Rritja e çmimeve prek edhe tekstet shkollore. Janë vet prindërit ata që ngrejnë shqetësimin, ndërsa deklarojnë se këtë vit pavarësisht deklaratave të Ministrisë së Arsimit se çmimet do të jenë po të njëjtat, ndihet një rritje e ndjeshme e tyre. Ndryshe nga sa ishte lajmëruar nga Ministria e Arsimit, shitja e librave për nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme nis ditën e hënë. Ndërkohë shkollat kanë afishuar listat me librat që prindërit duhet t’u blejnë fëmijëve dhe çmimin përkatës që varion nga 1,825 lekë për klasat e para në 4.295 lekë për klasat e 9. Por edhe pse çmimi i shitjes nuk ka ndryshuar për shumë prej librave krahasuar me vitin e kaluar, të afërmit e nxënësve shprehen për mediat se çmimet aktuale janë të larta dhe të papërballueshme. “Librat shkojnë 60 mijë lekë. Ka dhe shpenzime të tjera, jo fletore, jo lapsa, mjete të tjera, domethënë 100 mijë lekëshi, dhe i bie barabartë me 2/3 e pensionit tim. Është e vështirë për t’u përballuar, do rrimë pa bukë, t’i japim fëmijës librin”, shprehet një qytetar. Shumica e familjeve shqiptare, këtë çmim të librave zor se e përballojnë. Shpërndarja e librave në pikat e librarive pranë shkollave ka përfunduar tashmë dhe pritet pajisja e nxënësve, të cilët nisin në datë 11 shtator vitin e ri shkollor. Autoritetet arsimore garantojnë nxënësit se nuk do të ketë mungesë të botimeve, ndërsa u bëjnë apel të mos e lënë në ditët e fundit blerjen e tyre për të shmangur rradhët e gjata. Ka nisur shpërndarja e teksteve në pikat e licencuara pranë shkollave ku mësojnë nxënësit. Nga këto kancelari, librari ose pika të tjera prindërit dhe nxënësit duhet të blejnë librat shkollorë sipas katalogëve përkatës. “Procesi i shitjes së teksteve ka filluar. Pra, njësi tregtare që janë pranë shkollave dhe distributorët që janë në qytetet e Shqipërisë kanë filluar shpërndarjen e teksteve dhe shitjen e teksteve për nxënësit e këtyre qyteteve”. Drejtorja e Arsimit parauniversitar, Zamira Gjini, garanton nxënësit se nuk do të ketë mungesë të teksteve, pasi botuesit kanë printuar në kohë librat në bazë të kërkesave të shkollave. “Kemi rreth 170 tekste në katalogun shkollor, tekstet e klasave nga e para në të nëntën janë shpërndarë që një javë përpara nga botuesit në të gjithë Shqipërinë, nuk ka mungesë të teksteve nga katalogu i teksteve shkollore”. Lëndët shkencore të klasave 2 dhe 7, si dhe klasa e 10 në gjimnaz, do të mësojnë me tekste të shtëpive botuese Cambrige, Oxford, Peason. “Tekstet e matematikës, e shkencave të natyrës, kemi tekste të përkthyera nga shtëpitë botuese Cambrige, Oxford dhe Peason, që janë përkthyer dhe përshtatur nga botuesit shqiptarë dhe janë përzgjedhur në shkollat tona”. Autoritetet e Arsimit i bëjnë thirrje nxënësve të mos i lënë në ditë të fundit blerjet e librave me qëllim shmangien e rradhëve, ndërsa thonë se ky proces do të monitorohet nga Ministria e Arsimit dhe Inspektoriati Shtetëror i Arsimit. Megjithatë, procesi mbetet për t’u parë. Nisur nga eksperienca e një viti më parë, ku një kaos i vërtetë dhe amulli shoqëroi gjithë procesin, duke nisur që nga mungesa e teksteve shkollore, çmimet e deri tek pazaret me shtëpitë botuese.
