“Ronaldinjo është kthyer”. Ky ishte njoftimi i Barcelonës, i cili bëri që mes tifozëve katalanë të shpërthente festa. Megjithatë, braziliani nuk do të luajë në fushën e “Camp Nou”. Pas lamtumirës zyrtare të Ronaldinjos, i cili mbylli një karrierë të jashtëzakonshme në fushë, tashmë ai do të jetë ambasadori i klubit “blaugrana” në nivel botëror, duke udhëtuar rreth e përqark globit si përfaqësues i katalanëve në aktivitete të ndryshme apo evente sportive.
Tërheqja zyrtare e Ronaldinjos nuk ishte konfirmuar zyrtarisht, pavarësisht se ndeshja e tij e fundit ishte në shtator të 2015-ës me fanellën e Fluminense-s.
Në fillim të këtij viti, vëllai Roberto de Assis, që ishte edhe menaxher i fantazistit brazilian, njoftoi se Ronaldinjo do të rikthehej të luante në vitin 2017, ku synimi ishte gjetja e një klubi, i cili merrte pjesë në Kupën Libertadores.
Deklarata të përgënjeshtruara nga faktet, por edhe nga forma fizike jo e mirë e ish-yllit të “seleçaos”, që pas eksperiencës me Barcelonën dhe Milanin u kthye në vendlindje për të luajtur me Flamengon dhe Atletico Mineiro-n, përpara se të transferohej te Queretaro në Meksikë dhe për ta mbyllur karrierën me fanellën e Fluminense-s.
Jeta e re e Ronaldinjo-s do t’i rikthejë ngjyrat “blaugrana”. Braziliani do të jetë imazhi i Barcelonës për 10 vitet në vazhdim, si pjesë e projektit të legjendave të klubit katalan, për ta ndihmuar markën e Barçës në nivel global dhe për të transmetuar vlerat e klubit nëpër botë.