Rusi, peticion për shkrirjen e kombëtares së futbollit

Largimi i turpshëm nga Euro 2016, ku kombëtarja e Rusisë bëri një figurë të shëmtuar, ashtu si edhe tifozët e saj në Marseille me aktet e huliganizmit, ka krijuar një atmosferë të tensionuar mes palëve. Gjatë ditëve të fundit, mbështetësit e kombëtares ruse kanë shkruar një peticion online për shkrirjen e kombëtares, që është firmosur nga rreth 500 mijë persona. Ata i kërkojnë qeverisë shkrirjen e kombëtares dhe ndërtimin e një skuadre tërësisht të re, pa asnjë lidhje me atë që u prezantua në Francë. Me paratë që do të kursehen nga ky operacion, propozohet ndërtimi i fushave sportive për të rinjtë.
Qeveria është përgjigjur menjëherë, duke bërë me dije se ky peticion do t’i propozohet Ministrisë së Sportit. Një situatë aspak komode për drejtuesit më të lartë të futbollit rus, pasi vetëm 2 vjet më pas është pikërisht Rusia që do të presë Botërorin dhe një kombëtare e dobët do të ishte reklama më e keqe për futbollin rus. Situata ka shkuar deri në atë pikë sa një grup lojtarësh diletantë kanë sfiduar kombëtaren aktuale, duke i kërkuar një ndeshje për të treguar se ata janë një skuadër më e mirë. Një propozim gati-gati i pabesueshëm, që synon të nxjerrë në pah nivelin e dobët të kombëtares ruse. A do të luhet kjo ndeshje? Hipotezën kanë nisur ta besojnë përditë e më shumë në Rusi.

Exit mobile version