Vendosja e çmimeve
Çmimet e teksteve të reja, të cilat iu nënshtruan procesit të vlerësimit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit për vitin shkollor 2017-2018, propozohen nga subjektet dhe vlerësohen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, sipas metodologjisë së mëposhtme: Çmimet e teksteve dorëzohen nga subjektet në MAS, në zarf të mbyllur, sipas udhëzimeve përkatëse dhe i nënshtrohen procesit të vlerësimit. Pas përfundimit të afatit të dorëzimit dhe vlerësimit të teksteve, Komisioni i Vlerësimit të Teksteve Shkollore, i ngritur në MAS, në prezencë të shtëpive botuese apo subjekteve, bën hapjen dhe leximin e çmimeve të propozuara për tekstet nga subjektet dhe një kopje të procesverbalit të hapjes e vë në dispozicion të palëve pjesëmarrëse në proces. Pas përfundimit të procesit të vlerësimit dhe renditjes së teksteve, për tekstet që rezultojnë fituese, MAS bën përllogaritjen dhe vlerësimin e çmimit mesatar aritmetik, ose çmimit tavan të teksteve të miratuara. Çmimi mesatar aritmetik ose çmimi tavan përllogaritet si shumatore e çmimit të teksteve fituese për një tekst të caktuar, pjesëtuar me numrin e teksteve fituese. Ky çmim tavan aplikohet për ato tekste, për të cilat çmimi i propozuar nga subjekti e tejkalon çmimin tavan, ndërsa për tekstet e ofruara me çmim poshtë çmimit tavan do të shiten me çmimin e ofruar nga subjekti. Nëse çmimi tavan i përllogaritur nga MAS-i ose çmimet e propozuara poshtë çmimit tavan nga subjektet, për tekstet e vlerësuara, tejkalojnë marxhin sa norma e inflacionit mbi çmimin tavan të tekstit analog të të njëjtit tekst të aplikuar në vitin e mëparshëm, MAS i kërkon subjektit analizë të detajuar të çmimit dhe vlerëson çmimin e propozuar nga subjekti, por çmimi përfundimtar nuk duhet të tejkalojë marxhin sa norma e inflacionit për vitin aktual mbi çmimin tavan të tekstit analog i aplikuar në vitin e mëparshëm. Për vlerësimin e çmimit të përmbajtjeve digjitale, do të operohet me të njëjtën procedurë si më sipër, por për këto përmbajtje, kufiri maksimal nuk duhet të tejkalojë marxhin prej plus 50% të normës së inflacionit mbi çmimin e tekstit analog në formatin hard-copy. Por, referuar kufizimit të vendosur, nëse çmimi i tekstit të matematikës nga tekstet që kanë qarkulluar vitin e mëparshëm ka qenë 485 lekë, çmimi i vlerësuar dhe pranuar nga MAS-i, nuk mund të jetë më shumë se 502 lekë (485 lekë * marxhi maksimal 3,5%), për tekstet e printuara dhe jo më shumë se 510 lekë (485* marxhi maksimal 5.25%), për përmbajtjet digjitale, vetëm në ato raste kur çmimet e ofruara nga subjekti apo çmimi tavan i përllogaritur nga MAS-i tejkalon këtë kufi.
Tekstet e reja dhe çmimet
Për tekstet, të cilat hyjnë në qarkullim për herë të parë dhe nuk ka tekste analoge që mund të përdoren si referencë nga viti i mëparshëm, vlerësimi i çmimit bëhet nga MAS-i, bazuar në çmimin mesatar aritmetik/çmimin tavan, sipas mënyrës së, pra në këtë rast nuk mund të aplikohet kufizimi i vendosur lidhur me kufirin e marxhit maksimal. Për vlerësimin e çmimit të teksteve të reja, të cilat paraqiten me ndryshime në orët mësimore, në krahasim me tekstet analoge të aplikuara në vitin e mëparshëm, vlerësimi i çmimit bëhet nga MAS-i, duke marrë parasysh raportin rritës ose zbritës të ngarkesës mësimore, bazuar në çmimin tavan. Në ketë rast, çmim tavan do të konsiderohet çmimi që del sipas formulës: Çmimi i tekstit analog të vitit të kaluar x koeficientin e planit mësimor.