Roshi firmos te Terek Grozny

Zyrtarizimi erdhi. Odise Roshi është pjesë e FC Terek Grozny në Rusi. 25-vjeçari i kombëtares kuqezi pas kryerjes së vizitave ka firmosur me skuadrën ruse i shoqëruar nga menaxheri i tij, Shkumbin Qormemeti një kontratë 3-vjeçare. Menaxheri i lëvizjeve më të bujshme në futbollin shqiptar këto vitet e fundit në një intervistë flet për një hap të madh në karrierë dhe plotësimin e një dëshire të veçantë të Roshit.
“Çdo transfertë ka peshën e saj, sidomos kur bëhet fjalë për një futbollist të kombëtares. Për Odise Roshin ky është një hap i madh kur dihet që Premier League e Rusisë është në një nivel shumë më të lartë nga kampionati kroat. Mund të them që kjo transfertë u mbyll bashkërisht me Adrian Aliajn, kohëzgjatja e kontratës është 3-vjeçare. Nuk mund të flas për termat financiarë për të cilat mund të shprehet Roshi, por mund të them që i plotësova dëshirën dhe e bashkova me shokun e tij të ngushtë Bekim Balajn”, u shpreh Qormemeti.
Roshi dhe Balaj do të jenë sërish bashkë, si në kombëtare apo në sezonet e fundit te HNK Rijeka, duken të lumtur në foton e ribashkimit në Rusi dhe për Qormemetin njohja mes tyre do të jetë një faktor plus për Grozny-n.
“Dyshja Roshi-Balaj mund të jetë një ndihmë e madhe për trajnerin dhe klubin e Terek Grozny pasi të dy dihet që kanë eksperiencë dhe ishin në Kampionatin Europian dhe besoj se që të dy do ta ndihmojnë Terek të ngjitet lart dhe të arrijë në kupat e Europës që është dhe objektivi i klubit”, tha ai.
Vetëm pak më vonë zyrtarizimi ka ardhur dhe nga Terek Grozny që e ka prezantuar Odise Roshin si një blerje të goditur. Për këtë afrim ka folur me krenari vetë presidenti Magomed Daudov, i cili ka evidentuar me krenari se 25-vjeçari ashtu si dhe Balaj janë lojtarë të kombëtares shqiptare dhe ishin pjesëmarrës në Europianin 2016, faktor ky që padyshim ka patur ndikimin e tij në transferimin e tyre këtë verë. Daudov thekson se si Roshi, Balaj ashtu dhe blerja tjetër e kësaj vere Gabriel Torje ishin në fushë gjatë ndeshjes Rumani-Shqipëri në Francë. Edhe në aventurën e tij të re te Terek Grozni, Odise Roshi do të mbajë fanellën me numrin 21, të njëjtin me të cilin jemi mësuar ta shohim në kombëtaren kuqezi.

Exit mobile version