Franca pengu ynë

Burim Kukeli ishte një prej mungesave të mëdha të Shqipërisë, në sfidën e fituar me Rumaninë. Pezullimi me kartonë, që e detyroi ta shihte nga tribuna duelin në Lion mbetet pengu i mesfushorit, që gjithsesi shfaqet i gëzuar për suksesin historik në finalet e një turneu madhor. “Kisha dëshirë të luaja edhe kundër Rumanisë, por jam i lumtur që skuadra mori tre pikë dhe realizuam një fitore historike. Për të gjithë, për ekipin, federatën dhe të gjithë tifozët shqiptarë ishte një fitore e rëndësishme dhe një sukses i madh. Të paktën arritëm një fitore në tri ndeshje të luajtura në Kampionatin Europian”, u shpreh Kukeli.
Kukeli beson se forca dhe energjia e kësaj skuadre vjen nga mentaliteti për të qenë një grup i bashkuar dhe kjo u shfaq te festa e golit të Sadikut. “Mentaliteti i ekipit është që duke mos pasur yje të mëdhenj, të marrim rezultate me vlerat tona. Në çdo tri ndeshje e kemi provuar në fushë. Është puna e fortë në stërvitje, secili mundohet të japë më të mirën në fushë, duke ndihmuar të tjerët. Mentaliteti i ekipit është që të luftojmë deri në fund. Te festa e golit shihet që jemi ekip, sepse festuam së bashku. Sadiku shkoi në stol dhe festoi, të gjithë u bashkuan aty. Të gjithë ishim të lumtur. Fryma e grupit është tejet e mirë dhe ajo na ka sjellë deri këtu ku jemi, në finalet e Europianit”, tha ai.
Mesfushori 32-vjeçar theksoi se humbja në sekondat e fundit me Francën është pengu më i madh i kombëtares në Kampionatin Europian, me kuqezinjtë që gjithsesi vazhdojnë të shpresojnë te kalimi i grupit. “Pengu ynë? Duhej të kishim marrë të paktën një pikë në ndeshjet me Zvicrën dhe Francën dhe tashmë mund të ishim kualifikuar. Me Francën pësuam në minutat e fundit. Por, i kemi ende shanset dhe shpresojmë te ekipet e tjera. Ne e dhamë maksimumin, por tashmë nuk varet më nga ne. Presim dhe të shohim, ne shpresojmë”, tha Kukeli.
Edhe Igli Tare i gëzohet suksesit të parë të Shqipërisë në një kampionat europian. Ish-sulmuesi i kombëtares kuqezi, aktualisht në postin e drejtorit sportiv te klubi italian i Lazios në një intervistë për mediat përtej Adriatikut ka folur për fitoren fantastike që regjistroi Shqipëria ndaj Rumanisë. “Kjo skuadër më ka pëlqyer në të tria ndeshjet që ka zhvilluar në Kampionatin Europian sepse ka përcjellë vlerat e vërteta të popullit shqiptar, që janë dëshira dhe vendosmëria për t’i shkuar deri në fund diçkaje”, theksoi Igli Tare. 42-vjeçari më pas shtoi: Në këto dy javë, këta djem na kanë përfaqësuar në mënyrën më të mirë të mundshme, të shikoje stadiumin e Lyonit me 30 mijë tifozë shqiptarë në shkallët e impiantit ishte diçka me të vërtetë e veçantë për mua personalisht, deklaroi në vijim Igli Tare.

Exit mobile version