Tripleta e Ronaldos i kushton PSG

PSG-ja ka dalë e humbur nga fitorja 3-0 e Realit të Madridit kundër Volfsgurgut. Nuk lidhet vetëm me faktin që në gjysmëfinale do të ketë si kandidat për kundërshtar një ekip më të vështirë në letër, por ka të bëjë edhe me Kristiano Ronaldon. Media iberike bën me dije se disa javë më parë, zyrtarë të klubit francez kishin pasur takim me Florentino Perezin, ku kishin diskutuar për mundësinë e blerjes së yllit portugez. Në atë moment, lojtari 31-vjeçar nuk po kalonte një moment të mirë individual dhe mundësia e një akordi u përfol për shifra që varionin nga 80-90 milionë euro.
Një nivel pagese që u cilësua i pranueshëm nga ana e sheikut Al-Khelaifi. Por, duket se gjërat kanë ndryshuar menjëherë pas mbrëmjes së ditës së martë. CR7 arriti të shënojë tre golat e ndeshjes, duke u dhuruar kualifikimin madrilenëve. Një “dhuratë” që e bën atë më të shtrenjtë dhe më të vështirë për t’u shitur, për shkak të impaktit te tifozët.
Ndërmjetësve të PSG-së iu komunikua menjëherë se nëse duan të arrijnë një akord, bisedimet duhet të nisin me ofertë më të lartë se ajo që ishte folur paraprakisht. Nga ana tjetër, vetë sulmuesi i ka të qarta edhe kushtet e kontratës që e pret, duke u bërë futbollisti më i paguar në botë për momentin. Ai pretendon të fitojë 25 milionë euro në edicion, pa përfshirë taksat, të cilat në Francë janë mjaft të larta.

Exit mobile version