Roma çon zyrtarisht Pescarën në Serinë B

Roma çon zyrtarisht Pescarën në Serinë B si dhe shkëputet 4 pikë nga Napoli, duke krijuar një distancë sigurie me ndjekësit më të afërt për vendin e dytë. Verdhekuqtë e Spallettit fituan 1-4 në stadiumin “Adriatico” ndaj skuadrës së Ledian Memushajt, që as matematika nuk e mban më në lojë për qëndrimin në Serinë A. Roma shënoi dy gola brenda dy minutave në lojë në fund të pjesës së parë, fillimisht me Strootman, që u shërbye nga El Shaarawy. Nainngolan realizoi të dytin para se skuadrat t’u drejtoheshin dhomave të zhveshjes për pushimin mes pjesëve.
Në fraksionin e dytë shpërtheu Salah me një dygolësh, me mbrojtjen e Pescarës, që la për të dëshiruar si në rreshtin edhe në mënyrën se si u zu në befasi nëpërmjet kundërsulmit. Në fund të takimit, Pescara arriti të shkurtonte në 1-4 diferencën me Benalin, por merita në këtë finalizim kishte Ledian Memushaj, i cili këmbënguli nga e djathta për t’i shërbyer më pas shokut të skuadrës shumë pranë portës. Pas këtij takimi që mbylli javën e 33-të të Serisë A, Roma rivendos diferencën prej 8 pikësh me Juventusin, duke blinduar në njëfarë mënyre vendin e dytë.

Exit mobile version