Familjarët e dy banesave 100-vjeçare në qytet tregojnë për natën e frikshme, kur toka nisi të rrëshkasë dhe muret u krisën. Muret u janë çarë mes për mes. Themelet kanë lëvizur dhe toka po u rrëshket nga këmbët. Dy banesa 100-vjeçare në “Çfarë” të Gjirokastrës e njohur nga lagjet më të vjetra të qytetit të gurtë, po shemben. Ngjitur me njëra-tjetrën aty jetojne dhjetë vetë. Kur toka dridhej dhe muret kërcisnin ata u tmerruan.
Drejtori i Shërbimit Gjeologjik Gjirokastër, Çano Nora, tregon se zona është problematike për shkak të formacioneve të paqëndrueshme dhe prurjeve të përroit të Nanxës. Duhen prita për të evituar shembjen e tyre.
Vetëm në qytetin e Gjirokastër, 16 banesa ndodhen në gjendje të tillë. Reshjet e dendura, të cilat u pasuan me çarje të tokës, janë shkak i situatës. Por rreziku më i madh është tek ato shtëpi që janë ndërtuar pranë përrenjve që me raste kanë prurje të pakontrollueshme.