Rritet sipërfaqja e tokave të përmbytura në Shkodër, mbi 700 familje të izoluara

Prej datës 6 Mars qindra banorë janë të përmbytur në ultësirën e Shkodrës. Reshjet e shiut dhe shkrirja e borës ka bërë që të shkarkohen sasi të mëdha uji nga HEC-et mbi kaskadën e Drinit. I gjithë ky ujë përfundon në Bushat, Berdicë e Dajç.
Sot, Ministria e Mbrojtjes raporton se sipërfaqja totale e tokës së përmbytur ka arritur rreth 2620 ha. Kujtojmë se një ditë më parë, sipërfaqja e përmbytur ishte rreth 1800 hektarë.
Më poshtë sipërfaqja e përmbytur në secilën njësi administrative
Njësia Administrative Bushat: 370 ha tokë të përmbytur.
Njësia Administrative Bërdicë: 280 ha tokë të përmbytur. Niveli i ujit ka pësuar rritje në mënyrë graduale.
Njësia Administrative Dajç: 785 ha tokë të përmbytur.
Njësia Administrative Ana e Malit: 1150 ha tokë të përmbytur. Niveli i ujit ka pësuar rritje. Në fshatin Obot kalimi është bërë i mundur vetëm me varka. Bashkia Shkodër vazhdon me anë të 2 mjeteve autobotë furnizimin e banorëve me ujë të pijshëm.

Njësia Administrative Guri i Zi: 5 ha tokë të përmbytur.
Fenomeni i erozionit në tokat bujqësore ka vazhduar. Në fshatin Juban, në afërsi të Malit të Vukatanës, ka vazhduar gërryerja e tokës.
200 efektivë të batalionit të këmbësorisë të Vaut Dejës kanë vazhduar me operacionet për transportimin e komunitetit në fshatin Obot dhe shpërndarjen e pakove ushqimore dhe koncentratit për bagëtitë.
Janë mbi 700 banorë të izoluar nga uji që nuk mund të lëvizin nga banesat e tyre pa ndihmën e ushtrisë.

Exit mobile version