionalizmi liberal” karakterizohet nga promovimi i hapjes dhe rendit, dhe është i mishëruar në organizatat shumëpalëshe. Në fund të Luftës së Dytë Botërore, këto parime siguruan themelet ideologjike për traktatet si Marrëveshja e Përgjithshme mbi Tarifat dhe Tregtinë, e cila më vonë do të zhvillohej në Organizatën Botërore të Tregtisë.
Lufta e Ftohtë dëmtoi shumë ambicien globalizuese të internacionalizmit liberal, një besim i lidhur ngushtë me Perëndimin gjeopolitik, dhe veçanërisht me SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar. Rënia e Murit të Berlinit në nëntor të vitit 1989 u pasua nga një periudhë hegjemonie të padiskutueshme për SHBA, dhe hapi rrugën për përhapjen e strukturave qeverisëse të promovuara nga Perëndimi. Por kjo përhapje nuk ndodhi aq shpejt, ose aq gjerësisht sa parashikohej.
Sot, bota mbetet e fragmentuar. Sulmet e 11 shtatorit 2001 në SHBA i detyruan shumë vende të shtrëngonin radhët përreth Amerikës. Por sulmet gjithashtu zbuluan një prirje më të fortë goditjesh nga aktorë të paparashikuar, një prirje që do të rritej më shumë gjatë 15 viteve të ardhshme.
Divergjenca midis shteteve ishte gjithashtu ekonomike. Madje as “Recesioni i Madh” i 2007-2009 nuk ishte aq global sa sugjeron urtësia konvencionale në vendet e zhvilluara. Në vitin 2009, kur GDP globale pësoi kontraktim, ekonomitë e dy vendeve më të populluara të botës, Kinës dhe Indisë, u rritën me ritme mbi 8%.
Vendet që po zhbëjnë rendin liberal sot janë ato që investuan kapital politik për krijimin e tij. Brexit në Mbretërinë e Bashkuar dhe zgjedhja e Trump në SHBA pasqyrojnë zhgënjimin në rritje me disa pasoja ekonomike dhe sociale të globalizimit, të tilla si largimi i vendeve të punës. Ky frustrim ka ringjallur një formë nacionalizmi të bazuar në përjashtimin. Një ripërtëritje e theksit në sovranitetin e Vestfalisë po përhapet, duke shtyrë disa që të parashikojnë se rivalitetet e fuqive të mëdha do të jenë sërish në rend të ditës. Përkrahësit e kësaj shkolle mendimi shpesh tregojnë marrëdhënien SHBA-Kinë si burimin më të mundshëm të fërkimeve.
Por kjo është një pikëpamje tepër alarmante. Ndërsa rritja dixhitale e Kinës gjeneron mosbesim të madh në kryeqytetet perëndimore, Kina mund të mos jetë aq revizioniste sa mendon shumëkush. Kohët e fundit, qeveria kineze u distancua nga administrata e Trumpit, pasi riafirmoi mbështetjen e saj për marrëveshjen e klimës së Parisit, nga e cila SHBA synon të tërhiqet. Në fjalimin e tij simbolik në Takimin Vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos në janar, Presidenti Xi Jinping u shfaq si një mbrojtës i fortë i globalizimit. Sipas Xi, shtetet duhet “të frenohen nga ndjekja e interesave të veta, në kurriz të të tjerëve”.
Autoritetet kineze janë shumë të vetëdijshme se sa shumë ka përfituar vendi i tyre nga integrimi i thellë në ekonominë globale. Dhe ata nuk janë të përgatitur të rrezikojnë bazën e legjitimitetit të tyre të brendshëm: rritjen ekonomike. Iniciativa e BRI (e quajtur më parë Një Brez, Një Rrugë), të cilën Xi e ka pagëzuar si “projektin e shekullit”, është një pasqyrim i vërtetë i zgjedhjes strategjike të Kinës, për të forcuar lidhjet tregtare me pjesën tjetër të Euroazisë dhe Afrikës, duke shfrytëzuar kështu mundësinë për të akumuluar “fuqi të butë”.
Megjithatë, duke vepruar kështu, Kina nuk po vë në dyshim haptaz, bazat e rendit liberal. Komunikata e spikatur e liderëve botërorë që morën pjesë në Forumin e BRI në Pekin muajin e kaluar, shprehte angazhimin e më shumë se 30 vendeve dhe organizatave ndërkombëtare, për promovimin e “paqes, drejtësisë, kohezionit social, gjithëpërfshirjes, demokracisë, qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut, barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave.
Do të ishte gabim të interpretohej kjo komunikatë fjalë për fjalë, ose të shpërfilleshin tendencat jo-merkantiliste të Kinës, si dhe rregullat e brendshme jo-tregtare. Por as nuk do të ishte e saktë ta shihnim Kinën si një monolit, me vlera që janë plotësisht të papërputhshme me ato që i atribuohen Perëndimit. Një thjeshtim i tillë i tepruar nuk është më i saktë për Kinën, se sa për Shtetet e Bashkuara, ku Hillary Clinton fitoi votën popullore mbi Trumpin, ose Mbretërinë e Bashkuar, ku ata që dëshironin të qëndronin në BE humbën referendumin e Brexit me një avantazh tejet të ngushtë.
Në këtë kohë pasigurie dhe mosmarrëveshjesh, BE-ja është në pozicion për të marrë një rol udhëheqës. Fitorja e Emmanuel Macron në zgjedhjet presidenciale franceze duhet të inkurajojë mbrojtësit e një rendi liberal, i cili, pavarësisht nga mangësitë e tij, ende përfaqëson paradigmën më tërheqëse dhe fleksibël për marrëdhëniet ndërkombëtare.
Një BE e bashkuar mund të ndihmojë gjithashtu në nxitjen e reformave, të cilat mund të forcojnë institucionet e varfëra multilaterale, duke u dhënë atyre vrull të ri. Nëse u shtrijmë dorën vendeve në zhvillim, nuk është tepër vonë për të ndërtuar një rend të vërtetë global. Megjithatë, ndryshe nga viti 1989, këtë herë nuk duhet ta lëmë punën të papërfunduar.