Në zemër të përmbytjes, banorët e Ferrasit: U harruam nga qeveria

Përmbytjet kanë shkaktuar dëme kolosale në të gjithë vendin, duke shkatërruar miliona lekë pasuri të qytetarëve, të bizneseve, por edhe veprave publike, ku vërshimi i ujërave përmbyti rrugë nacionale dhe shkatërroi ura ekzistuese dhe të sapondërtuara. Përmbytjet u ndjenë pothuajse në të gjithë vendin, por dëme më të mëdha u shkaktuan në Jug të vendit, duke i gjetur edhe një herë të papërgatitura institucionet shtetërore, edhe pse prej disa ditësh ishte paralajmëruar stuhia. Një nga zonat më të goditura ishte pikërisht fshati Ferras në Fier, ku u përmbyten rreth 250 shtëpi dhe disa biznese me kultura bujqësore.
Banorët shprehen se janë harruar nga qeveria. “Më kërkuan të evakuohesha, po ku të shkoja?! Të lija shtëpinë?! Kisha gjithçka aty. Këtu është komplet bufeja faqe muri që e ka zënë uji. E ka zënë 30-40 pond. Frigoriferi është këtu brenda, motori ka mbaruar, s’bën më. Asnjë ndihmë nuk kemi marrë. Shteti na ka harrur në mes të ujit dhe baltës”, thotë një banor i Ferrasit.
Dëmet që ka lënë vërshimi i lumit Vjosë duken qartazi, në rrugë, në oborre, brenda shtëpive. Nga ky fshat u evakuuan 26 banorë, ndërsa të tjerët nuk pranuan të braktisnin banesat. Ditën e djeshme, pas tërheqjes së ujit, fëmijë, gra e burra pastronin shtëpitë, për t’i kthyer ato në normalitet. 12-vjeçarja Anxhela Braka tregon frikën dhe apelon për ndihmë. “Kur erdhi lumi ne ishim të gjithë në gjumë. Dëgjuam disa zëra që po bërtisnin, disa njerëz dhe dolëm menjëherë jashtë në derë. Vete i thërras babit, ai na merr të gjithëve dhe na çon tek shtëpia e nënës. Më është dashur e gjithë pasditja ta pastroj shtëpinë. Të na ndihmojnë të paktën me ushqime, sepse kemi shumë pak dhe nuk na dalin”, thotë ajo.
Banorët e këtij fshati shprehen se nuk kanë besim tek qeveria për dëmshpërblimet e përmbytjeve. Për ta nuk është hera e parë që lumi vërshon drejt tyre. Kjo ka ndodhur edhe në 2015, por prurjet e Vjosës këtë vit ishin shumë më të mëdha. Por ndryshe nga herët e tjera, dëmet janë më të pakta, kjo sepse kjo përmbytje banorët e Ferrasit nuk i zuri në befasi. “Çfarë bëra? Ja i ngrita lart në blloqe, me kolltuqe, me dollap me tavolina”, thotë Nazime Braka.
Nga 370 familje, 250 janë të dëmtuara nga përmbytjet, sipas Zyrës së Emergjencave në Prefekturën e qytetit Fier. Sipas banorëve ende nuk ka ardhur një grup pune për të përllogaritur dëmet. “Në 2015 na ra shtëpia nga lumi Vjosë, me gjithë ça kisha brenda, asnjë gjë nuk më shpëtoi fare. Kam tre vjet, më dha shteti një çadër dhe çadra u kalb sa ma mori lumi parmbrëmë. Ku të vemi? Ku të shkojmë”, deklaron Rezmie Aliaj.
Zemërimi i Vjosës nuk kurseu as fermerët e zonës së Ferrasit. “Dëmet?! Nga t’ja filloj më parë, nga viçat, a nga ushqimi i lopëve?! Nga ullinjtë?! Po shteti duhet të na sigurojë, edhe njëfarë të drejte që ne kur të vemi tek siguracioni mos të na kthejnë mbrapsht, sepse sa u themi që jemi nga fshati Ferras na thonë që nuk mundemi të bëjmë siguracion, sepse ju jeni problematikë çdo vit”, thotë fermeri Ylli Bana.
Njerëzit janë të rraskapitur pas tri ditësh përballje me vërshimin e Vjosës. Lumi u mori të gjitha përpara syve. Nga njëra anë humbja dhe në anën tjetër tmerri. Rrjedhja ishte e fuqishme dhe e papritur. Tani banorët po tentojnë t’i kthehen normalitetit. Llumi dhe balta në disa shtëpi është ende prezent.
Evakuimi nuk ishte një opsion për këta banorë. Ata e kanë lidhur jetën e tyre me shtëpitë dhe gjënë e gjallë. Ndryshe nga 2 vjet më parë, kanali i Martinës që kalon në anën perëndimore të fshatit Ferras nuk e përballoi vërshimin e ujit, duke e derdhur me forcë nëpër banesa.
Në fundjavë u përmbyten 350 banesa në Fier. Nga këto 250 vetëm në Ferras. Dëmet në bujqësi janë të rënda, por bilanci zyrtar ende nuk është. Verifikimi në terren ka nisur në të gjitha zonat e përmbytura, duke filluar nga fshati Frakull, Cervem, Ferras, Povelçë dhe Darëzezë. Nën ujë janë ende 3500 ha tokë bujqësore kryesisht në zonën e Darëzezës.
Përveç Ferrasit, në Fier nga përmbytjet u prekën edhe zona Kashisht, Boçovë, Çervenë, Poro, Hoxharë e Re, duke lënë pas tek banorët vetëm shpresën se shteti do të kthejë kokën nga ata për t’i dëmshpërblyer nga kjo fatkeqësi natyrore, për të cilën nuk u mor asnjë masë paraprake për minimizimin e dëmeve masive.

Banorët e Urës Vajgurore: Ta gjitha na i mori lumi

Në fshatin Çiflik në Urën Vajgurore u përmbytën 15 banesa, si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Osum. Banorët shprehen se as kryeministri Rama gjatë vizitës së tij në këtë bashki si edhe asnjë komision për verifikimin e dëmeve nuk ka mbërritur në terren. Tokat bujqësore janë nën ujë, ndërkohë banorët thotë se kanë humbur të gjithë pasurinë e tyre si pasojë e kësaj përmbytje.
Banorët thonë se, në disa shtëpi uji arriti deri në 1 metër e gjysmë, duke u shkatërruar plotësisht të gjitha orenditë. Sipërfaqe të konsiderueshme me sera dhe toka të mbjella me kultura të stinës janë dëmtuar nga vërshimet e ujit.
Banorët treguan se lumi u mori bagëtitë dhe rezervat ushqimore. “Grurin, misrin, tërshërën, tagjinë e bagëtive, të gjitha i mori lumi”, thotë një banor. Banorët e Çiflikut, thonë se u harruan nga kryeministri dhe Bashkia që e përqendroi vëmendjen vetëm në qytet. “Isha gati të shkoja t’i thoja mos shiko urën, por hajde shiko dëmin që është bërë këtu”, thotë një tjetër.
Nga ana tjetër burime pranë Bashkisë së Urës Vajgurore bëjnë me dije se, komisioni për verifikimin e dëmeve nga përmbytja që ka nisur nga puna do të përfshijë edhe fshatin Çiflik.

 

Exit mobile version