Sipas përllogaritjeve të bëra nga konsulenti, vendosja e një tarife prej 0.035 euro për kilometër do të ulë me gati 12 për qind fluksin e lëvizjes në këtë rrugë duke patur pasoja jo vetëm për turizmin, por edhe shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës duke favorizuar kështu Serbinë
Taksa që do të duhet të paguajnë autoveturat do të jetë 5 euro për çdo makinë. Kjo tarifë konsiderohet tepër e lartë nga qytetarët, të cilëve u duhet të udhëtojnë në atë rrugë, duke pasur parasysh edhe tarifat në vendet e tjera të rajonit
Koncesioni për mirëmbajtjen e rrugës Durrës-Kukës vishet me hije të forta dyshimi. “Syri.net” zotëron dokumente zyrtare që provojnë se qeveria po miraton një tarifë të paktën 25 për qind më të lartë edhe se sa tarifa maksimale e propozuar nga konsulenti ndërkombëtar, i cili ka hartuar strategjinë e taksimit rrugor në Shqipëri. Në strategjinë e përgatitur nga Egnatia Odos dhe Euroconsultants për llogari të qeverisë shqiptare është sugjeruar që tarifat e pagesës në rrugët e Shqipërisë të mos kalojnë 0.035 euro për kilometër ose e thënë ndryshe 3.5 euro për 100 kilometra si niveli maksimal i përballueshmërisë nga qytetarët. “Konsulenti përkrah që shtesa e ngarkesës e krijuar në buxhetin e familjes nga norma e tarifimit më pak se 0.035 euro për km është krejtësisht e përballueshme. Normat ndërmjet 0.01–0.025 euro për km mund të konsiderohen të përballueshme nga familja mesatare shqiptare”, thuhet ne dokumentin e zotëruar nga “SYRI.net”. Por në koncesionin për “Rrugën e Kombit”, përkatësisht në segmentin Milot-Morinë, qeveria ka vendosur një tarifë kalimi 5 euro për një gjatësi totale prej 114 kilometrash. Kjo do të thotë se tarifa në këtë rrugë do të jetë 4.3 euro për 100 kilometra ose 25 për qind më shumë nga niveli maksimal, që ka rekomanduar konsulenti ndërkombëtar. Të dhënat zyrtare tregojnë se aktualisht në rrugën Milot-Morinë, trafiku ditor luhatet nga 5 mijë deri në 10 mijë mjete në ditë. Sipas përllogaritjeve të bëra nga konsulenti, vendosja e një tarife prej 0.035 euro për kilometër do të ulë me gati 12 për qind fluksin e lëvizjes në këtë rrugë duke patur pasoja jo vetëm për turizmin, por edhe shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës duke favorizuar kështu Serbinë.
Konçensioni
Ministria e Transporteve njoftoi dje se ka përzgjedhur fituese për autostradën Milot-Morinë kompaninë turke “Vendeka Bilgi Teknolojileri Ltd”, e cila paraqiti ofertën që përmban kërkesë për subvencion në shumën 5,600,000 euro, investim fillestar të propozuar në shumën 50,622,174 euro dhe investim në vazhdimësi në mirëmbajtje dhe operim të rrugës në shumën 320,604,079 euro. Kështu, kjo kompani do të marrë me koncesion këtë aks për 30 vjet, duke vendosur një taksë për automjetet që do të kalojë. Taksa që do të duhet të paguajnë autoveturat do të jetë 5 euro për çdo makinë. Kjo tarifë konsiderohet tepër e lartë nga qytetarët, të cilëve u duhet të udhëtojnë në atë rrugë, duke pasur parasysh edhe tarifat në vendet e tjera të rajonit. Ndërsa, për banorët përreth zonave që ndodhen përgjatë kësaj autostrade, Ministria e Transporteve po punon që kalimi të jetë falas ose me një tarifë të vogël simbolike, të cilët do të pajisen me kartë. Sa u përket automjeteve të shërbimeve, të tilla si autobusët, furgonët, kamionët që kryejnë këtë aks disa herë në ditë, kjo pjesë ende nuk është negociuar me kompaninë turke. “SYRI.net” mëson se në muajt shtator-tetor 2016 pritet që të diskutohet kontrata mes ministrisë dhe kompanisë për të bërë kategorizimet e sakta për automjetet dhe çmimet respektive. Tarifat për këtë kategori, pra për autobusët e kamionët do të jenë më të larta se 5 euro, por kufiri i saktë mbetet do të përcaktohet në shtator-tetor nga bisedimet. Pas vendosjes së këtyre tarifave, aplikimi i pagesës për këdo që do të kalojë në autostradën Milot-Morinë do të fillojë 6 muaj më vonë. Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës (MTI) bën të ditur se koncesionin e Rrugës së Kombit, operimit, mirëmbajtjes dhe rehabilitimit të autostradës Milot-Morinë, e ka fituar një kompani turke. Koncesioni ka vlerën 5.6 mln euro dhe jepet për 30 vjet.
Në garë ishin tre kompani:
1. Bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Catalyst Viva Das General Constructing LLC”, “Salillari” LTD, “Violap Ateve”, “Bee Tech” dhe “Kastrati” SHA.
2. Bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Vendeka Bilgi Teknolojileri Ltd”, “PT Citra Marga Nusaphala Persada TDK” “Mehmet Ai Unal Insaat Taahhlil Madencilik San. Ve Tic. A.S” “Savronik Sistem Tah.San.Tic A.S”, “Vendeka Europian Investment B.V”.
3. Luman Biba.
Në njoftim e MTI-së thuhet se, “oferta e depozituar nga Luman Biba ishte një faqe bosh, nuk kishte asnjë dokument, madje as ofertë dhe në këto kushte komisioni vendosi të mos e marrë në shqyrtim. Oferta e paraqitur nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive i kryesuar nga ‘Catalyst Viva Das General Constructing LLC’ ka paraqitur ofertën që përmban kërkesë për subvencion në shumën 4,995,000 euro, investim fillestar të propozuar në shumën 43,409,518 euro dhe investim në vazhdimësi në mirëmbajtje dhe operim të rrugës në shumën 217,562,056 euro. Oferta e paraqitur nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive i kryesuar nga ‘Vendeka Bilgi Teknolojileri Ltd’ ka paraqitur ofertën që përmban kërkesë për subvencion në shumën 5,600,000 euro, investim fillestar të propozuar në shumën 50,622,174 euro dhe investim në vazhdimësi në mirëmbajtje dhe operim të rrugës në shumën 320,604,079 euro”.“Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka shqyrtuar në bashkëpunim të ngushtë me IFC në mënyrë të detajuar dhe të thelluar të dyja ofertat e paraqitura nga bashkimet e përkohshme të shoqërive, duke patur parasysh objektivin kryesor në këtë koncesion, përcaktimi nëse një ofertues ka kapacitetin e nevojshëm dhe të domosdoshëm për ta implementuar këtë projekt në mënyrë të suksesshme. Në përfundim, pasi mori edhe rekomandimin e IFC, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave vendosi të shpallë ofertë të preferuar, atë të paraqitur nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive i kryesuar nga ‘Vendeka Bilgi Teknolojileri Ltd’. Kundër këtij vendimi mund të ushtrohet ankim ne Komisionin e Prokurimit Publik”, citon njoftimi i MTI-së.
SYRI.net