Roma bën gati goditjen e tretë në merkato. Pas mbrojtësve Moreno dhe Karsdorp, Monchi ka arritur akordin me Maxime Gonalons, kapitenin e Lyonit. Ky i fundit luan që prej vitit 2000 me ekipin francez dhe e konsideron të mbyllur aventurën me ta teksa mesfushori prej kohësh ishte në radarët e Romës. Për 28-vjeçarin Lyoni kërkon 9 mln euro, ndërsa Roma nuk shkon më shumë se 7 mln, por dëshira e lojtarit mund të shtyjë francezët të ulin pretendimet ekonomike.
Atalanta kërkon rikthimin e Marten de Roon. Mesfushori me tipare mbrojtëse luajti në huazim 2 sezone më parë te zikaltërit që tashmë duan ta blejnë përfundimisht kartonin e lojtarit holandez. Për ta lënë të lirë Middlesbrough kërkon 15 mln euro, shumë që Atalanta synon ta ulë disi, por me shumë gjasa ky operacion do të realizohet duke parë edhe largimet e shumta nga ekipi i Gasperinit. Trajneri kërkon përforcime për të përballuar kampionatin dhe fazën në grupe të Europa League.