Roma, Florenzi mbyll sezonin përpara kohe

Sezon pa dritë në fund të tunelit për sulmuesin e Romës, Alessandro Florenzi, i cili duhet t’i nënshtrohet një tjetër operacioni pak muaj pas ndërhyrjes në gju. Lojtari italian do të operohet për të ndërhyrë në ligamentin e gjurit të majtë, i njëjti gju i dëmtuar më 26 tetor që e detyroi të qëndronte për rreth 4 muaj në infermieri. Sipas klubit italian, Florenzi që do vazhdonte fazën e rehabilitimit, u dëmtua gjatë një ndeshje testuese me skuadrën e të rinjve dhe sezoni i tij tashmë është zyrtarisht i mbyllur.
Një humbje e madhe kjo për Romën pasi Florenzi është i vetmi lojtar polivalent në skuadrën e Luciano Spalletit. Ai është aktivizuar shpeshherë si mesfushor, por edhe si mbrojtës i djathtë dhe me shumë mundësi, ai do të jetë gati për të zbritur në fushë vetëm në fillimin e sezonit të ardhshëm. Shqetësimi më i madh në klubin verdhekuq është gjendja morale e lojtarit, i cili po kalon një situatë të komplikuar ashtu si edhe Strootman disa kohë më parë. Holandezi iu nënshtrua disa ndërhyrjeve të njëpasnjëshme në gju duke u rikthyer titullar këtë sezon pas pothuajse dy viteve mungesë në fushat e blerta, duke humbur edhe Botërorin 2014 me kombëtaren e Holandës.

Exit mobile version