Sadiku: Shqipëria tani është gati!

Armando Sadiku po përjeton momentin më të mirë të tij. Sulmuesi nga Elbasani është shndërruar në heroin e futbollit shqiptar, duke shënuar golin e fitores ndaj Rumanisë në Evropianin e Francës e duke i dhënë mundësinë kombëtares sonë që të ëndërrojë për një kualifikim të mundshëm në 1/8 e finaleve.
Në një intervistë për të përditshmen “Corriere dello Sport”, Sadiku foli për të gjitha emocionet që e përshkuan në momentin e këtij goli historik për kuqezinjtë. “Që këtu ende nuk arrij ta kuptoj, por shumë njerëz më kanë marrë në telefon. Pastaj janë shokët e mi të skuadrës që ma kujtojnë gjithnjë këtë gol. Sa më shumë kalon koha, aq më i lumtur jam që të gjithë së bashku arritëm diçka madhështore. Shokët e mi më thonë gjithnjë se ka futbollistë të tjerë më të mirë që nuk kanë shënuar në këtë Evropian, kurse unë e bëra një gjë të tillë”, deklaroi Sadiku.
Shpresa që Shqipëria të kalojë mes 16 më të mirave është shumë e madhe për sulmuesin e kombëtares sonë: “Shpresojmë sepse jemi një skuadër që luajmë mirë kur bëhet fjalë për një ndeshje të vetme. Aty ne japim gjithçka, ndërsa në grup lëshuam pak për fat të keq. Por tani shohim ekipet e tjera dhe bëjmë tifo. E nisëm pak me ndrojtje këtë Evropian, por tani jemi gati. Shpresojmë që ta luajmë edhe një ndeshje tjetër për ta treguar këtë”.
Dita pas fitores historike kundër Rumanisë është shoqëruar me një seancë stërvitore në fushën e kompleksit stërvitor në Perros Guirec për kombëtaren shqiptare. Nën urdhrat e trajnerit De Biasi u vendosën vetëm lojtarët që nuk u aktivizuan në sfidën e Lyonit, ndërsa pjesa tjetër ndoqi një program të veçuar në palestër, pishinë apo xhakuzi për të shkarkuar lodhjen muskulore dhe për të rikuperuar energjitë. Trajneri Gianni de Biasi qëndroi në hotel bashkë me përgatitësin atletik, Alberto Bele, ndërsa stërvitja u drejtua nga Tramezzani, i ndihmuar nga Bulku dhe Bogdani. I pranishëm mes lojtarëve që zbritën në fushë ishte edhe trajneri i portierëve, Ilir Bozhiqi. Në total, në fushë zbritën 11 lojtarë ku ra në sy mungesa e Ergys Kaçes, i cili zgjodhi të qëndronte në hotel pas problemeve që pati gjatë rrugës së kthimit nga Bresti në Perros Guirec. Një tjetër mungesë që ra në sy ishte edhe ajo e Taulant Xhakës, i cili vazhdon të ketë probleme shëndetësore. Pas rreth një muaji në grumbullim, në përfundim të ndeshjes me Rumaninë, lojtarët patën mundësinë të takonin edhe të afërmit e tyre, çka ndikoi edhe në humorin e tyre. Seanca e pasdites u shoqërua nga batutat dhe fytyrat e buzëqeshura të skuadrës. Fillimisht grupi nisi disa ushtrime me topin dhe më pas iu nënshtrua punës me kapacitet të plotë.

Exit mobile version