Sapo ka mbërritur te Manchester United, Alexis Sanchez e sheh veten menjëherë në telashe. Sipas asaj që bën të ditur “Telegraph”, ka nisur një hetim në lidhje me ish-futbollistin e Arsenal, për thyerje të rregullave antidoping. Të enjten e kaluar, disa funksionarë të antidopingut u prezantuan në qendrën stërvitore të Arsenal, për të testuar kilianin dhe disa futbollistë të tjerë, por nuk mundën ta bëjnë diçka të tillë sepse sulmuesi nuk ishte i pranishëm, teksa të hënën ai u prezantua si numri 7 i Manchester United.
Në këto kushte, të dyja klubet janë të detyruara të justifikojnë mungesën e Sanchez në këto kontrolle. Rregullat e Federatës angleze të Futbollit janë shumë të forta në këtë pikë. Klubet e Premier League janë të detyruara të japin informacion për vendin, orën e fillim dhe orën e përfundimit të çdo seance stërvitore dhe adresën ku banon secili prej futbollistëve, në mënyrë që antidopingu të bëjë kontrolle kur nevojitet. Në rastin e Sanchez, ky kontroll nuk është bërë dhe tanimë ai rrezikon një skualifikim.