Rama: Shpresoj të mos vras veten, jam në situatë skizofrenie

Edi Rama sërish ka folur për një medium perëndimor. Kësaj radhe për “Das Magazin”, një shtojcë javore e gazetës zvicerane “Tages Anzeiger” dhe disa gazetave të tjera zvicerane. Ashtu si në shtator të vitit 2015, kur kishte folur për një gazetë rajonale zvicerane, edhe gazetarëve të “Das Magazin” Rama u ka thënë atë që mendon për Zvicrën: “një vend monoton”, madje kësaj radhe e ka sforcuar pak tonin – sipas tij Zvicra është “monotone për vdekje”. Në hyrje të intervistës, gazetarët tregojnë se ishin të befasuar me disponimin e keq të Kryeministrit shqiptar gjatë intervistës. Biseda mbaron me këto fjalë të Ramës: “Tani, për fat të keq, më duhet t’ju përzë”.
Intervista e Ramës, e cila botohet në numrin e së shtunës, vjen në fund të një jave kur të gjitha gazetat e botës e kanë lavdëruar Zvicrën si shtet solid, funksional, me politikanë të përgjegjshëm. Shkas për këtë valë lavdërimesh ishte hapja e tunelit më të gjatë në botë të enjten (57 kilometra). “Zvicra e turpëron Europën”, shkroi gazeta konservatore “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, duke qortuar gjermanët që ende s’po arrijnë ta përfundojnë as Aeroportin e Berlinit, as hekurudhën e re në drejtim të Baselit. Për italianët të mos flasim fare: pjesën e tyre të punës nga Milano deri në kufirin me Zvicrën, ata nuk e kanë përfunduar ende.
Për hapjen e tunelit dhe për të gjitha projektet e mëdha infrastrukturore politikanët zviceranë e kanë dëgjuar mendimin e popullit të shprehur në referendum. Ramës nuk i pëlqen kjo. “Çmenduri! Për çdo ide që ke duhet të organizosh referendum”.
Edhe këtë herë, Rama përmend filmin “Wag the Dog” me Robert de Niron, ku “të gjithë ne shqiptarët jemi të çmendur dhe kriminelë”. Në gusht 2015, Rama e kishte kujtuar të njëjtin film kur i kishte dhënë intervistë “Süddeutsche Zeitung”, pastaj kishte shtuar: “Ne nuk jemi si Zvicra. Por ne as që duam të jemi si Zvicra, sepse kjo do të ishte monotone. (…) Derisa të jetoj unë, ne nuk do të arrijmë që gjermanët të vijnë në Shqipëri, sepse shpresojnë në një jetë më të mirë. Udhëtimi do të shkojë përherë në drejtimin tjetër. Nuk mund ta mendojmë më të ardhmen vetëm brenda kufijve të vendit tonë. (…) Do të isha i lumtur nëse shqiptarët do të kishin mundësi të punonin në Gjermani. (…) Nuk jam magjistar”.
Çfarë bie në sy: në gati çdo intervistë, Kryeministri i Shqipërisë flet fjalët e njëjta, jep shembujt e njëjtë, arsyetimet e njëjta, kryesisht cinike.
Në vijim disa nga përgjigjet e Edi Ramës nga intervista në “Das Magazin” të “Tages Anzeiger”.
Për Zvicrën: “Si kryetar i Tiranës një herë kam kaluar andej (nëpër Zvicër, v.j.) dhe mendova: këtu s’dua të jem kurrë kryetar Bashkie. S’ke çfarë të bësh”.
A do të përkrahni Shqipërinë I apo Shqipërinë II në Kampionatin Europian të futbollit? “Shqipërinë I, padyshim. Madje dy vëllezër do të përballen, kjo është mjaft bizare. (…) Ekipi i Zvicrës ka më shumë përvojë. Do të ishim të kënaqur me rezultatin 1:1”.
Për vëllezërit Xhaka: “Do të dëshiroja t’i shihja këta dy vëllezërit të luajnë bashkë për Shqipërinë. Më kujtojnë shqiponjën në flamurin tonë: njëri shikon Shqipërinë, tjetri Zvicrën”.
Talentin e shqiptarëve të Kosovës për futboll Rama e shpjegon me historinë e emigrimit. Kosovarët kanë emigruar shumë më herët, ata kanë pasur shansin të mësojnë këtë lloj sporti në mënyrë profesionale në shoqëritë përkatëse perëndimore.
I pyetur nëse në Shqipëri diskutohet për faktin se kosovarët luajnë kundër shqiptarëve në ekipin kombëtar, Rama i bie shkurt: “S’po e kuptoj pyetjen”. Në sqarimin e gazetarëve se në Zvicër e djathta politike thotë se në ekipin kombëtar ka shumë të huaj, Rama përgjigjet: “Ndoshta orët dhe ekstremistët e djathtë janë e vetmja gjë origjinale në Zvicër? Për ju shpresoj të mos jetë kështu”.
Për imazhin: “Kush dëshiron të përmirësojë imazhin, duhet të ndryshojë veten. Duhet ta zhvillojmë vendin, rajonin. Po punojmë për këtë. Po përparojmë, ngadalë, por pandërprerë. Shqiptarët dhe kosovarët e zellshëm që punojnë jashtë vendit për çdo ditë japin kontributin e tyre. Gjendja nuk është e njëjtë si në vitet ’90, kur shumë shqiptarë janë sjellë në mënyrë të pahijshme dhe kësisoj i kanë krijuar bazat për paragjykimet e tmerrshme ndaj shqiptarëve”.
Arsyen e papunësisë në Shqipëri Rama e sheh te diktatura që zgjati më shumë se 4 dekada. I pyetur nëse është korrekte të thuhet se Rama është personi i dytë për nga rëndësia në Shqipëri pas ambasadorit amerikan, ai thotë: “Çfarë thoni? Unë jam më i madh se ai. Së paku sa i përket gjatësisë trupore”. Dhe vazhdon me përralla cinike: “I duam amerikanët. Së paku sot kështu. Enver Hoxha, ish-diktatori ynë, gjatë një gjysmë shekulli ka bërë reklamë falas për SHBA-të, duke i mallkuar ato për çdo ditë. Madje edhe t’i biesh saksofonit ka qenë e ndaluar. A ka diçka më atraktive se të hysh në lojë me djallin?”.
Në vijim të intervistës, Rama përmend si sukses të qeverisjes së tij reformën në fushën e energjisë, lavdëron qasjen e Angela Merkel ndaj refugjatëve, thotë se një ndër rreziqet më të mëdha është injoranca e Europës ndaj myslimanëve, mendon se “politika është fantastike”, “një instrument për të përmirësuar jetën e njerëzve” – dhe në fund analizon veten e tij: “Jam në një situatë skizofrene mes artit dhe politikës dhe shpresoj shumë se më pret edhe një jetë e tretë. Një jetë në të cilën nuk duhet të ketë kundërthënie mes dy poleve. Por për të arritur këtë më duhet t’i them lamtumirë politikës”.
Në këtë intervistë, Edi Rama ka folur sërish edhe për Donald Trumpin…

