Nga Arben Çejku
Që prej promovimit zyrtar (11 nëntor 2023) të romanit “Brenga e Prokurorit”, të shkrimtarit Ahmet Prençi, nuk kanë kaluar shumë kohë. Madje, në kornizën e aktualitetit tonë, ku nje nga kryefjalët e lajmeve ditore është SPAK dhe puna e tij, na duket sikur romani në fjalë është promovuar dje.
Kur drama letrare që luhet në romanin “Brenga e Prokurorit”, del jashtë kapakëve të këtij libri dhe përditësohet prekshëm në zhvillimet e një vendi, natyrshëm shtrohet pyetja se; sa e ndihmon dhe sa e pengon suksesin letrar dhe artistik të romanit drama e gjallë, që zhvillohet sot në skenën shqiptare?
Romani “Brenga e Prokurorit”, padyshim një vepër e mirëfilltë me vlera të konsoliduaa letrare, erdhi si prelud dhe nënvizim për zhvillimet në sistemin e drejtësisë në vendin tonë, duke parathënë një betejë të vështirë për drejtësi në shoqërinë tonë.
Martin Guri, prokurori dhe personazhi kryesor në roman, na shfaqet në dilemat e tij hamletiane mes botës morale dhe asaj profesionale, fiks gati 30 vjet pas nisjes së karrierës së tij në sistemin e drejtësisë. Po ashtu, prokurorë si Martini, që sot janë në sistemin e drejtësisë e sidomos në SPAK, janë shpesh të sfiduar në misionin e tyre për dhënien fund të pandëshkueshmërisë 30-vjeçare të tranzicionit shqiptar. Si në tryezën e punës të Martin Gurit, ashtu edhe në tryezën e prokurorëve të sotëm, që kanë përqafuar misionin për ndëshkimin e korrupsionit në nivelet e larta, janë dosje të rënda dhe që lidhen me njerëz të fuqishëm dhe me ndikim.
Nga ky këndvështrim, mendoj së romani i shkrimtarit Ahmet Prençi nuk është thjeshtë një trillim letrar, por një manifest moralo-profesional për të kuptuar sfidën e drejtësisë sot. Ai vjen edhe si një mesazh inkurajimi për të gjithë ata, që ligjin dhe interesin publik e shohin më të rëndësishëm sesa sentimentalizmat e së kaluarës rinore dhe interesat e tyre personale.
Për të kuptuar atë që po ndodh sot në drejtësi, për të kuptuar atë që i ndodh çdo prokurori apo gjyqtari nën presion, mjafton leximi i romanit dramatik “Brenga e Prokurorit” dhe, anasjelltas, për të kuptuar më së miri thelbin e romanit të A. Prençit, merrni në konsideratë atë që shikoni përreth në përditshmërinë tuaj.
Shkrimtari Ahmet Pençi, një intelektual i mirëfilltë i ditëve tona, profesionist i shkëlqyer i fushës së drejtësisë dhe zbatimit të ligjit, komisioner për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ishte ndoshta personi më i duhur për ta “shpikur” romanin “Brenga e Prokurorit” dhe për ta sjellë në tryezën e debateve tona si një risi letrare, profesionale, morale dhe filozofike.
Ky roman, siç e kam thënë edhe në fjalën time të shkurtër në prezantimin e bërë në fundnëntorin e kaluar, erdhi në kohën e duhur, në vendin e duhur, nga autori i duhur dhe me mesazhin e duhur.
Kam ndjekur me vëmendje të gjitha shënimet dhe komentet që i janë bërë romanit “Brenga e Prokurorit”, duke vënë re se për këtë roman, është shkruar më shumë se për çdo libër të botuar gjatë vitit të kaluar. Unë nuk besoj se kanë qënë vetëm indiciet e lidhura me raportet personale mes lexuesve dhe autorit, më shumë sesa vetë mesazhi social i romanit, ai që ka nxitur shumë njerëz të thonë fjalën e tyre të lirë.
Përtej vlerësimeve të ndryshme letraro-artistike, në tërësinë e tyre, të gjithë komentuesit, janë bashkuar tek rëndësia e promovimit të një figure si Martin Guri, prokurori për të cilin ka nevojë drejtësia jonë sot.
Pra, njerëzit, shprehën nevojën e tyre për drejtësi nga organet e drejtësisë, para se të kenë pretendimin për të dhënë një gjykim professional për një libër, siç është romani në fjalë. Për vlerësimin arritjeve artistike të romanit, ka e do të ketë gjithnjë kritik profesionisht arti, por për vlerësimin e këtij libri si traktat shoqëror, të gjithë mund ta thonë një fjalë, siç edhe e kanë thënë.
Jehona e komenteve që kanë shoqëruar romanin e shkrimtarit A. Prençi, në një farë mënyre treguan se romani realisht erdhi në kohën e duhur dhe me mesazhin e duhur. Të gjithë e vlerësuan autorin jo vetëm për arritjen e tij artistike, por sidomos për guximin qytetar e profesional për të sjellë në skenë një vepër që ndihmon dhe inkurajon punëtorët e drejtësisë për të pastruar institucionet tona nga krimi e korrupsioni.
Romani “Brenga e Prokurorit” ishte, kësisoj, kartolina më e mirë që A. Prençi mund t’u dërgonte prokurorëve dhe gjyqtarëve të ndershëm, të cilët po përballen me vështirësitë e kryerjes së detyrës së tyre. Gjithashtu edhe vetë vlerësimi që mori ky roman nga mesazhet e sinqerta të audiencës publike, shprehën një inkurajim dhe mbështetje të gjerë shoqërore për drejtësinë e re.
