Ashtu siç pritej edhe Rusia ka reaguar për ngërçin që ka mbërthyer politikën në vendin tonë fqinj në Maqedoni ku nuk po formohet dot qeveria pa zgjedhjeve të fundit. Ministria e Jashtme e Federatës ruse ka dalë me një deklaratë të posaçme mbi zhvillimet në këtë vend duke paralajmëruar përkeqësim të situatës jo vetëm në këtë vend, por në gjithë rajonin tonë. Sipas kësaj ministrie konstatohet një përkeqësim i situatës në Maqedoni, ndërkohë që duket se zgjedhjet e parakohshme të muajit dhjetor, të imponuara nga “bombat e Zaevit” nuk kanë dhënë zgjidhjen e premtuar. Në këtë kuadër Kremlini paralajmëron se ndërhyrja e huaj mund të çojë në shpërthimin e situatës në Maqedoni, por edhe në gjithë Ballkanin.
“Duket se forcat politike në Maqedoni i janë nënshtruar ndikimeve të vrazhda të huaja nën slogane pseudodemokratike. Qëllimi i këtyre aktiviteteve është likuidimi i politikanëve maqedonas që nuk i përshtaten Perëndimit dhe riformatimi i qeverisë në kundërshtim me votën e qytetarëve që ishte në favor të koalicionit të udhëhequr nga Nikolla Gruevski dhe Ali Ahmeti. Është veçanërisht alarmuese që politikanë që përfaqësojnë një komunitet etnik kanë fuqinë për të vendosur bazuar në ultimatume të nxitura nga forca të jashtme, çka bllokon përfaqësimin e komuniteteve të tjera etnike në koalicionin e ardhshëm qeverisës në një vend multietnik dhe multifetar. Manipulimet e paturpshme makiavelike të vullnetit të votuesve mund të çojnë në shpërthimin e situatës në Maqedoni dhe në prishjen e stabilitetit të brishtë në të gjithë Ballkanin”, thuhet ndër të tjera në këtë deklaratë të fortë.