Ushtria e Ukrainës është në gatishmëri të lartë, ndërkohë që tensionet me Rusinë po rriten. Kievi e ka akuzuar Moskën për shtim të pranisë së trupave të saj në gadishullin e Krimesë që Rusia e aneksoi dy vjet më parë. Ndërkaq, Moska akuzon Kievin për një inkursion në Krime. Disa ekspertë thonë se kjo mund të jetë një kohë e përshtatshme për një konflikt, pasi vëmendja e botës është diku tjetër.
Dy vjet më parë në Sheshin e Pavarësisë në Ukrainë policia qëllonte mbi protestuesit në shesh. Më shumë se 50 njerëz u vranë nga një distancë e afërt. Trazirat rezultuan në rrëzimin e presidentit pro rus, Viktor Janukoviç dhe aneksimin e mëvonshëm të Krimesë nga Rusia.
Tani, ushtria ukrainase është në gatishmëri të lartë, e frikësuar nga mundësia e një konflikti tjetër me Rusinë. Moska javën e kaluar mbylli tri pikëkalime në kufirin mes Krimesë dhe Ukrainës. Kievi akuzon Rusinë për shtim masiv të trupave në rajonin e Donbasit dhe përgjatë kufirit mes dy vendeve.
Phillip Karber i Fondacionit “Potomac” thotë se lëvizjet kanë potencial të qartë pushtimi.
“Ata kanë riorganizuar armatën e 20-të dhe kanë krijuar gardën e parë mbrojtëse të armatës së tankeve. Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, rusët nuk kanë pasur armatë tankesh. Tani e kanë krijuar atë”.
Rusia po e akuzon Ukrainën për provokime duke planifikuar operacione bastisjeje në Krime. Moska ka publikuar një video të një të dyshuari të akuzuar për planifikim të bombardimit të infrastrukturës në Krime. Presidenti Vladimir Putin thotë se kjo është një taktikë terroriste.
“Kjo përpjekje për të provokuar një shpërthim dhune, për të provokuar një konflikt, nuk është asgjë tjetër veçse një dëshirë për të devijuar vëmendjen e publikut nga vendi, nga ata që kanë pushtetin në Kiev. Ata duan ta ruajnë pushtetin dhe të vazhdojnë të vjedhin njerëzit e tyre”.
Banorët e Dzhankoit, një qytet në afërsi të kufirit të Krimesë me Ukrainën, njoftojnë për një gjendje të qetë atje.
Bekir Mambetov, banor i qytetit Dzhankoi, Krime:
“Kam parë patrulla policore në disa vende në afërsi të tregut, asgjë të veçantë. Në fakt çdo gjë është e zakonshme”.
Vëzhguesit thonë se të dyja palët duket se janë duke u përgatitur për “diçka të madhe”. Analistët e mbrojtjes në Moskë thonë se një luftë në shkallë të gjerë do ta befasonte botën.
Pavel Felgenhauser është analist i mbrojtjes në Moskë:
“Shtetet e Bashkuara janë të përfshira nga fushata e përçarë e zgjedhjeve, Presidenti Obama është në muajt e fundit në detyrë dhe ka shumë të ngjarë të mos ndërmarrë ndonjë veprim serioz. Evropa është e ndarë nga Brexit, kriza e refugjatëve dhe gjëra të tjera”.
Ekspertët thonë se Perëndimi duhet të krijojë një front të bashkuar për të ndihmuar në uljen e tensioneve. Njëri prej tyre thotë se politikanët perëndimorë duhet të paktën të fillojnë t’i kushtojnë vëmendje këtij problemi.