Intervista/Trump, ilustrim i injorancës amerikane

Das Magazin: Tingëllon qartë, por pak e thjeshtëzuar.
Edi Rama: Shikoni në Amerikë. Donald Trump është një shembull jashtëzakonisht alarmant i asaj që mund të shkaktojë injoranca. Suksesi i tij është i bazuar në shfrytëzimin e ndjenjave krejtësisht irracionale anti-myslimane të simpatizantëve të tij. Ka 1.5 miliardë myslimanë në botë. Nga këto, vetëm 150 000 janë të mbledhur në grupime të rrezikshme aktive. Kjo në shifra është vetëm 0.01 për qind. Faktet dhe shifrat mund të jenë bindëse. Por së pari duhet të merren parasysh, duhet të njihen. Në boshllëqet që krijon injoranca, aty lulëzon urrejtja.

Das Magazin: Dhjetë vjet më parë, një miku juaj i ngushtë kishte thënë për ju: “Edi është i dashuruar me politikën. Ai flet për politikën me të njëjtin entuziazëm që flet për një grua, me të cilën ka rënë në dashuri.” Si është marrëdhënia juaj sot me politikën? Dhoma gjumi të ndara ? Apo gati për divorc?
Edi Rama: Jo, politika është fantastike. Është një instrument për të përmirësuar jetën e njerëzve. Fakti që ajo mund të shkaktojë dëme, nuk ndryshon asgjë. Politika nuk është më pak e rrezikshme për shkak se ajo mund të krijojë iluzione. Sidomos vetë politikanët janë të ndjeshëm. Për pjesën time, unë shpresoj se do të jem mirë nga mendja, kur të heq dorë.

Das Magazin: Revistës “Neë Yorker” i keni thënë se kalimi juaj nga Arti në Politikë, ka qenë “sikur të kesh ndryshuar seks, gjini”.Çfarë ka mësuar politikani Edi Rama nga Arti ?
Edi Rama: Arti më ka ndihmuar të kuptoj fuqinë e imazheve që e kanë prejardhjen nga kultura. Dhe unë e di se duhen shumë e shumë mënyra për të komunikuar me njerëzit. Në të kundërt, shpresoj që të mos kem përfituar si artist nga politika. Sepse do të ishte pastaj një katastrofë e vërtetë.

Das Magazin: Si e konsideroni veten një artist apo një ish-artist ?
Edi Rama: Jeta më ka përqafuar në një mënyrë të tillë, që ma bën gati të pamundur të them me një përcaktor të qartë se kush unë jam. Jam në një gjendje skizofrenike midis artit dhe politikës dhe shpresoj shumë që të ketë një jetë të tretë për mua. Që të mos jetë nevoja e kontradiksionit midis dy poleve të tjerë. Por për të shkuar tek ajo jetë, mua do të më duhej që të ndahesha nga politika.

Das Magazin: Thuhet se pushteti e ndryshon njeriun.. A vlen kjo për ju?
Edi Rama: Shikoni fotot e mia gjatë fushatave elektorale. Dhe më shihni mua tani. Ju shikoni një person që është plakur me shpejtësi. Kjo nga ana tjetër është një reflektim i asaj që po ndodh brenda meje. Më ka bërë politika mua një njeri të keq ? Nuk mund të jap unë përgjigje për këtë. Shpresoj që jo.

Das Magazin: Ju keni qenë  anëtar i ekipit kombëtar të basketbollit shqiptar dhe fizikisht keni qenë shumë i përgatitur, por megjithatë nuk keni mundur ta parandaloni dhunën fizike që është ushtruar ndaj jush gjatë periudhës të lëvizjes demokratike. Ajo eksperiencë çfarë përvoje ka qenë për ju?
Edi Rama: Një përvojë e tmerrshme. Ju humbni një pjesë të autonomisë. Kur besimi në trupin tënd është tronditur.

Das Magazin: Niklaus Meienberg, gazetari më i rëndësishëm zviceran në vitet shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë, me një staturë gjigande, i ka përshkruar pasojat e një sulmi shumë të ngjashëm. Ai kurrë nuk është shëruar me të vërtetë nga kjo dhe më pas kreu vetëvrasje.
Edi Rama: Këtë unë e kuptoj… dhe shpresoj që një ditë të mos e vras veten. (Ai shikon orën dhe ngrihet nga tavolina). Tani me keqardhje më duhet t’ju flakë përjashta.

Exit mobile version