Rruga Euroatlantike: Përballë korrupsionit dhe kaosit politik

Nga Myzafer Elezi

Prej disa vitesh, situata politike në Shqipëri është në një gjendje të trazuar. Pavarësisht skandaleve politike që ndjekin njëra-tjetrën, kryeministri vazhdon të drejtojë vendin me ministra që ndryshojnë pozitat shpeshherë, ndërkohë që Shqipëria mban vendin e parë në Ballkan për numrin më të lartë të azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Evropian. Korrupsioni vazhdon të mbetet një nga pengesat kryesore për shoqërinë shqiptare dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Nga ana tjetër, opozita është në një përçarje të pashembullt. Aksionet e Partisë Demokratike (Rithemelimi) shpesh pasqyrojnë një lëvizje të paqëndrueshme që herë ngrihet duke shkaktuar kaos në Parlament, përplasje verbale e fizike, madje deri në hedhjen e tymueseve dhe djegien e karrigeve, dhe herë bie në heshtje, në varësi të negociatave me shumicën parlamentare.

Në të njëjtën kohë, SPAK ka ndërmarrë aksione kundër individëve dhe grupeve kriminale për vepra të ndryshme penale. Politikanë të nivelit të lartë, duke përfshirë zv.kryeministra, ministra, sekretarë të përgjithshëm dhe drejtorë, janë hetuar ose dënuar për korrupsion. Madje edhe disa ish-kryetarë bashkie, kryetarë në detyrë apo të shkarkuar, janë përfshirë në hetime.

Pavarësisht deklaratave të qeverisë për mbështetjen e SPAK, një iniciativë e re për “reformimin e sistemit gjyqësor” duket se synon të kufizojë pavarësinë e drejtësisë dhe të kontrollojë organin e akuzës.

I vetmi subjekt politik që prej krijimit të SPAK ka deklaruar mbështetje pa kushte për këtë institucion është Partia Demokratike – Demokratët Euroatlantikë, e udhëhequr nga Lulzim Basha. Ai ka theksuar vazhdimisht nevojën për forcimin e SPAK-ut dhe ka ngritur zërin në institucionet ndërkombëtare për çështjet që shqetësojnë shqiptarët, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Gjithashtu, ka propozuar në Kuvend një sërë reformash legjislative të cilat kërkonë shumicë të cilësuar, ku ndër kërkesat kryesore janë:

• Vettingu i politikanëve, për të pastruar politikën nga individë me lidhje kriminale;

• Heqja e imunitetit të deputetëve, duke i hapur rrugën hetimeve të plota nga SPAK për çdo deputet, politikan apo zyrtar të dyshuar për korrupsion;

• Votimi dhe numërimi elektronik, për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor;

• Votimi i shqiptarëve në diasporë, duke përfshirë zërin e tyre në të ardhmen politike të vendit;

• Listat e hapura, për të siguruar që në Parlament të shkojnë deputetë me mbështetjen e qytetarëve dhe jo të emëruar nga kryetarët e partive.

Fatkeqësisht, marrëveshja mes qeverisë dhe opozitës, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ka rezultuar në mbylljen e listave dhe lirimin e të korruptuarve përmes amnistisë që të dyja palët kanë përgatitur dhe votuar së bashku. Listat e mbyllura nuk janë asgjë tjetër veçse një marrëveshje për të ndarë mandate mes tyre. Pa mbështetjen e opozitës, shumica nuk do të kishte mundur të mbyllte listat apo të lironte të korruptuarit.

Ndërkohë, Lulzim Basha, në kundërshtim me të ashtuquajturit “liderë” të reformës zgjedhore që shpifin ndaj tij, mbetet një burrështetas i vërtetë euroatlantik. Ndërsa opozita përplaset dhe parlamenti digjet, Basha ka vazhduar me dinjitet përfaqësimin e Shqipërisë në Këshillin e Europës, duke e mbajtur të lartë agjendën e vendit në arenën ndërkombëtare.

Ky është modeli i udhëheqësit që i duhet Shqipërisë. Shqipëria meriton një burrështetas të vërtetë euroatlantik, dhe jo politikanë të përfshirë në marrëveshje për interesa personale, pa ndjeshmëri ndaj halleve të qytetarëve, korrupsionit galopant, ekonomisë së shkatërruar dhe të rinisë që po braktis vendin.

Exit mobile version