Migrimi i brendshëm në Shqipëri ka luajtur një rol të rëndësishëm në ndryshimin e shpërndarjes së popullsisë midis qarqeve, duke krijuar kontraste të theksuara demografike. Banorët po lëvizin nga zonat rurale drejt qendrave urbane, kryesisht në qarqe si Tirana dhe Durrësi, të cilat ofrojnë më shumë mundësi punësimi dhe shërbime. Ky fenomen ka ndikuar jo vetëm në rritjen e dendësisë së popullsisë në këto zona, por edhe në tkurrjen e popullsisë në rajonet më të largëta.
“Scan Intel” ka përpunuar shifrat për të kuptuar si paraqitet treguesi i dendësisë së popullsisë në qarqet e vendit. Të dhënat pozicionojnë Tiranën si qarkun me dendësinë më të lartë, me 459.1 banorë/ km², pasuar nga Durrësi me 296.2 banorë/km² dhe Fieri me 127.2 banorë/km². Por, krahasuar me të dhënat e CENS 2011 vëmë re se tkurrja nuk ka “kursyer” as këto qarqe. Konkretisht, në një dekadë dendësia e popullsisë në Durrës dendësia ra me 46.8 banorë/km², në Tiranë ra me 5.1 banorë/km². Ndërsa, në Fier, rënia ishte edhe më e theksuar, me një diferencë prej 36.8 banorë/km².
Në kontrast, qarqet periferike si Gjirokastra, Kukësi dhe Dibra kanë dendësi shumë më të ulët, përkatësisht 20.8, 26.1 dhe 41.4 banorë/km². Këto shifra pasqyrojnë emigrimin e vazhdueshëm nga këto zona drejt qendrave më të mëdha urbane ose jashtë vendit. Ndërsa më e normalizuar paraqitet situata në qarqet si Berati, Elbasani dhe Lezha ku dendësia e popullësisë është 78.4 banorë/km², 72.7 dhe 61.3 banorë/km² respektivisht
Dendësia mesatare e popullsisë në Shqipëri është rreth 105 banorë për kilometër katror, një nivel që ka pësuar ndryshime të vogla në vitet e fundit, por tendencat tregojnë një pabarazi të thelluar midis qarqeve. Konkretisht, vetëm Tirana dhe Durrësi kanë dendësi mbi mesataren, dhe kjo ndodh për shkak të infrastrukturës së zhvilluar në këto qarqe.
Po ashtu procesi i plakjes së popullsisë dhe rënia e lindshmërisë, të kombinuara me emigracionin e lartë, kanë ndikuar negativisht në ruajtjen e popullsisë relativisht të re në qarqet me dendësi të ulët.