“Ronaldo e Messi nuk do të shënonin kaq shumë në Itali”

Rivaliteti mes Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit i ka dhuruar shumë futbollit vitet e fundit, por mbrojtësi i Interit Miranda, me një të kaluar në La Liga mendon se si portugezi ashtu edhe argjentinasi do ta kishin të vështirë të shënonin edhe në Serinë A si në Spanjë. Ronaldo dhe Messi janë golashënuesit më të mirë në historinë e Realit dhe Barcelonës, me yllin e Los Blancos që ka shënuar 30 gola në La Liga këtë sezon, 8 më shumë se 5 herë fituesi i Topit të Artë Messi. Gjithsesi Miranda që ka luajtur kundër Ronaldos dhe Messit kur ishte në Spanjë beson se të dy do ta kishin të vështirë të arrinin të tilla shifra në Itali.
“Ata janë të dy lojtarë fantastikë dhe do të shënonin shumë gola në çdo kampionat. Gjithsesi këtu në Itali ata nuk do të arrinin para portës aq shpesh sa në Spanjë pasi skuadrat këtu janë shumë më të organizuara taktikisht”.
Miranda u transferua te Interi pasi i dha fund një aventure katërvjeçare me Atletikon e Madridit, skuadër me të cilën fitoi titullin kampion dhe Europa League nën drejtimin e Diego Simeones. El Cholo është përfolur për një rikthim te Interi ku ka luajtur dy sezone në vitet ‘90, tanimë si trajner, por Miranda nuk beson se Simeone mund të lërë Atletikon në të ardhmen e afërt.
“Unë e shikoj vetëm si trajnerin e Atletikos. E di që ai është i lumtur në Madrid dhe mendoj se do të qëndrojë aty edhe për shumë kohë. Ashtu si Atletiko, edhe ne kemi një trajner të madh te Interi, Roberto Mançinin”.

Exit mobile version