Romani “Brenga e Prokurorit”, do të bashkëjetojë me historinë e drejtësisë së re shqiptare dhe do të mbetet për shumë vite një udhërrëfyes shpirtëror e moral për çdo prokuror e gjyqtar të ri.
Me këtë roman, A. Prençi ka krijuar një guidë morale, të cilën duhet ta njohë çdo student në juridik, i cili nesër do të ballafaqohet me sfidat e profesionit.
Në thelb, romani na tregon se puna e një prokurori apo gjyqtari nuk është e lehtë – madje në ndonjë rast shkon deri në kufijtë e vetsakrifikimit!
Beteja me krimin nuk është njësoj si të ndjekësh nga kolltuku një serial televiziv për mafian, por është shumë më tepër; është një operacion kirurgjikal nga më të vështirët, siç na tregon autori. Ai e shikon në kompleks dhe me realizëm, më mirë se askush tjetër botën e njerëzve të drejtësisë dhe atë që përfaqëson krimi.
Ai hedh dritë në ato skuta të errëta ku Krimi dhe Drejtësia (Ndëshkimi i krimit), janë në një luftë të vazhdueshme, duke na treguar se, sa më e ashpër të jetë kjo luftë, aq më të forta do të jenë institucionet publike dhe aq më e sigurtë do të jetë shoqëria.
Nëse krimi dhe drejtësia ulen e pijnë kafe bashkë, atëherë, siguria publike është e burgosur dhe e shkelur me këmbë!
Prandaj unë mendoj se romani “Brenga e Prokurorit”, është më shumë se një roman, është më shumë se një këmbanë alarmi për njerëzit e drejtësisë dhe për të gjithë shoqërinë, e cila duhet të shkundet nga letargjia e tranzicionit 30-vjeçar për të kuptuar se sot është momenti për të hapur një kapitull të ri për të ardhmen tonë, duke mos qenë peng të së kaluarës qoftë emocionale-shpirtërore, qoftë moralo-politike!
Ashtu si Martin Guri, që me shpatën e arsyes dhe të ndërgjegjes profesionale, preu fijet e tij me të kaluarën që erdhi ta këncënonte në zyrë në formën e një gruaje, apo në formën e një thesi me shumë para, adhtu edhe ne duhet të zgjohemi e të kuptojmë se disa fije që na mbajnë peng me të kaluarën duhen prerë!
Shumica e shoqërive demokratike kanë kaluar nëpër këtë tunel vështirësish që po kalon shoqëria shqiptare. Nuk është nostalgjia për të kaluarën, por vizioni për të ardhmën ai që ka siguruar progres dhe përmbushje të objektivave shoqëror dhe ekonomikë.
Romani “Brenga e Prokurorit” ka vlerë për trajtimin letrar të gjendjes së rënduar emocionale e shpirtërore të Martin Gurit gjatë trajtimit të një dosjeje të rëndë kriminale, e cila në realitetin e sotëm është edhe brenga e secilit njeri që sot apo nesër do të merret me punët e drejtësisë.
Në rastet kur zhvillimet dramatike në terren janë më të forta dhe më emocionale sesa ato në libra, duket se ato i mbivendosen dhe e lënë në hije fuqinë e romanit “Brenga e Prokurorit”.
Por kjo, është vetëm në pamje të parë.
E vërteta është, se ironikisht, “brenga” e A. Prençit do ta ndjekë këmba – këmbës punën e prokurorëve dhe gjyqtarëve shqiptarë në këto kohë të vështira për to, si një bekim dhe inkurajim.
Por, edhe ajo çfarë prodhohet nga institucionet e reja të drejtësisë, indirekt, shkon si aset vlerësues për koherencën e mesazheve të romanit “Brenga e Prokurorit”, i cili erdhi mes nesh si tingujt e një këmbane që na zgjon nga letargjia.
Ne nuk e dimë se cili është apo cilët do të jenë Martin Guri në sistemin e drejtësisë, por ne dimë se të tillë i duhen sot shoqërisë, më shumë se kurrë. Ky është edhe mesazhi i një romani, që e ka kapërcyer veten si vepër letrare, duke u konsideruar si manifest udhëzues për vlerat morale e profesionale të njerëzve të drejtësisë.
Kur një vepër letrare si romani “Brenga e Prokurorit” e tejkalon vetveten dhe bëhet udhërrëfyes për një kategori të caktuar shoqërore, siç janë prokurorët, gjyqtarët, avokatët, gazetarët etj, atëherë, kjo vepër e ka kryer misionin e saj utilitar në dobi të shoqërisë.
Kjo vepër nuk mund të rreshtohet tek ato vepra që konsiderohen “letërsi për letërsinë”, por letërsi për shoqërinë.
Kjo, për mendim tim është arritja më e madhe për një autor, i cili hyri në letërsinë shqiptare pa shumë bujë, nëpërmjet librit poetik “Udhë në pasqyrë”, romanit “Anja” dhe së fundi “Brenga e Prokurorit”.
Nuk është numri i librave ai që të siguron statusin e “shkrimtarit”, por cilësia e veprave që boton dhe, në këtë drejtim Ahmet Prençi meriton të konsiderohet shkrimtar me “SH” të madhe.